Demaskimi dhe shuarja e idesë për ndarjen e Kosovës në Samitin e Berlinit, shqiptarëve u ka dhënë një motiv dhe shans shumë të madh për të lëvizur dhe reaguar kundër politikës dhe politikanëve të tyre, kundër protagonistëve shqiptarë të cilët ishin bartësit e idesë antikombëtare të Beogradit për korigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Meqenëse shoqëria civile shqiptare është kapur dhe atrofizuar nga politika, nga padrejtësitë, nga korrupsioni dhe sidomos nga papërgjegjshmëria dhe nga interesat personale të politikës e të pushtetit dhe e mbartësve të tyre, atëhere u desh Samiti i Berlinit si një leksion për nevojën e ndërgjegjsimit por edhe të veprimit të shoqërisë shqiptare kundër këtij establishmenti apo kundër kësaj elite politike antipublike dhe antikombëtare, pasi me këtë elite politike shqiptarët nuk kanë për të arritur as progres, as mirëqënie, as zhvillim dhe as integrimin në BE.
Dhe për këto, për luftë kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit, për ndërtimin e shtetit ligjor dhe të demokracisë shqiptarët në Shqipëri e Kosovë kanë edhe mbështetjen e BE-së. Kanë ndihmën dhe mbështetjen e BE-së edhe për të mos lejuar ndryshimin e kufijve, pasi ndryshimi i kufijve ishte kundër politikës dhe linjës politike edhe të vetë BE-së.
Publikimi i idesë për korigjim të kufijve i cili realisht ishte synim strategjik i Serbisë, dhe sidomos dështimi dhe shuarja e këtij projekti në Samitin e Berlinit me 29 Prill 2019 ka demaskuar dhe zvetnuar jashte mase protagonistët shqiptarë të kësaj ideje thellësisht antishqiptare.
Idea për shkëmbim territoresh i sillte përfitime vetëm Serbisë, formimit të Serbisë së Madhe dhe dëme të mëdha e të pariparueshme Kosovës, pra shqiptarëve.
Por, kjo ide u sillte përfitime personale politike vetëm atyre politikanëve shqiptarë të cilët ishin dhe vazhdojnë të jenë bartësit e kësaj ideje.
Prandaj ata duhen izoluar dhe dëbuar politikisht si individë shumë të dëmshëm kombëtarisht. Ata për interesa e përfitime personale morën kompetencat e shtetit, të kushtetutës si edhe të egoizmit, arrogancës dhe të protagonizmit duke mos kursyer dëmet e rënda territoriale, politike, diplomatike, strategjike, ekonomike dhe kombëtare që u vinin shqiptarëve prej realizimit të kësaj ideje.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama donte të marrte edhe prerogativat “kryeballkanasit”, e sidomos të “Babait të Kombit”, por i cili nuk ka asnjë kontribut për Kosovën pervec asaj të vendosjes së Taksës antiKosovë në “Rrugën e Kombit”.
Baba i Kombit nuk bëhesh pa qenë dhe pa bërë ndonjë luftë, por vetëm pse tha se Serbia duhet ta njohë Kosovën, dhe këtë e tha shumë, shumë vonë, kur Kosovën e kishin njohur mbi 110 shtete të botës. Nuk mund të bëhesh baba i Kombit me hipokrizira, me arrogancë dhe egoizëm kur ke pushtetin. Nuk mund të bëhesh baba i Kombit edhe poqese deklarohesh për bashkimi kombëtar, por ama jo për bashkim kur dhe pasi të ndahej Kosova, dhe kur Serbisë t’i jipej nga Kosova ato cfarë ajo kishte në projektin e ndryshimit të kufijve. Nuk mund të bëhesh i tillë e as i “madh” dhe të as të hysh në histori me “lavdi” duke kërkuar pajtimin shqiptaro-serb madje edhe duke cituar antishqiptarin e madh dhe projektuesin e zhbërjes së Shqipërisë, shkrimtarin serb Ivo Andriq; dhe as duke mos pyetur institucionet dhe popullin shqiptar të Kosovës, dhe as kur Serbia nuk ka bërë akoma as minimumin, as kërkim falje për krimet dhe genocidin e saj kundër shqiptarëve të Kosovës.
Dështimi i idesë për korigjimin e kufijve i ka demaskuar rëndë publikisht dhe kombëtarisht por edhe nderkombëtarisht te aleatët e shqiptarëve si Kryeministrin e Shqipërisë ashtu edhe dhe Presidentin e Kosovës.
Prandaj vullneti dhe interesi kombëtar duhen t’i izolojë, t’i dëbojë e largojë nga politika e pushteti pasi vazhdimësia e tyre do të jetë e dëmshme kombëtarisht.
Durrës, 8 Prill 2019