Smajl Latifi: Dëshmorët janë mburojë e atdheut

Fjala ime në Akademinë Përkujtimore për 25 – vjetorin e rënies së heronjve Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi – Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti, Nezir Imeri, më 6 nëntor, në Opterushë.
***
Dëshmorët janë mburojë e atdheut
Të respektuar familjarë të dëshmorëve të kombit; Xhelal Hajda, Selajdin Mullaabazi, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti e Nezir Ymeri, të nderuar familjarë të dëshmorëve, shokë, bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë, të nderuar të pranishëm, …
pavarësisht viteve që kalojnë kujtesa jonë historike nuk zbehet dot. Ishin vitet e lavdisë, vitet kur ne përballeshim egërsisht, për jetë a vdekje, me një armik gjakatar, ishin vitet kur luftëtarët e lirisë u përplasën dhëmbë për dhëmbë me pushtuesin, vite kur të qëndroje në vijat e frontit ishte gjëja e duhur dhe kur atdheu kërkonte shërbimin e bijve e bijave të veta.
Historia e kombit tonë është histori e vuajtjeve, e persekutimeve, e ndjekjeve, e ekzekutimeve sistematike, madje me tendenca asgjësimi e shkombëtarizimi. Përkundër kësaj dhune, këtij vendi asnjëherë nuk i kanë munguar bijtë e bijat që më me dëshirë do të sakrifikoheshin se sa të jetonin nën robëri. Të tillë qenë edhe dinjitarët Xhelal Hajda (Toni), Selajdin Mullaabazi (Mici) Hamdi Hajrizi, Nezir Ymeri e Bektesh Haliti, të cilët vetëdijshëm hynë në flakët e luftës çlirimtare.
Njëzet e pesë vjet më parë në një ballafaqim të egër e të pabarabartë, ndërmjet forcave të blinduara serbe dhe liridashësve shqiptarë, ranë në fushë të nderit bijtë e zgjedhur të kësaj toke; Xhelali, Selajdini, Hamdiu, Bekteshi e Neziri. Këto rënie bënë jehonë dhe na i thyen zemrat. Xhelal Hajda – Toni e Selajdin Mullabazi – Mici qenë dy komandantë, gjurmët e të cilëve janë të qarta e të dukshme edhe sot. Me vendosmërinë dhe përkushtimin atdhetar ata lanë nam nëpër fushëbeteja dhe fakti se armiqtë tanë bënë kremtime pas rënies të tyre, dëshmon për peshën e madhe që ata patën në rrjedhën e luftës në rajonin e Rahovecit dhe zonat përreth. Duhet përmendur faktin se këta dy viganë të UÇK-së i vunë bazat e organizimit ushtarak në Anadrini dhe u bënë bartës të shumë operacioneve ushtarake.
Pas sulmeve armike e betejave të ashpra në Anadrini, Toni e Mici ndërmorën hapa të vendosur për të riorganizuar brigadën 124 “Gani Paçarizi”. Vendosmëria e tyre ishte shtytje dhe motivim për luftëtarët e lirisë, kështu që brenda pak kohësh në Reti u mblodhën aq shumë luftëtarë, sa nuk kishte më vende për vendosjen e tyre dhe nuk kishte as armatime të nevojshme. Këtyre komandantëve sypatrembur u vinin pas shumë ushtarë dhe i donin pa masë, prandaj dhimbja për rënien e tyre në Opterushë, më 6 nëntor 1998, u ndje aq dhembshëm. Goditja shpirtërore qe e rëndë, ndërsa UÇK pësoi një ndër goditjet më të rënda deri në atë kohë. Megjithatë, të tjerë burra u angazhuan për konsolidimin e radhëve dhe e vazhduan luftën si hakmarrje për vrasjen e këtyre dy viganëve të UÇK-së. Mbase fitorja mbi armikun ishte hakmarrja më e mirë për këta komandantë të lavdishëm dhe shokët e tyre të rënë në fushëbeteja të tjera.
Këngët e rapsodëve, rrëfimet e pleqve netëve të ftohta të dimrit, historitë e shkruara e gojore, tregojnë se populli i kësaj ane nuk e ka shtrirë qafën para dhunuesve të lirisë, por ka rezistuar dhe në fund ka triumfuar.
Xhelal Hajda dhe Selajdin Mullaabazi kishin dëgjuar rrëfimet e të parëve për dhunën e pashembullt të pushtuesit serb, prandaj nuk dëshironin që edhe pasardhësit e tyre të rriteshin me frikën e vdekjes mbi kokë. Ata qenë ndër të parët që u rreshtuan në radhët e çlirimtarëve dhe udhëhoqën shumë djem e vajza në këtë luftë të pabarabartë, por të dinjitetshme. Xhelal Hajda u vu në mbrojtje edhe të lirisë së popullit kroat, ku luftoi me heroizëm kundër armikut të përbashkët të popujve të tjerë që u vunë nën tytat dhe bajonetat e kriminelëve serbë gjithandej rajonit të Ballkanit. Për të vazhduar në frontet e luftës në Dukagjin, Drenicë e Pashtrik, ku bashkë me Micin u bënë sinonim i qëndresës.
Ata dhe bahkëluftëtarët e tyre nga Vushtrria; Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti e Nezir Ymeri, i ranë pash më pash Atdheut, dhe nuk u ndalën deri sa hynë në përjetësi.
Luftëtarët, komandantë të luftës çlirimtare, janë heronjtë që mbajnë mbi kokë aureolën e lavdisë, duke u bërë shëmbëlltyrë për brezat. Ata vazhdojnë të na frymëzojnë edhe sot e mot. Qëndresa e tyre ishte epike karshi një force aq të madhe ushtarake, që kishin përvojë krimesh nga lufta e Kroacisë dhe e Bosnjës, si dhe me mercenarë të paguar për të kryer mizori mbi njerëzit e pambrojtur. Toni ynë i njihte taktikat e tyre nga lufta e Kroacisë dhe e dinte se vetëm përballja ballë për ballë i tmerron këta kriminelë.
Guximi dhe shpresa ecnin krah për krah drejt fitores. Pavarësisht vështirësive e rreziqeve të shumta, rruga e lirisë ishte me një drejtim për këta heronj, jo për lavdinë personale, jo për grada e përfitime personale, por se kjo ishte rruga më e drejtë që duhej ndjekur pa mëdyshje. Dëshmorët tanë janë udhëheqësit e vërtetë shpirtëror në çdo rrethanë jetësore. Ndonëse fizikisht nuk janë mes nesh, por shpirti i tyre luftarak e liridashës mbetet fanar në rrugëtimin tonë drejt zhvillimit e integrimeve euro-perëndimore. E shkuara i përket historisë, por historia nuk i përket vetëm të shkuarës. E shkuara vazhdon të ecë krahas me të ardhmen, sepse gjaku ujë nuk bëhet dhe se kjo liri që e jetojmë e ka çmimin e lartë. Fara e lirisë është mbjellë në tokën e larë me gjak dhe kjo farë do të nxjerrë filiza të rinj, duke i dhënë shpresë të ardhmes.
Gjaku i Tonit e Micit, i Hamdiut, Bekteshit e Nezirit nuk do të tretet e as nuk do të thahet dhe përmendoret e statujat e tyre sikur flasin pa nda me ne. Na japin mesazhe se si duhet të ruajmë e kultivojmë frytet e luftës e sakrificës së mijëra të rënëve për lirinë e Kosovës. Dëshmorët nderohen jo vetëm kur i kujtojmë dhe ngrisim përmendore për ta, por ata na kujtojnë se çka duhet të bëjmë, na kujtojnë se edhe ne duhet të sakrifikojmë për ardhmërinë më të mirë. Historia dhe gjeografia kombëtare do të mbajë shenjat dhe emrat e atyre që luftuan e u flijuan për çlirim e bashkim dhe se populli do të dijë të vlerësojë kush ishin ata që u bënë mburojë e Atdheut dhe që i vunë gjoksin furtunës. Pa këtë luftë çlirimtare, pa heroizmin e Tonit e Micit me shokë, pa lavdinë e tyre, pa shembullin e tyre të flijimit, liria nuk do ta kishte këtë peshë që ka dhe mësimi që na jep historia nuk do të kishte vlerën që ka.
Ata u bënë piketa orientuese për ardhmëri. Arritjet e mëdha kërkojnë flijime të mëdha dhe komandantët Toni e Mici me shokë, qenë viganë të luftës së popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës, nën emblemën e UÇK-së. Pa këtë luftë dhe pa këto rënie të mëdha ne nuk do të ishim në gjendje të dimë çfarë vlere ka liria. Ata dhanë jetën e tyre për t’i dhënë jetë e dinjitet popullit shqiptar në këto troje të lashta. Kjo është trashëgimia më e mirë që ata na e lanë, prandaj ruajtja dhe kultivimi i kësaj trashëgimie është detyrë dhe obligim i çdoditshëm. Dëshmorët e treguan me vepra dashurinë e tyre, duke dhënë jetën dhe neve na takon ta dëshmojmë dashurinë ndaj vendit me punë e përkushtime të përditshme.
Lavdi e nderim për dëshmorët e kombit; Xhelal Hajda – Toni, Selajdin Mullabazi – Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti e Nezir Ymeri dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, që ranë për kauzën e lirisë e të bashkimit!
Lavdi e nderim për jetë e mot!

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …