Indinjata jonë për arrestimet e krerëve të OVL të UÇK-së është e thellë Ndërhyrja brutale dhe pa pikë respekti ndaj njerëzve që lanë gjymtyrët dhe shëndetin në mbrojtje të dinjitetit njerëzor e kombëtar, është johumane. Nuk ndodh shpesh të shohim reagim kaq agresiv kundër njerëzve, të cilët fare lehtë kishin mundur të ftohen në mënyrë të kulturuar nga organet e rendit. Fyerja që po ju bëhet çlirimtarëve është e pashembullt në historinë e civilizimit Perëndimor.
Në fund të fundit, krerët e OVL të UÇK-së janë të obliguar të mbrojnë, ruajnë dhe kultivojnë vlerat e luftës tonë çlirimtare, luftë që kishte karakter kombëtar nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përndjekja e luftëtarëve të lirisë është mesazh i gabuar, negativ dhe dekurajues për popujt që aspirojnë lirinë. Në këtë mënyrë sikur po tentohet të amnistohen krimet shekullore serbe mbi popullin e pambrojtur shqiptar, mbulimin etnocidit, kulturocidit dhe gjenocidit serb kundër kombit shqiptar.
Natyrisht se edhe ne e kemi pjesën tonë të përgjegjësisë, pasi që nuk kemi arritur të përmbushim pritjet e popullit tonë dhe nuk kemi mundur të ndërtojmë struktura stabile shtetërore që do të trajtonin krimet serbe në Kosovë. Pamundësia për të mbrojtur me efikasitet vlerat tona i ka lënë terren të përshtatshëm qarqeve serbe e ruse për të minuar lirinë tonë dhe për të demonizuar luftën çlirimtare të shqiptarëve. Në këtë kurth ranë edhe nivele të larta të politikës evropiane e asaj botërore, ndërsa pasojat e kësaj “lufte frontale” kundër UÇK-së do të ndjehen shumë gjatë.
Ftoj autoritetet tona shtetërore që, pa humbur kohë të formojnë dhe funksionalizojnë zyrën për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve serbe mbi shqiptarët. Vetëm në këtë mënyrë mund të përmirësohet imazhi ynë i dëmtuar rëndë, si pasojë e mosreagimit efikas shtetëror.