Kam shkruar libra , shkrime e opinione me tematikë nacionaliste sepse si te tillë jemi edukuar unë, familja dhe vëllezërit e mi nga prindërit tanë. Por si të tillë kemi qenë edhe të padëshirueshëm dhe të përjashtuar nga jeta politike, ekonomike, dhe akademike në Shqipëri , pasi gjithmonë kemi qenë në përballje dhe në sfidë me politikën antiKosovë të politikës në Shqipëri.
Se sa e vërtetë është kjo për politikën e Tiranës këtë besoj se tashmë po e mësojnë edhe shqiptarët e Kosovës kur po mësohet dhe po del në dritë e vërteta historike e politikës shqiptare e këtyre 100 viteve të shtetit shqiptar, e sidomos tani pas formimit të Shtetit të Ri të Kosovës.
Nuk është rastësi e E.Ramës marrëveshja për minishengenin ,por është vijimësi antikombëtare e politikës së Tiranës , e klasës politike të saj, e cila interesin kombëtar të Shqipërisë e të shqiptarëve e kanë shfrytëzuar vetëm për interesa personale, pushteti e paraje. Kështu kanë vepruar E. Toptani, A.Zogu, E.Hoxha, S.Berisha, F.Nano e tani edhe Edi Rama.
Unë kam lindur në Shqipëri në vitin 1959 në Durrës, prindërit e mi kanë lindur në Kosovë.
Po e them këtë në hyrje të këtij shkrimi se kur ishim fëmijë xhaxhai Baftiri e Sadiku, dhe Babai ynë Sadri KAPITI na mësonin për ta bërë shqiponjën me duar, dhe na thonin se kështu e ka bërë shqiponjën Isa Boletini, kur këtë në Shqipëri ua mësuan shqiptarët e Kosovës atyre të Shqipërisë pas rënies së komunizmit në Shqipëri, pasi në Shqipëri e para ishte u kuqja dhe himni i Intenacionales komuniste.
Kur isha fëmijë Babai im më pyeste se ku dallon shqiptari nga serbi, dhe ai më përgjigjej po vetë se: shqiptari nga serbi dallon nga gjuha, shqiponja dhe nga kapuçi i bardhë, plisi. Nga babai im kam mësuar dy gjëra te tjera të mëdha, kam mësuar se Kosova ka luftu , është vrarë dhe kanë dhënë jetën shqiptarët e Kosovës për ta rujt Durrësin , se Serbia e ka ëndërr daljen në Durrës. E kur ua thoja këto mësuesve dhe shokëve të mi të shkollës as nuk e besonin dhe as nuk donin që ta dinin, se në Shqipëri më shumë mësohej për Kinën , Kamboxhion, Laosin , Vietnamin e Palestinën dhe për Leninin e Stalinin se sa për historinë e Shqipërisë dhe aspak për Kosovën. Gjithashtu Babai im Sadri KAPITI më ka pas thënë se Kosovën e çliron vetëm Amerika, se serbin e mbron vëllai i madh Rusi, dhe se Europa nuk ka takat dhe as dëshirë sepse Europa e Rusi i kanë ndarë dhe i kanë coptu trojet shqiptare. Me këto dhe me histori të tjera lufte, patriotizmi e nacionalizmi na kanë edukuar e mësuar ne familjen KAPITI në Durrës xhaxhallarët dhe prindët tanë gjithmonë.
Dhe pse ishim të tillë , ne gjithmonë jemi parë si të huaj në Shqipëri, si kosovarë dhe jo si shqiptarë, kur ne në fakt ishim shume here më shqiptarë se sa shqiptarët e Shqipërisë.
Për arsye e bindje nacionaliste, proamerikane dhe si kosovarë , dhe si të tillë edhe e kemi pësuar në Shqipëri, por që kurrë nuk mundën të na largojnë nga patriotizmi dhe nga dashuria për Kosovën .
Edhe gjatë luftës më të fundit në Kosovë, për çlirimin e saj, që njihet në histori si lufta e UÇK-së, ne Familja e Sadri KAPITIT vume ne dispozicion të gjithë qënien tonë shpirtërore, morale e materiale në shërbim të atdheut, në pritjen e përcjelljen e mijra e mijra luftëtarë të lirisë në Qëndren “Drenica” të Gani KAPITIT, Kosova e Naim KAPITIT, lokal “KAPITI” i Fatmir KAPITIT si dhe në shtëpitë tona në pritjen dhe akomodimin e të të dëburve nga genocidi serb të vëllezërve tanë, shqiptarët e Kosovës.
Minishgengeni nuk është rastësi, por vijimësi politike antiKosovë e Tiranës.
Duke u ndalur tani së fundmi, është për t’u krenuar me Protestën e VETËVENDOSJES në Shqipëri kundër takimit Rama-Vuçiç për marrëveshjen e të ashtuquajturit “minishengen”, si dhe nga ana tjeter edhe për t’u çuditur me heshtjen e shoqërisë civile në Shqipëri, por edhe e “Kosovëdashësit” fallco Ilir Meta dhe e kryetarit të opozitës, e politikanit pupël të Partisë Demokratike L.Basha gjë që tregon se ata për Kosovën kanë një linjë e një qëndrim djallëzor, hipokrit e tinëzar të përbashkët kundër saj për interesa personale.
Pra, edhe Bota po çuditet se si ka mundësi që klasa politike në Tiranë të mos reagojë dhe ta tolerojë këtë veprim e sjellje tradhtie antiKosovë të kryeministrit Rama?!
Është mjerim kombëtar për Shqipërinë që dhimbshuria e ndjenja kombëtare është e falimentuar në këtë farë derexheje.
Nuk e di si spjegohet kjo trashëgimi e ndjenjë serbofilizmi në Shqipëri jo vetëm sot por në vazhdimësi, dhe si spjegohet edhe kjo mosndjesi humane e kombëtare për shqiptarët e Kosovës dhe për Kosovën që është tipar fatkeqësisht jo vetëm për politikën e Tiranës.
Si është e mundur kjo “harresë” dhe kjo shpëlarje e shlyerje nga kujtesa, dhe ky indiferentizëm prej politikës dhe prej shqiptarëve të Shqipërisë për krimin, dhunën, për genocidin e tmerrshëm dhe të paparë në Ballkan që kanë ushtruar serbët kundër bashkëkombasve të tyre shqiptarë të Kosovës?
Pse a për lëvizje të lirë e pa viza në Serbi paskan pasur nevojë shqiptarët e Shqipërisë a…!?
Si është e mundur që politika e Tiranës të jetë kaq inferiore dhe kaq antikombëtare edhe sot, sikur të jep përshtypjen që ajo i lutet Serbisë për bashkëpunim kaq servil dhe kapitullant para saj?!
Ku janë në Shqipëri ata të cilët i ka dekoruar Hashim Thaçi, dhe ku janë ata që kanë marrë status verterani të luftës nga Komisioni i Veteranëve, gjë që tregon se atyre statusi i veteranit u është dhënë pa asnjë meritë?!
Pse askush prej tyre nuk kundërshton dhe as nuk shkruan një rresht të paktën për shqetësimin e madh, për atë pabesi që po i bëhet Kosovës nga Kryeministri shqiptar?!
Ku janë shoqëria civile, intelektualët dhe akademikët, ku është Ismail Kadare , i cili nuk doli fare në skenë as për ta kundërshtuar ndarjen e Kosovës dhe as minishengenin?
Kosovë mos prit se do të dalë në mbrojtje as Europa ,sepse Europës gjithmonë i kanë interesuar dhe i interesojnë politikanë shqiptare të korruptuar, të lehtëbinshëm, servilë, kapitullantë dhe aspak nacionalistë e kombëtarë siç i ka pasur gjithmone Shqipëria, e fatkeqësisht po të tillë ka edhe Kosova, siç është p.sh.Hashim Thaçi , i cili i “tradhëtoi” Ramën e Vuçiçin , jo se donte, por sepse ai tashmë ka frikë VETËVENDOSJEN dhe Albin Kurtin, se po t’i kishte fituar zgjedhjet partia e njerëzit e tij, Thaçin do ta kishe pasur edhe në Ohër, edhe në Durrës.
Thaçin nuk mundi ta ndalojë askush në Kosovë, madje as Kushtetuta të cilën ai e ka shkelur rëndë duke takuar e biseduar me Daçiç, Vuçiç e viç të tjerë e që ka bërë marrëveshje e pazare të rënda në dëm të interesave kombëtare, si Marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Serbe, Demarkacionin me Maqedoninë e Malin e Zi, dhe që ka kulmuar me krimin e madh të tradhëtisë : atë të ndarjes së Kosovës apo korigjimin e kufijve. Kjo është arsyeja pse Thaçi nuk ka marrë pjesë në takimet e minishengenit, pasi veprimtaria e tij edhe mëparshme antikombëtare është shumë e dëmshme.
Fatkeqësisht në protestën kundër minishengenit VETËVENDOSJA u la e vetme që të protestojë, dhe nuk u dukën as studentët të paktën që janë shpresa e së ardhmes ?!
Ky qëndrim “indiferent” kolektiv në Shqipëri duket sikur thotë se pavarësisht asaj se çfarë Politika e Tiranës u bën shqiptarëve në Shqipëri dhe ata pajtohen e as nuk rezistojnë, e si të tillë ata heshtin dhe në heshje pajtohet si gjithmonë edhe me politikën antiKosovë të politikanëve të Tiranës.
Me VETËVENDOSJEN në Tiranë, po rilind shpresa dhe kombëtarizmi në Shqipëri.