Skënder Salihaj lindi më 5 qershor të vitit 1972 në fshatin Legjendas(ish- Mollapolc) të Shtimes. Shkollën fillore e kreu në fshat, ndërsa tetëvjeçaren në shkollën fillore “Bajram Curri” të fshatit Petrovë. Meqë ishte nxënës i zgjuar, vazhdon shkollimin e mesëm. Dy klasat e para të gjimnazit i mbaroi në Shtime, ndërsa vitin e tretë dhe të katërt, drejtimin teknik i makinerisë, e kreu në Ferizaj, me sukses të shkëlqyeshëm.
I etur për dije dhe përparim, pas mbarimit të shkollës së mesme, në vitin shkollor 1990/1991, Skënderi regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, drejtimi i biologjisë. Edhe pse kishte dhënë disa provime, ndërroi mendje dhe në vitin shkollor 1993/1994 u regjistrua në Fakultetin e Kulturës Fizike, po në Prishtinë. Duke qenë se kishte trup atleti dhe vullnet të veçantë për të studiuar në këtë fakultet, ai korri sukses në studime. Në indeksin e tij (dhe reliktet e tjera), të cilin e ruajnë me përkushtim, prindërit, vëllezërit e motrat e dëshmorit, ka 16 provime të fakultetit të dhëna në afat. Ishte në vitin e fundit të shkollimit universitar kur shpërtheu lufta çlirimtare në Drenicë.
Skënderi kishte marrë pjesë në të gjitha demonstratat, që asokohe u zhvilluan në Shtime, në Prishtinë e gjetkë, në përkrahje të Drenicës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I edukuar në frymë atdhetare dhe i ndeshur përballë barbarisë okupatore, Skënderi ishte përcaktuar për rrugën e luftës së armatosur kundër pushtuesit.
Qysh në mars të vitit 1998, kushëriri i Skënderit, Nusret Salihaj, ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së. Kishte lënë punën në Gjermani dhe së bashku me shumë bashkëluftëtarë nga Shqipëria futet në Kosovë. Me rastin e depërtimit të tij në Legjendas (ish-Mollapolc), ai kontakton, mes të tjerëve, edhe me Skënderin, i cili ishte tejet i entuziazmuar me përhapjen e radhëve të UÇK-së edhe në rrethinën e Shtimes.
Duke qenë se luftëtarët e mirënjohur: Isak Musliu dhe Skënder Salihaj me lejen e Shtabit të Përgjithshëm, që asokohe ndodhej në Kleçkë, marrin përsipër për të organizuar pikat e UÇK-së në rrethinën e Shtimës, Skënderi ishte ndër të parët që iu përgjigj kushtrimit të luftës për liri. Përveç Skënderit, nga familja e Zeqir Salihajt radhëve të UÇK-së iu bashkohen edhe dy motrat e tij, Demiria dhe Bedria, ndërsa nga fshati Legjendas radhëve të luftës i bashkohen jo vetëm të rinjtë e të rejat, por edhe burra të moshuar.
Deri me rastin e konsolidimit të Zonës Operative të Neredimes, Skënder Salihaj së bashku me kushëririn Nusret Salihaj, i njohur me emrin e luftës “Zeneli”, pastaj me Abdullah Musliun, Heset Salihun, Ekrem Ramadanin, Fadil Salihajn, luftoi në radhët e njësiteve të komandant Ismet Jasharit dhe të Fatmir Limajt.
Skënderi ka qenë i armatosur me kallashnikov, por një kohë ka përdorur edhe mitralozin e vogël të tipit PM. Së bashku me luftëtarët e tjerë ka marrë pjesë edhe në luftimet që janë zhvilluar në Tërpezë, në Qafë të Duhlës, në pikën e Lladrocit dhe në Carralevë, në Jezerc etj.
Në gjysmën e dytë të korrikut të vitit 1998, pasi konsolidohet Zona Operative e Neredimes, nën komandën e Shukri Bujës, të Jetullah Qarrit, i njohur si komandant “Guri”, e të luftëtarëve të tjerë të lirisë, Skënder Salihaj me disa bashkëluftëtarë të Reçakut, Petrovës e të Mollapolcit depërton në këtë zonë, jo për të qenë afër familjes, por për t`i dhënë hov luftës çlirimtare dhe për ta zgjeruar në të gjitha anët e Kosovës.
Në gjysmën e dytë të korrikut, edhe pse ishte i armatosur, Skënderi bën përpjekje për të shkuar në Shqipëri për të sjellë armatim. Duke qenë se asokohe afër Junikut ishin përqendruar forca të mëdha policore serbe, ndërsa ishin tubuar po ashtu disa mijëra vullnetarë shqiptarë që bënin përpjekje për të kaluar kufirin, komanda e Zonës së Dukagjinit urdhëron që vullnetarët të ktheheshin nëpër zona derisa të krijoheshin kushte më të favorshme për furnizim me armatim.
Prej fillimit të gushtit të atij viti, Skënderi sistemohet në Pikën e UÇK-së në Rancë, e cila shërbente si pikë ushtarake ndërlidhëse në mes të Zonës Operative të Drenicës dhe të Pashtrikut. Komandant i Pikës së njohur të Rancës ishte caktuar Isak Musliu, i quajtur “Qerqizi”, ndërsa zëvendëskomandant Nusret Salihu-Zeneli.
Skënderi, duke qenë se kishte temperament të luftëtarit të përkushtuar, gjithnjë tregoi gatishmëri për të marrë pjesë në aksione. Eprori, njëherësh edhe kushëriri i tij Nusret Salihaj, rrëfen për pjesëmarrjen e Skënderit në aksionet që janë ndërmarrë në Neredime, Dramjak, Rancë, Jezerc, Greiçec etj.
Skënder Salihaj, së bashku me luftëtarët: Fadil Mujota, Rifat Mujota, Sefë Hysenaj, Muhamet Bajrami e të tjerë, iu kanë shkuar në ndihmë forcave të komandant “Gurit”, gjatë ofensivës serbe të 25-28 gushtit të vitit 1998. Skënderi ishte dalluar për trimëri dhe taktikë në luftime.
Në periudhën kohore prej gjysmës së dytë të gushtit dhe në gjysmën e parë të shtatorit, Skënder Salihaj ishte në radhët e njësitit special “Rrufeja”, të cilin e komandonte Nusret Salihaj, ndërsa zëvendëskomandant ishte Nebih Musliu. Në këtë grup diversant luftarak bënin pjesë edhe luftëtarë të tjerë të kalitur ndër beteja si: Fadil Mujota, Rifat Mujota, luftëtari nga rrethi i Klinës Ibrahim Deliu e të tjerë.
Njësiti luftarak “Rrufeja” ka ndërmarrë disa aksione të suksesshme kundër forcave policore serbe në vijën e luftimeve: Poredime-Koshare, Dremjak-Baliq-Neredime. Skënderi me bashkëluftëtarë përcillnin lëvizjet e forcave serbe në anën lindore të Zonës së Neredimes.
Më 13 shtator, ishte hetuar shtimi i numrit të efektivave luftarake të forcave armike pikërisht në këtë vijë frontale të luftimeve.
Në saje të përforcimeve të forcës armike dhe të informatave nga qyteza e Shtimes, njësiti Rrufeja kishte siguruar të dhëna se në shtëpinë e serbit vrasës Zoran Diniq ndodheshin kuadro të larta drejtuesish nga MUP-i i Serbisë. Me qëllim të likuidimit të kreut kriminal, ky njësit kishte projektuar sulmin diversant në qerthullin e kriminelëve. Rreth orës 21 të datës 13 shtator, Skënderi, Nusreti, Nebihu e të tjerë, fshehtas afrohen te shtëpia, të cilën e kishin vënë në shënjestër. Duke qenë se në shtëpinë për të cilën dyshohej se ndodheshin kriminelët ishin dëgjuar zëra fëmijësh dhe grashë, njësiti kishte marrë urdhër të mos godiste me predha të granatahedhësit. Ndërkohë, forcat serbe hetojnë praninë e luftëtarëve të UÇK-së dhe fillojnë të sulmojnë në drejtim të tyre. Të befasuar nga sulmi, luftëtarët e lirisë fillojnë luftimet në tërheqje, duke qenë se ishte identifikuar vendpozicioni i tyre. Gjatë tërheqjes përreth lumit të Shtimes, nga sulmi i forcave serbe te përqendruar në kodër, te Shkolla e Vjetër, goditet Skënder Salihaj, i cili fillimisht nuk i jep rëndësi plagës. Pas afër 100 metrave në tërheqje, Nusret Salihaj heton se Skënderi ishte plagosur dhe ai me bashkëluftëtarë i shkon në ndihmë për ta tërhequr. Fillimisht ndalojnë në Lagjen Balaj të Reçakut, ku edhe marrin një veturë, në të cilën e vendosin trupin e plagosur të Skënderit dhe nisen në drejtim të spitalit ushtarak të Budakovës. Skënderi nuk e kishte humbur vetëdijen, edhe pse kishte marrë plagë të rëndë. Deri në fshatin Papaz përmendej, thotë kushëriri dhe bashkëluftëtari Nusret Salihaj, ndërsa kur shkuam te Spitali në Budakovë, Skënderi kishte mbyllur sytë përgjithmonë.
Duke qenë se zona e Mollapolcit ndodhej nën rrethim dhe nga çasti në çast pritej të fillonte ofensiva, me të aguar 14 shtatori trupin e dëshmorit e varrosin në vendin afër xhamisë në Mollapolc, ku më vonë u varrosën edhe shumë dëshmorë të tjerë të rënë deri në fund të luftës së UÇK-së. Babai Zeqiri, motrat luftëtare në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Bedria dhe Demria, si dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë, marrin pjesë në varrimin e dëshmorit, djalit, vëllait dhe bashkëluftëtarit të lirisë, Skënder Salihaj.
Skënderi ka lënë prindërit: babë Zeqirin dhe nënë Haziren, vëllezërit: Ademin, Ekremin, Ismajlin dhe motrat: Zyhrien, Sevdien, Bedrien, Demrien dhe Luljetën, të cilët e kujtojnë dhe kurrë nuk e harrojnë birin e vëllanë e tyre dëshmor.
Në këndin muzeal shtëpiak, ruhet me përkujdesje të veçantë sharkia e tij, disa fletore shënimesh, indeksat, shumë fotografi të kohës së luftës dhe relikte të tjera. Mbi të gjitha ruhet kujtimi i përmallshëm, por edhe krenar, i motrave, i vëllezërve dhe i prindërve për dëshmorin e kombit, Skënder Salihaj.
Skënderit i kanë dhënë Mirënjohje: Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së-TMK-së, Kuvendi Komunal i Shtimes dhe Fakulteti i Kulturës Fizike, në Prishtinë. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …