Shqiptarët mezi kanë pritur për një Lëvizje të tillë Antipolitike si kjo e studentëve sot, sepse shqiptarët janë mashtruar, gënjyer, vjedhur, grabitur, varfëruar dhe stresuar nga e gjithë elita politike e tranzicionit. Kjo elitë politike ka prodhuar vetëm trauma e fatkeqësi të rënda publike e kombëtare. Kjo elitë politike hajdute, e kriminalizuar dhe e korruptuar e mban Shqipërinë jashtë BE -së prej 28 vitesh.
Politika shqiptare, elita politike e saj ka dështuar në të gjitha aspektet: demokratike, politike, diplomatike, ekonomike, shoqërore, juridike, intelektualo-akademike, arsimoro-kulturore dhe integruese,por në të kundërtën është kampione në korrupsion, paligjshmëri, abuzivizëm, vjedhje , papërgjegjshmëri, në amoralitet dhe në integrim. Prandaj them se “ Lëvizja Për Universitetin” duhet të shndërrohet në një “Lëvizje Për Universalitetin” për të përgjithshmen, për zgjidhjen e të gjitha problematikave kombetare.
Prej 28 vitesh elita politike, estsablishmenti politik i saj nuk ndertoi as demokraci , as shtet ligjor, dhe prej saj Shqipëria jo vetëm se nuk u bë si Europa, por ajo mbeti e fundit në Europë në rrugën e zhvillimit ekonomik, juridik ,politik dhe të mirëqënies e të progresit. Politika shqiptare e tranzicionit vetëm sa ka prodhuar varfëri, pasiguri, papunësi dhe eksod. Ajo tashmë përfundimisht ka dështuar pasi edhe i ka konsumuar edhe të gjitha gënjeshtrat e mashtrimet publike, ajo është bërë e neveritshme te opinioni dhe i ka dalë boja si një politikë keqbërëse dhe dëmsjellëse e madhe publike e kombëtare. Në këto kushte duhet një politikë antipolitikë kundër kësaj elite politike, të cilës i duhet dhënë e besuar pushteti. Kjo besoj unë do dhe duhet të dalë prej Lëvizjes Studentore, prej “Lëvizjes Për Universitetin” e cila pavarësisht se deklarohet si jopolitike që në ditët e para të protestës së saj ajo ka fituar një simpati dhe mbështetje të jashtëzakonshme kombëtare.
Studentët shqiptarë janë ngritur në protestë kundër një pseudoreforme të bërë nga qeveria, kundër kësaj reforme qeverie injorantësh, kundër kësaj reforme antistudentore, antiarsimore, kundërintelektuale dhe thellësisht politiko-korruptive. Kjo protestë nxori në dritë nevojën jetike për shqiptarët se duhet edhe nje VETTING radikal edhe në arsim, në akademi dhe në universitete, pasi prej 28 vitesh edhe në arsim, në universitete, pra edhe këtu krimi i korrupsionit intelektual paska bërë batërdinë ashtu sikurse ka bërë edhe krimi politik dhe krimi gjyqësor.
“Rilindja” Socialiste e Edi Ramës pësoi fiasko se e tillë falso edhe ishte por edhe si falsitet e mashtrim doli, pasi vetëm rilindje dhe ringritje krimi , korrupsioni, vjedhje dhe abuzime e përpërgjegjshmëri publike e shoqërore prodhoi. Pra ishte i njëjti model si i paraardhësve të tij por vetëm sa që përkeqësoi më shumë. Përfundimisht dhe akoma më thellësisht edhe Rama ka dështuar në çdo aspekt, pra edhe në aspektin arsimor, jo vetëm se ka dështuar por ka shkaktuar pasoja të rënda për të cilat shqiptarët do të paguajnë kosto të mëdha dhe të shtrenjta ashtu sikurse edhe dështoi edhe Rilindja Demokratike e Partisë Demokratike e cila u kap ,u manipulua dhe u shfrytëzua nga Berisha dhe regjimi i tij per interesa te ngushta politike, partizane e personale.
Sot, tani aktualisht, minimumi që duhet të bëjë qeveria është plotësimi urgjentisht i të gjitha kërkesave të drejta të studentëve dhe jo të tregojë mosrespekt, injorim dhe arrogancë ndaj tyre, pasi pastaj do bëhet shumë vonë dhe protesta do të motivohet edhe moralisht për kërkesa politike deri në kërkesën legjitime për largimin e kësaj qeverie nga pushteti.
Moralisht, përderisa kjo protestë ka marrë përmasa kaq të mëdha madje dhe gjithkombëtare mirë do të ishte që kjo qeveri të dorëhiqej dhe t’i hapte rrugën demokracisë së vërtetë , demokracisë të cilën rinia dhe shqiptarët e kërkojnë prej 28 vitesh.
Kjo “Lëvizje për Universitetin” do të ishte mirë që të shndërrohej në një Lëvizje Politike “ANTIPOLITIKË”për të cilën kanë aq shumë nevojë Shqipëria dhe shqiptarët për ndëshkimin e këtij establishmenti politik, të kësaj elite politike të këtij tranzicioni, e cila shqiptarëve u ka shkaktuar trauma, vuajtje, mjerim, papunësi, eksod, mosintegrim ashtu sikurse edhe studentëve: diskriminim intelektual, stres dhe depresion, tarifa e gjoba duke treguar ndaj tyre një neglizhencë e mospërfillje të patolerueshme, në një kohë kur i gjithë establishmenti politik, qeveritaret dhe politikanët shqiptarë, që të gjithë ata, fëmijët e tyre i dërgojnë për studime në universitetet më të shtrenjta të Europës dhe të SHBA-ve, pasi ata kanë mjete financiare që i sigurojnë nga korrupsioni të cilin ua mundëson atyre pushteti dhe politika.
Dhe ky pushtet dhe kjo politika e gjithë këtij tranzicioni nuk kanë jo vetëm respekt për rininë studentore por janë edhe tejet shpirtlig, injorantë të paturp dhe antikombëtarë dhe egoistë të cilët e urrejnë këtë rini studentore.
Këmbëngulja dhe mospranimi prej protestuesve studentë që në të të mos përzihet politika ka domethënien se: kjo Lëvizje është jopolitike, por ama zgjidhjet e kërkesave të saj i bën politika që ka pushtetin, asaj, kjo Lëvizje ia kërkon dhe ia parashtron ankesat dhe kërkesat për të cilat ajo proteston, por njëkohësisht ajo nuk i kërkon ndihmë opozitës politike sepse nuk ka aspak besim te ajo sepse edhe ajo është sjellë me studentët aspak më mirë se pushteti aktual.
Pra kjo “Lëvizje Për Universitetin” është një lëvizje antipolitike, antiestablishment politik dhe pra kundër kësaj elite politike të këtij tranzicioni, dhe si e tillë ajo duhet dhe do të marrë mbi supe jo vetëm zgjidhjen e një spektri të veçantë kërkesash ,por ajo duhet të shndërrohet në një lëvizje politike që të marrë mbi supe zgjidhjen e të gjitha problematikave jetike që kanë jo vetëm studentët por edhe e gjithë shoqëria shqiptare e cila vuan prej padrejtësive, papunësisë, varfërisë, pasigurisë për punën, jetën, pronën dhe pasigurinë e mosbesimin duke humbur edhe shpresën për të ardhmen. Kjo është arsyeja se përse opinioni , pothuajse i gjithe opinioni kombëtar e përkrah “Lëvizjen Për Universitetin “ e cila duhet të shndërrohet në një “Lëvizje Për Universalitetin”, në kuptimin e asaj se kjo Lëvizje duhet të shndërrohet në Lëvizje politike e të marrë përsipër zgjidhjen e shumë e shumë problematikave. Kjo “Lëvizje për Universalitetin” të parën ta ketë Shqipërinë, interesin e përgjithshëm e publik, brënda të cilit të gjënden e të zgjidhen edhe problemet e gjithkujt: qoftë ai individ, shoqatë, parti e organizim tjetër shoqëror.
Pra, kjo Lëvizje duhet përderisa është jopolitike, por realisht është antipolitike, dhe si antipolitikë ajo duhet të marrë përsipër misionin historik që të bëhet politike kunder kësaj elite politile, ta sfidojë dhe ta nxjerrë atë jashtë pushtetit me votë demokratike, pasi populli nuk e voton më këtë elitë politike e cila ka rezultuar si politikë antipopullore, kundër interesit të përgjithshëm dhe që ka parë dhe është interesuar vetëm për interesin e saj duke përdorur edhe të gjitha mjetet dhe metodat amorale, antiligjore, kriminale, korruptive si dhe mashtrimet e gënjeshtrat gjithfarëshe.