25 VJET LIRI!
Urime për 14 Qershorin – Ditën e Çlirimit të Rahovecit me rrethinë!
Të dashur qytetarë të komunës së Rahovecit,
Nesër është 14 Qershori, Dita e Çlirimit të Rahovecit me rrethinë.
Rahoveci, Kosova dhe të gjithë shqiptarët anekënd botës, kremtojnë 25-vjetorin e çlirimit të vendit. Pas një periudhe të gjatë zie, vuajtjeje, mjerimi, poshtërimi dhe nëpërkëmbjeje, shqiptarët e Kosovës e panë dritën e lirisë. Krahas luftëtarëve të lirisë, kauzës tonë të drejtë e humane iu bashkuan edhe popujt e civilizuar dhe pas shumë përpjekjesh e gjakderdhjesh, u arrit që shqiptarët në Kosovë të frymojnë lirshëm.
Pjesë e rëndësishme e kësaj sakrifice madhore për liri e të drejta kombëtare ishte dhe Rahoveci me rrethinë. Për dekada me radhë, shumë burra e gra të kësaj ane, qëndruan e luftuan me vetëmohim, duke u bërë sinonim i sakrificës. Lufta dhe UÇK-ja gjetën shtrat të mirë në këto anë dhe shumë luftëtarë u rreshtuan në radhët e UÇK-së, me bindje e me besim në fitore.
Rëniet e shumë dëshmorëve janë dëshmi e kësaj qëndrese të pashoq. Shtëpitë tona u bënë strehë e luftëtarëve të lirisë nga të gjitha trojet shqiptare. Secili qytetar i Rahovecit me rrethinë, secili anadrinas, duhet të ndihet krenar për këtë të kaluar heroike dhe të ndihet pjesë e kontributit për liri.
Komunës tonë, në luftën çlirimtare, vërtet iu vranë bijtë dhe bijat më të mira, burrat, gratë dhe fëmijët, por fituam heronj, dëshmorë e martirë, që u bënë themel i lirisë së Kosovës.
Në këtë ditë kremte, kujtojmë të gjithë ata që luftuan dhe u flijuan për idealin e lirisë, duke marrë mbi vete përgjegjësitë individuale e institucionale që na takojnë. Jetësimi i aspiratës së dëshmorëve tanë mund të bëhet vetëm duke punuar mirë, ndershëm dhe me përkushtim. E ardhmja iu takon popujve që investojnë për të mirën e brezave.
Në këtë përvjetor jubilar, në emër të Komunës së Rahovecit, i jepet titulli: “QYTETAR NDERI I RAHOVECIT,” ish-kryeministrit të Shqipërisë, z. PANDELI MAJKO, e ku ju ftoj të merrni pjesë të gjithë, pa dallim, që ta festojmë bashkë Ditën e Çlirimit, ta nderojmë e ta respektojmë këtë figurë të rëndësishme kombëtare e politike.
E gëzofshim tokën dhe shtetin tonë të lirë e të përparuar!
Lavdi e nderim të gjithë të rënëve për liri!
Smajl Latifi,
Kryetar i Komunës