Smajl Latifi: Bahri Fazliu, udhëheqës i denjë i Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës

25 vjet nga rënia burrërore në fushën e nderit dhe të lavdisë, të heroit të luftës për çlirimin kombëtar, Bahri Fazliut.

Është mbresëlënëse ndjenja e përkujtimit të njërit prej ideologëve më të spikatur të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, me emrin e të cilit është e lidhur historia më e re e luftës për çlirimin e popullit shqiptar nga robëria sllave. Me Bahriun kishte kuptim emri Lëvizje, jeta dhe qëllimi i të cilës mori vlerë dhe përmbajtje nga puna vetëmohuese e tij.

Një luftëtar i lirisë me përmasat e heroit, i dëshmuar për vitet e veprimit në periudhën më të vështirë, atë të ilegalitetit, ku kërkohej guxim, shkathtësi dhe përgjegjësi, disiplinë e ndërgjegjshme, por dhe ndjenjë e lartë përgjegjësie.

Bahriu e kishte zgjedhur përnjëmend rrugën e betejave të vazhdueshme, të përballjeve dhëmbë për dhëmbë me vështirësitë e luftës për çlirim, duke dëshmuar aftësitë prej një udhëheqësi modest, që nuk smprapset nga dallgët dhe fortunat.

Bëri një jetë të shkurtër, por la një vepër të pasur politike e kombëtare.

U bë frymëzim për djemtë dhe vajzat që po zgjoheshin e po niseshin me pushkë në krah për ta kërkuar lirinë, kurse pas rënies heroike, në një mësues që edukon më së miri rrugën tonë të luftës për liri që na jep forcë  për të jetësuar idealin e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar.

Bahri Fazliu i vuri themelet e një force kombëtare çlirimtare, në një periudhë ku shumica e shqiptarëve ishin në një lloj opiumi, ku liria e tyre kërkohej vetëm me fjalë e konferenca shtypi, e duke e ruajtur me çdo kusht paqen-robëri me pushtuesit serbë. Jeta e “Gzimit” është plot me ngjarje dhe veprime që çonin porosi: organizim dhe vetëm organizim drejt përgatitjes së luftës së përgjithshme të armatosur, si rrugë e vetme drejt fitores së plotë.

Bahri Fazliu është vazhdues i denjë i veprës dhe amanetit të vëllait të tij, Fahri Fazliut, ndaj të cilit ushqente respekt të thellë dhe i falej përjetësisht, për mësimet që ia kishte lënë pas jeta dhe vepra e vëllait dëshmor. Ai e kishte përjetuar rëndë rënien e shokëve të pandashëm, Fahriut dhe Afrimit, në 2 nëntorin e vitit 1989.

Të gjithëve na kujtohet se në ato vite jetohej e punohej nëpër baza ilegale e podrume me lagështi, nëpër shtëpi të thjeshta e liridashëse shqiptare dhe jo sikurse sot. Kushtet në të cilat vepruan Bahriu dhe Agroni ishin të rënda për Kosovën dhe popullin shqiptar, ishin kushte, ku praktikisht, çdo ditë e kudo vepronte aparati i pushtimit me mekanizmat e dhunës.

“Mos e duro robërinë, shqiptar!”, “Zgjohu, shqiptar!”, “Kënga e pacifizmit është këngë e robërisë.” – janë vetëm disa nga porositë që i kishte zbërthyer dhe arsyetuar në artikujt e tij, të botuar në revistën luftarake të LKÇK-së, “ÇLIRIMI”. Artikuj që zgjonin të përgjumurit, zgjonin e i çonin në këmbë, i mobilzonin e kalitnin djemtë e vajzat për t’u hedhur me vetëdije në veprime për ta fituar luftën e jetësuar, paqen e vërtetë në liri.

Heroi Bahri Fazliu luftoi me zjarrin e zemrës e me dashurinë e pakufishme për atdheun dhe kombin e vet, për lirinë dhe bashkimin. Vetëm pas 7 majit 1998, ne do ta kuptonim se ç’do të thoshte të përballesh me humbjen e njeriut që mbante orientimin dhe timonin e organizatës, e cila veç tani po hynte në luftën e drejtpërdrejtë me pushtuesit.

Vetëm pas 7 e 12 majit 1998, LKÇK-ja do ta kuptonte se çfarë goditje të rëndë kishte marrë dhe çka kishte pësuar nga kjo.

Ashtu si edhe atëherë, edhe tash, pas 25 vjetësh, përmasat e humbjes i ndjejmë kudo, por edhe pesha e rënies heroike dhe amaneti i tyre vazhdon të mbetet barrë e rëndë në ndërgjegjen e secilit nga ne dhe mbi supet tona. Bashkë me to na mbetet obligimi i madh për të ecur drejt realizimit të qëllimit dhe aspiratës së kombit shqiptar. Duke iu përmbajtur një thënieje emblematike: “Kundër mistifikimit – për të vërtetën”, ne marrim të drejtën ta themi, pa gabuar, se edhe sot, nuk mund ta cilësojmë ende të mirëqenë atë që po e shohim rreth nesh e brenda nesh, ajo çfarë është sot Kosova dhe populli ynë. E mirëqenë mund të cilësohet vetëm atëherë kur do të përmbushet plotësisht aspirata e dëshmorëve dhe heronjve të kombit. Na mbetet ta ruajmë të pashkelur betimin e tyre. Vetëm angazhimi për ta realizuar në jetë idealin e të rënëve do të mund të na nxjerrë faqebardhë para tyre dhe popullit tonë. Të mos harrojmë se Bahri Fazliu, Agron Rrahmani, Ilir Konushefci, Luan Haradinaj, heronjtë dhe dëshmorët e atdheut, kanë bërë aq shumë, sa me veprat e tyre, kanë hapur horizonte që në nënqiellin shqiptar të ndërtohet e ardhmja e lirë, e sigurtë, për atdheun e shtetin, me mundësi të pafundta për zhvillim dhe mirëqenie të popullit në trojet e veta.

Nderime dhe lavdi përjetësisht shokut e bashkëveprimtarit tim, heroit BAHRI FAZLIU!

 

 

 

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …