Smajl Latifi: FUNDI I NEGOCIATAVE NË VJENË KA BËRË GATI DOSJEN PËR KOMPROMIS NË KS TË OKB-së

Përfundoi në Vjenë procesi i negociatave Prishtinë-Beograd. Çështja tani u adresua për në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Gjatë gjithë këtij procesi u dëshmua se Kosovës po i përgatitet një status apo një ‘zgjidhje’ e cila nuk mund të quhet e drejtë dhe si e tillë nuk mund të llogaritet zgjidhje përfundimtare. Kosova po hyn në një fazë tjetër, në një cikël të ri duke e ruajtur në brendi, në substancë, problemin e pazgjidhur të popullit shqiptar që jeton në trojet e veta. Marrëveshja e Ahtisaarit është fondamenti i statusit të Kosovës, por jo edhe substanca e shtetit të pavarur dhe sovran, siç e thonë për konsum të brendshëm anëtarët e grupeve negociatore të Prishtinës që ishin dhe janë bashkëpjesëmarrës dhe bashkëpërgjegjës në proces. Sipas LKÇK-së, në Kosovë po legjitimohet një gjendje e cila vështirë se mund të krijojë mundësi për funksionim normal, një status i ‘ri’ me elemente të shumta të paqëndrueshmërisë së tij. Imponimi me fuqi i një lloj funksionaliteti, është treguesi më i mirë, se procesi është shumë i brishtë. Bashkëpërgjegjëse në këtë status-kuo të re të imponuar janë partitë politike të Kosovës, të cilat në vazhdimësi i kanë keqpërdorur jo vetëm anëtarët e vet, por më shumë se kaq, ata i kanë keqpërdorur të gjithë shqiptarët e Kosovës. Mendoj, se ato e kanë humbur të drejtën për të kërkuar përsëri besim tek populli ynë, sepse kanë shpërdoruar me të në emër të tij. Partitë politike nuk janë udhëhequr sipas interesave kombëtare. Madje, i kanë dëmtuar ato.
Anëtarësia e partive ekzistuese politike ka arsye për t`u shërbyer me dëshmi të bollshme, në mënyrë që ajo të ndërgjegjësohet politikisht dhe të hyjë në një proces të domosdoshëm të rirreshtimit politik për të mirën e popullit shqiptar të Kosovës. Po të shërbehemi me shembullin e partive ‘kryesore’ politike, atëherë do të gjejmë gabime të mëdha politike, të cilat po i kushtojnë interesave legjitime të popullit tonë. 
Dihet botërisht, se për të gjithë udhëheqësit e këtyre partive, Rezoluta 1244 ishte marrëveshje pozitive për Kosovën, edhe pse ky dokument e cilësonte Kosovën pjesë të RFJ-së, tani pas ndarjes së Malit të Zi nga Serbia, edhe pjesë të Serbisë. Për anëtarët e këtyre partive është dashur të kalojnë gati 8 vjet që të dëgjohet nga goja udhëheqësve të tyre, se jo rezoluta 1244, siç e kanë thënë gjatë kësaj periudhe, por propozim-zgjidhja e Ahtisaarit, i hap rrugë pavarësisë së Kosovës, ia heq sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, të cilin tani sipas tyre vetëm tani del se e paska të shkruar Rezoluta 1244. Ky shembull tregon haptas fajësinë e rëndë të kësaj politike, e cila u tregua hileqare dhe jo-korrekte para anëtarëve të vet, para militantëve të vet dhe mashtruese para popullit shqiptar Do të duhej të pyeteshin drejtpërdrejtë këta zotërinj, kur kishin të drejtë, gjatë periudhës 8 vjeçare kur propagandonin rezolutën 1244 si dokument pozitiv apo pas 2 shkurtit 2007, kur ky dokument nga të njëjtit, për t`i dhënë shtytje mbetjes në skenë dhe mbështetje pakos së Ahtisaarit, të cilësohet si dokument negativ? Përse pra, duhet të mbështetet sërish politika e cila sot (ngjashëm si dje rezolutës 1244) i jep notën më të lartë Pakos së Ahtisaarit dhe pas tetë apo dhjetë vjetësh, për t`i shpëtuar diskreditimit të plotë, do t`i jep notën e dobët?
Prandaj, kërkohet sa më parë që të mbështetet një politikë e cila për tetë vjet e ka thënë të vërtetën për rezolutën 1244 dhe po e thotë me zërin e arsyes edhe të vërtetën për pakon e Ahtisaarit. LKÇK-ja është simbol i politikës realiste, mbështetja dhe fuqizimi i saj është detyrë e të gjithë shqiptarëve. Në rrethanat e krijuara kërkohet një sakrificë e vogël, duhet braktisur përfundimisht shembuj të këqij si ky që janë prodhim i politikës së keqe dhe duhet ndjekur shembuj që kanë dëshmuar se politika në kushtet tona, nuk mund të jetë ndryshe përpos e bazuar në interesin e popullit shqiptar. 
LKÇK-ja ka theksuar, se politika e ndjekur nga partitë politike, ka qenë thellësisht e gabuar sepse ka nëpërkëmbur interesat dhe aspiratat legjitime të këtij populli dhe ka shkarë keq nga qëllimet e deklaruara prej tyre. Si rezultat e kësaj politike, populli shqiptar nuk e ka në duar ende të drejtën për të vendosur vetë. Se KS i OKB-së do të vendos sërish për Kosovën, kjo është e qartë. Pra, vendimi për Kosovën është në duar të këtij organi dhe jo në duar të popullit tonë. LKÇK-ja ka ngritur zërin e kundërshtimit të procesit negociator, të cilin e ka cilësuar me plot të drejtë, se do të përfundojë me kompromis. Ky zë nuk u përfill as nga negociatorët të cilët niseshin me entuziazëm dhe ktheheshin nga Vjena edhe me më shumë entuziazëm. Niseshin sigurisht me besimin se do të fitojnë dhe deklaronin fuqishëm, se pavarësia është i vetmi kompromis i pranueshëm.
Ndërkohë vetë ata lëshuan gjëra, të cilat i detyruan të njëjtit (Fatmir Sejdiu) të deklarojë vetë, sigurisht edhe në emër të delegacionit, se kemi bërë një kompromis të dhimbshëm. Vërtetë është kështu siç e ka thënë edhe vetë z. Fatmir Sejdiu, në takimin e datës 10 mars 2007 para gazetarëve në Vjenë. Mirëpo, kush pati të drejtë në këtë rast!? Të gjithë e kuptojnë se pati drejtë dhe sërish ka të drejtë LKÇK-ja, sepse politika e ndjekur nga z. Sejdiu me garniturë, është shndërruar kaherë në gjenerator të të këqijave politike. Shembull qartë i këtyre të këqijave janë lëshimet e vazhdueshme të dëshmuara nga kjo politikë. Shqiptarët tanimë, dhe posaçërisht në ditët dhe javët e ardhshme do të ‘shohin’ kompromisin e parashikuar nga ana e LKÇK-së. Tanimë u mbetet shqiptarëve të hyjnë në një proces rirreshtimi, por drejt politikës së LKÇK-së, si nevojë dhe interes për ta shtrirë, organizuar e fuqizuar idenë për zgjidhje të drejtë të çështjes kombëtare shqiptare. 
Deri më sot LKÇK-ja ka ndjekur dhe zbatuar kursin e politikës realiste, i ka dhënë emrin e vërtetë të gjitha ngjarjeve që kanë peshë, ka dërguar porosinë e qartë brenda dhe jashtë. LKÇK-ja ka sakrifikuar për të vërtetën e thënë dhe ka identifikuar qartë politikën e saj nga politika e ‘pavarësisë’ së Kosovës e ndjekur nga partitë politike. Ka qenë e vështirë të jesh anëtarë i LKÇK-së dikur para luftës, ka qenë shumë e vështirë të jesh nga viti 1999 e deri më sot. Dhe, kjo periudhë ka qenë gur prove për të vërtetuar drejtësinë dhe qartësinë e vijës politike të LKÇK-së.
Shumë më lehtë është që të bëhesh anëtar i saj sot, sepse politika dhe idetë e programit të bashkimit kombëtar po zënë vend në mendjen e shqiptarëve, se angazhimi dhe përpjekja jonë është në përputhshmëri me ecjen përpara për një të ardhme të lirë, të qetë dhe në paqe për shqiptarët, për popujt tjerë dhe mirëqenien e përgjithshme. Ne themi, se procesi ekzistues politik po e fut Kosovën në një gjendje brishtësia e të cilës ia jep vetitë e një faze gjithsesi kalimtare. Ky konstatim na jep të drejtë të vazhdojmë përpjekjen e organizuar dhe këmbëngulëse për të zhvilluar dhe shtrirë politikën e bashkimit kombëtar. 
Në çoftë se ky shtatëmbëdhjetë vjeçar u ka shërbyer politikanëve që ende dominojnë në skenë për të luajtur me opsionin e pavarësisë së Kosovës, e cila nuk mund të bëhet në asnjë mënyrë ashtu siç iu premtua dhe po i prezantohet shqiptarëve, në vijim, mbetet detyrë e vetme që të jemi të gjithë në shërbim të politikës së zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare , politikës që rrit dhe shtrinë shtatin e bashkimit kombëtar. Për të mos humbur kohë, shikimi ynë për të ardhmen sfidon të gjithë ata, që besojnë se me realizimin e marrëveshjes së Ahtisaarit kanë investuar në funksionalitet, në qëndrueshmërinë e gjendjes që po imponohet. Fuqizimi i mëtejmë i politikës që do të investonte në realizimin e kësaj marrëveshjeje të padrejtë, do të thotë investim në ruajtjen e krizës. Ftesa për ta braktisur politikën e sotme, është kërkesë parimore dhe ofertë e qartë si dhe baza për të ndërtuar të ardhmen e sigurt.
Politika e cila e solli çështjen e pazgjidhur në stadin e tanishëm, e ka humbur mundësinë për të dëshmuar para popullit shqiptar, se mund të bëjë diçka të mirë në të ardhmen. Ajo ka pranuar tashmë ‘zgjidhjen’ dhe nuk ka përse angazhohet për të sjellë një tjetër zgjidhje. Për këtë politikë këtu mbaron puna. Ndërkaq, për politikën kombëtare këtu fillon një moment i ri, ai i fuqizimit të domosdoshëm të saj. Fundi i politikës së sotme pati rezultat kompromisin në çështjen kryesore. Fillimi i fuqizimit të politikës kombëtare do të ketë rezultat gjithsesi zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan.
Prishtinë
Smajl LATIFI
Më 14 mars 2007

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …