Smajl Latifi: Gëzuar Ditën e Çlirimit, Kosovë!

Gëzuar Ditën e Çlirimit, Kosovë!
Më 12 Qershor është Dita e Çlirimit, ku ne kujtojmë dhe nderojmë sakrificat dhe vetëmohimin e heronjve dhe të dëshmorëve të kombit që ranë në luftën për çlirim nga pushtuesi i egër serb.
Pas shumë betejave të ashpra me pushtuesit, duke përballuar e mbajtur mbi supe një mal me dhimbje dhe plot lavdi, fitoi lufta jonë e drejtë e udhëhequr nga UÇK-ja, e cila mundësoi depërtimin e forcave tokësore të NATO-s në Kosovë, 24 vjet më parë, që ndryshoi përgjithmonë historinë tonë, pas dekadash e shekujsh robëri mbi popullin shqiptar nga sundimtarë që kërkuan dhe nuk lanë mjet pa përdorur për shfarosjen e një kombi.
Lufta jonë çlirimtare mori përmasa kombëtare dhe s’kishte si të ishte ndryshe, sepse shqiptarët ndiejnë të njëjtën dashuri për atdheun, pavarësisht se ku jetojnë. Bijat dhe bijtë e këtij vendi u rreshtuan në radhët e UÇK-së dhe në forma të ndryshme kontribuuan për të mirën e përgjithshme.
Dashuria e madhe për vendin bëri që në kushte tepër të rrezikshme vajzat dhe djemtë tanë të organizoheshin fshehurazi armikut e bashkëpunëtorëve të tij dhe të ndiznin pishtarin e shpresës për popullin tonë. Këtë pishtar e morën në duar njerëzit më të zgjedhur të këtij kombi, duke e kthyer shpresën e vrarë në besim për fitore.
Nderim dhe mirënjohje të përjetshme për të gjithë ata që qëndruan, vepruan dhe sakrifikuan deri në frymën e fundit në mbrojtje kundër regjimeve pushtuese serbe, kundër aparatit millosheviqian, që nga vitet e hershme të ilegales e deri te rënia e ushtarit të fundit të UÇK-së, fituan më 12 qershor të 1999-ës.
Historia na mëson se liria asnjëherë nuk falet, por fitohet me rezistencë e luftë. Asgjë nuk është më e shtrenjtë se liria, as jeta, prandaj sot përulemi para atyre që patën fatin të bien për idealin dhe qëllimin e lartë të lirisë.
Mirënjohje NATO-s, aleatit tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për tërë kontributin politik dhe ushtarak për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës nga Serbia!
Lavdi përjetë heronjve dhe dëshmorëve – gjakut tonë të derdhur për liri, ndër breza!
All reactions:

Gzim Krasniqi dhe 80 të tjerë

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …