Me rastin e 85-vjetorit të lindjes
-Pengu im të shoh një monument të Ismail Qemalit përballë atij të Skënderbeut
Gjirokastra, vendlindja ime e shenjtë, dalta besnikja që gdhenda historinë
Me skulptorin e madh Muntaz Dhrami kam zhvilluar shumë intervista. Ai është një thesar i madh i kulturës sonë kombëtare. Ai flet pak me fjalë, por shumë me daltë.Intervistën më të gjatë e kam zhvilluar vjet me rastin e 85-vjetorit të lindjes, por nuk mungojnë kurrë takimet në Shoqatën Labëria apo dhe bisedat në celular ku ai më tregon për projektet e tij.
-Në një bisedë të lënë përgjysmë kur ishim në një aktivitet në Vlorë ju më theksuat se keni peng një monument të Ismail Qemalit në Tiranë. Pse ky peng?
-Sigurisht që është peng. Flitet për Ismail Qemalin e madh. Njeriun që solli Pavarësinë. Ai mbetet i dyti më i amdhi i kombit pas Skënderbeut. Dhe monumenti i tij duhet në qendër të Tiranës përballë Skënderbeut.Dy të mëdhenjtë e kombit përballë njeri-tjetrit.
Nëse do i hidhni një sy rrugëtimit tuaj si do ju duket kjo rrugë nga shkollimi në Gjirokastër deri më sot në Tiranë?
Kur kthej kokën pas them:- Zot si ka ikur koha? Një jetë e mbushur me ngjarje, punë dhe histori.Kam jetuar në tre kohë gjatë luftës në monizëm, dhe tani në demokraci.Pra, një jetë që në çdo hap ka një ngjarje ka një histori, ka një moment të rëndësishëm jetësor.Moment i veçantë ishte hyrja ime në Lice. Ka qenë ndërhyrja e të afërmit tim Zihni Sako, që më nxiste, pasi shihte vazhdimisht pikturat e mia. Një ditë ai m’i mori vizatimet dhe ia tregoi Abdurrahim Buzës, piktorit tonë të nderuar. Sa i pa vizatimet piktori i madh tha, që ky djalë të vijë në konkurs në Lice. Por unë nuk mund të shkoja pasi nuk më linte drejtori i gjimnazit (pra kisha filluar mësimet në gjimnaz).Por unë duke pikturuar në rrugët e Gjirokastrës më pa një ditë Bedri Spahiu (ish -ministër i Arsimit). Ai pasi më lavdëroi unë i qava hall duke i thënë se nuk më le drejtori i gjimnazit të futem në konkurrim në Liceun Artistik. Ishin ndërhyrjet e tyre që unë të shkoja dhe të konkurroja në Lice. Në Lice kam qenë në një klasë me Zef Shoshin, Stefan Priftin, Dhimitraq Trebickën, Sotir Kosta etj, ndërsa mësues kam pasur Abdulla Cangonjin dhe Kel Kodhelin. Ata kanë qenë mësuesit e mi në këtë periudhë, deri në mbrojtjen e diplomës.
Cila ka qenë puna juaj e diplomës?
Puna ime e diplomës në 1956-ën, ka qenë një kompozim i një prindi me një fëmijë.Ka qenë paksa letrareske, ku një vajzë e vogël vjen nga shkolla me një libër në dorë dhe i tregon babait që ishte farkëtar se çfarë ka mësuar në shkollë.Ishte 1 metër e 20 cm, pra më pak se ajo natyrale.Ishte një kompozim i mirë. Nga viti 1956-‘57, punova në kooperativën e porcelanit, si modelist bashkë me Hektor Dulen, Skënder Pukën (një piktor i mirë, i talentuar) nxënës i Odise Paskalit.
Kur filloi krijimtaria juaj e vërtetë?
Viti 1957, ishte viti që filloi krijimtaria ime e mirëfilltë. “Vajza me shall” ishte vepra që unë u ekspozova në Ekspozitën Kombëtare. Ishte si punë konkurrsi.Ishte një ditë e veçantë për vetë faktin se po dilja në një përballje publike, kur dihej se aty kishte shumë piktorë dhe skulptorë të afirmuar.Pikërisht pas këtij ekspozimi apo konkursi më doli e drejta e studimit, në Leninigrad (San Petërbug).Vazhdova studimet nga viti 1957 deri në vitin 1961 kur u ndërprenë marrëdhëniet.Pas këtij momenti unë kthehem në atdhe.Jo vetëm unë, por të gjithë studentët shqiptarë që studionin në BS. Studimet e mëtejshme i vazhdova në Akademinë e Arteve në Tiranë, në Institut, i cili në atë kohë ishte sistem 3- vjeçar.
Në atë kohë në Institut po realizonin diplomën Sali Shijaku, Agim Zajmi, Zef Shoshi etj…që kishin lënë studimet në BS. Në këtë kohë kishin mbrojtur diplomën Shaban Hadëri, Kristaq Rama, që kishin mbaruar shkëlqyeshëm në Leningrad dhe kishin lënë emër të mirë. Ne që ishim brezi i ri dhe brezi i fundit në BS u munduam ta ruanim reputacionin e tyre (ata kishin shkuar në moshë të madhe në shkollë).
- Në monizëm ju keni realizuar shumë statuja, buste dhe relieve, si punonit në atë system?
- -Ai sistem ka vlerat e veta. Nuk mund të errësohet çdo gjë. Mund të them se për artin është investuar. Sot mund të shohësh shumë skulptura heronjsh, apo monumete të mëdha në të katër anët e Shqipërisë që i përkasin asaj kohe. Monumente që kanë shkruar një pjesë të historisë shqiptare.
- Cili është busti juaj i parë si skulptor profesionist?
- Busti im i parë është i Jani Vretos i vendosur në Leskovik. Një bust që e punova me shumë dashuri duke pasur parasysh jetën dhe veprën e tij shumë interesante?
- Po monumenti juaj i parë?
- Monumenti im i parë ka qenë bashkëpunim me Kristaq Ramën. Ky monument i kushtohet Kostandin Kristoforidhit. Është një punë e madhe me shumë përgjegjësi. Monumenti është vendosur në Elbasan ku ndodhet edhe sot. Pra, është monumenti im i parë dhe bashkëpunimi im i parë me Kristaq Ramën. Më pas me të do të kisha shumë bashkëpunime. Kristaq Rama ishte i talentuar, por mbi të gjitha një intelektual i aftë dhe shok i mirë.
- Cilat janë disa nga veprat tuaja në shërbim të historisë?
Janë shumë.Populli ynë ka histori të madhe.Ka histori të jashtëzakonshme.Një popull i vogël me kaq histori zor se ka tjetër në botë.Ndër to mund të përmend monumentin e Ali Pashës në Tepelenë. Monumenti madhështor është prej bronxi, me peshë 4 ton, i gjerë 3.1 metër, i lartë 2 metra. Ai është vendosur në qytetin e Tepelenës, në sheshin që gjendet në hyrje të saj, kur vjen nga Ura e Leklit dhe fshatit Luzat. Ceremonia e inaugurimit u zhvillua me veprimtaritë e shumta për dy ditë rresht, më 21 dhe 22 shtator të vitit 2002. Monumenti i Drashovicës përjeton dy luftëra të zhvilluara në kohë të ndryshme, të ndarë nga njëra-tjera në një distancë prej 23 vjetësh. Monumenti është ngritur në rrugën e lumit të Vlorës, pra në udhën automobilistike Vlorë–Kurvelesh. Ai gjendet i pozicionuar rreth 30m nga ura e famshme e Drashovicës. Ura e Drashovicës përmendet në të dy luftërat që zhvilluan lebërit kundër pushtuesve në verën e vitit 1920 dhe në dimrin e vitit 1943. Kjo vepër monumentale u ndërtua e gjitha në bronx, ndërsa sheshi i saj dhe harku që lidh të dy faqet e historisë në një të vetme është ndërtuar me strukturë betoni. Ndërsa në të dy anët e kësaj strukture gjenden figura në basoreliev, që tregojnë luftën për secilën kohë. Monumenti i Adem Jasharit në Tiranë u vendos në të njëjtin vend ku ishte i vendosur vetëm një bust i tij në rrugën e “Durrësit”. Monumenti u vendos me rastin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë.Busti i Ali Asllanit në Vajzë të Vlorës.Labëria ka nxjerrë burra të mendjes, penës dhe pushkës, shtetarë dhe administratorë, artistë e profesionistë, poetë dhe oratorë.Por rrallë ndodh që në një njeri të vetëm të gjenden bashkë të gjitha këto vlera e vyrtyte.Ali Asllani është njeri prej tyre. Por nga lufta do veçoj një figurë…
-Cilat janë disa nga bashkëpunimet tuaja të mëvonshme me Kristaq Ramën?
Së pari monumenti Nëna Shqipëri që ndodhet në hyrje të kompleksit të “Varrezave të dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore” në Tiranë dhe është 12 metër i lartë. Statuja është në beton dhe është përuruar në varrezat “Dëshmorët e Kombit” në vitin 1971. Realizues Kristaq Rama, unë dhe Shaban Hadëri. Së dyti Monumenti i Pavarësisë i ndërtuar nga Kristaq Rama, unë dhe Sh.Hadëri në Vlorë në vitin 1972 dhe i mbuluar me bronz.Është i lartë 17 metra.Ky monument ngrihet në qendër të qytetit në Sheshin e Flamurit. Në qendër të grupit skulpturor është figura e Ismail Qemalit, kryetarit të parë të shtetit shqiptar. Relievi te Kryeministria (1974) së bashku me Kristaqin, Shabanin dhe Hektor Dulen. Memoriali i Qafës së Koçiut për luftën e vitit 1920.Pra janë disa memoriale në bashkëpunim me disa nga skulptorët më të mirë shqiptarë. Të gjithë këta skulptorë kanë lënë gjurmët e tyre në vepra monumentale, që nuk do të vdesin kurrë. Tek puna e tyre shikohet një pjesë e mirë nga më të lavdishmet të historisë shqiptare.
Si erdhi bashkëpunimi në grup?
U bënë konkurse për “Monumentin e Pavarësisë”.U paraqitën shumë variante. Ne që ishim të një shkolle, Kristaq Rama, Shaban Hadëri dhe unë fituam konkursin, për të realizuar monumentin. U dhanë shumë ide dhe projekte, por Byroja Politike pranoi këtë tonën.Po kështu në monumentin “Nënë Shqipëri” kemi qenë një grup realizues.Ishte punë e madhe.Edhe kjo në grup, ku paralelisht, në vitin 1972, realizuam monumentin “Nënë Shqipëri”. Pra dy nga monumentet më të rëndësishme ne i realizuam në grup. Ne që bëmë “Monumentin e Pavarësisë”, bëmë dhe “Nënë Shqipëri”.Pastaj me skulptorin Hektor Dule, Kristaq Rama, Shaban Hadëri (dhe unë) kemi realizuar relievin që është vendosur në fasadën e Kryeministrisë. Relievi zgjati një vit e gjysmë punë dhe është punuar në beton ( shihet dhe sot) si dhe monumentin në Qafën e Koçiut (Vlorë) kushtuar luftës së vitit 1920.
Një punë e madhe është bërë edhe për “Obeliskun e arsimit”?
Sigurisht.Një vepër e madhe dhe me përgjegjësi.Këtë vepër e kam në bashkëpunim. Së bashku me Stefan Papamihalin dhe Ksenofon Kostaqin (dy skulptorë të talentuar) kemi realizuar “Obeliskun e arsimit” të Gjirokastrës mes shumë vështirësish. Obelisku është 7 metër i lartë i ndërtuar me gurë me 100 e ca blloqe guri që janë marrë në Progonat.Një gurë i rrallë.Në fillim e bëmë në allçi. Për obeliskun është punuar dy vjet dhe sot ai ruhet pasi nuk ka ngjyrime politike. Pasqyrë e arsimit shqiptar.
***
Skulptori që ka gdhendur me daltë historinë e kombit shqiptar
Sot 86-vjetori i Skulptorit Muntaz Dhrami
Albert Z. ZHOLI
Muntaz Dhrami lindi në Gjirokastër më 10 nëntor të vitit 1936, është skulptor shqiptar.
Dhrami shkollën fillore dhe dy vjet të mesme i mbaroi në Gjirokastër. Gjatë viteve 1953 – 1956 ndoqi studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë ku dhe mbrojti diplomën.Gjatë viteve 1956 – 1957 punoi si modelist në kooperativën e Porcelanit.Gjatë viteve 1957 – 1961 vazhdoi studimet e larta për skulpturë në Akademinë e Artit në San-Peteburg (Rusi). Në vitin 1961 mbrojti diplomën në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë me grupin monumental “Çerçiz Topulli” e “Mihal Grameno”. Në periudhën e viteve 1961 – 1976 punoi si pedagog dhe si Dekan në Fakultetin e Arteve Figurativë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranê. Periodikisht shkëputet nga detyra si pedagog dhe punon si krijues i lirë në realizimin e disa monumentëve. Për mëse 64 vjet punë ai ka skalitur me daltë si rrallë kush historinë e lavdishme të kombit shqiptar si Monumentin e Lirisë në Drashovicë, Harkun e Triumfit të epopesë së luftërave të Vlorës e Labërisë, Monumentin e “Nënës Shqipëri” (bashkautor) në Tiranë kundër pushtuesve e cilëson si një nga kryeveprat e tij, Monumentin e Pezës (bashkautor), Obeliskun i Arsimit në Gjirokastër, etj…Ai vlerësohet nga populli si skulptori me kontribute të larta artistike në fushën e skulpturës, ngritjen e shkollës shqiptare të arteveve figurative dhe lartësimin e kulturës kombëtare.
Në bashkëautorësi ka realizuar
Monumentin e Kristoforidhit në Elbasan (1962)
- Monumentin e Pavarësisë në Vlorë (1970)
- Monumentin e “Nënës Shqipëri” në Tiranë (1971)
- Reliefi monumental në ndërtesën e Kryeministrisë Tiranë.
- Autor i monumentit në Drashovicë.
- Monumentin e Pezës.
- Obeliskun i Arsimit në Gjirokastër.
Autor i shumë veprave personale
Busti i Shkurte Pal Vatës në Lushnje.
- Busti i Liri Geros në Galerinë e Arteve Tiranë.
- Portret i Rugovasit në Galerinë e Arteve Tiranë.
- Busti i Jani Vretos në Leskovik (1996).
- Portret i Nënë Terezës,
- Monumenti i Ali Pashë Tepelenës.
- Monumenti i Lasgush Poradecit.
- Monumenti i Mitrush Kutelit
Ekspozita individuale
- 1967 Ekspozitë me vizatime në Universitetin e Amanit –Jordani.
- 1982 « Parmi les hommes » au Palais culturel à Tirana.
- 1992 «Pour une commémoration de l’Indépendance » au musée national de Tirana.
- 1994 Ekspozitë vetjake “FrymëzimE nga Bethoven” Tiranë.
- 1996 Eskpozitë vetjake me rastin e 60 vjetorit në Galerinë Kombëtarë të Arteve nê Tiranë.
- 1997 « Motive muzikore » në Qëndrën Internationale të Kulturës, Tiranë.
- 1999 Compozimi « Puthja » (bronz) ekspozuar në galerinë « le Miroir des Maîtres », Gjenevë (Zvicërr).
Konkurse
- Laureat i çmimit të nderit në Bienalen e Aleksandrisë (1964).
- Laureat i disa çmimeve dhënë nga shteti Shqiptar.
- Mban titullin “Skulptor i Popullit” (1978).
-Nderi i Kombit” (gusht 2020)
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI