Smajl Latifi: Lirinë nuk na e dhuruan – ka aromën e gjakut tonë

Fjala e kryetrit të komunës sëRahovecit Smajl Latifi në seancën solemne të Kuvendit Komunal, për nderë të Ditës së Çlirimit të komunës së Rahovecit.

Lirinë nuk na e dhuruan – ka aromën e gjakut tonë

Të respektuar familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës çlirimtare, përfaqësues të pushtetit lokal, të nderuar të pranishëm, miq e shokë bashkëpunëtorë, pranoni urimet e mia për Ditën e Çlirimit të Rahovecit me rrethinë! Të parët tanë, sa herë që nisnin ndërtimin e një kulle apo shtëpie, në themele vinin gjakun e një kafshe, që simbolizonte flijimin për mbarësi e përparim në atë shtëpi. Ata e dinin se themelet e ngrehinës do të jenë më të forta nëse vihen mbi gjakun e derdhur. Kjo simbolikë e ka përcjellë popullin tonë në vazhdimësi, sepse gjithçka që ndërtohet me gjak të kulluar do të ketë të ardhme më të qëndrueshme. Kështu ndodhi në historinë tonë më të re, kur në themelet e lirisë u derdh gjaku i shumë djemve e vajzave, i grave e i burrave, madje aty vunë shenjën e tyre edhe fëmijët e pleqtë. Si për ta dëshmuar këtë, tashmë shohim se vendi ynë stoliset përditë me objekte infrastrukturore, me ngrehina të larta e të bukura, me shkolla e çerdhe fëmijësh, me gjithfarë projektesh që po e përmirësojnë çdo ditë jetën e qytetarëve tanë. Të nderuar nëna e baballarë të dëshmorëve, të nderuar të pranishëm, këto arritje u bënë të mundura vetëm mbi bazën e sakrificave tona të mëdha njerëzore. Populli ynë ka derdhur shumë gjak dhe ka përjetuar përndjekje e persekutime të patreguara. Ka përjetuar dhunë e represion të tmerrshëm, por zëri ynë nuk është dëgjuar. Nëpër kancelaritë e Evropës janë marrë vendime që e kanë larë me gjak tokën tonë. Të vrarë e të persekutuar me dekada, por shpresën për liri nuk na e kanë vrarë asnjëherë. Siç do të thoshte poeti ynë i madh Din Mehmeti: “për gjuhë, për tokë, për varre, ne kurrë s’jemi ngopur me vdekje”. Gjithmonë pati burra që kanë menduar, punuar dhe luftuar me vetëmohim për të arritur në këtë ditë. Mobilizimi i forcave të shëndosha me synime të pastra çlirimtare, bëri që në radhët e çlirimtarëve të renditen ata e ato që e deshën lirinë më shumë se jetën. Në fushë të nderit ranë shumë dëshmorë dhe u vranë e u masakruan shumë gra, fëmijë e njerëz të pambrojtur, por ne fituam. Fituam edhe për faktin se regjimeve autoritare e gjakatare u kishte ardhur fundi në zemër të Evropës. Në një frymë të re globale dhe me një rirregullim të ri të balancave botërore, shqiptarët u ndodhën në anën e duhur të historisë dhe triumfuan. Lëvizja e diplomacisë botërore dhe vënia në funksion e fuqisë ushtarake, sikur vuri në vend një padrejtësi të madhe historike që u ishte bërë shqiptarëve. Forcat e kombinuara serbe u larguan të mundura dhe me turp nga Rahoveci më 14 qershor 1999, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës marshoi triumfalisht nëpër rrugët e këtij qyteti të shkatërruar e të djegur. Serbët ikën, por pas lanë varre e shkatërrime të shumta. Shumë njerëz ende janë të zhdukur pa gjurmë dhe ne nuk do të pushojmë anjëherë së kërkuari sqarime për fatin e tyre. Ukshin Hoti dhe të tjerët, që u rrëmbyen me dhunë, peshojnë mbi supet tona si gur i rëndë e kjo ndërlidhet me rrugëtimin tonë kolektiv, sepse asnjëherë nuk do të jemi të qetë pa mësuar për fatin e tyre. Të nderuar të pranishëm, kaluan 24 vjet nga dita kur djemtë dhe vajzat e UÇK-së hynë triumfalisht në Rahovec së bashku me trupat aleate të NATO-s. Ishte dita e shumëpritur, sepse çdo pëllëmbë e kësaj toke ishte larë me gjak martirësh e dëshmorësh. Nëpër qelitë e burgjeve serbe ishin dergjur mijëra e mijëra atdhetarë, të cilët guxuan dhe e sfiduan pushtuesin, duke shpresuar në arritjen e lirisë, edhe pse në horizont kishte shumë pak dritë. Kjo vendosmëri dhe ky përkushtim sollën rezultate. Ishte edhe një dëshmi se rruga e lirisë asnjëherë nuk ka qenë e shtruar me lule dafine, por me gjak e sakrifica të mëdha. Lufta e popullit shqiptar për çlirim e bashkim u bë shembull për popujt e robëruar. Shpejtësia me të cilën njerëzit u kthyen në trojet e tyre të djegura e të shkatërruara, shpejtësia e rindërtimit të jetës dhe rifillimi i rilindjes tonë mbi rrënoja, dëshmuan lidhjen e fuqishme që shqiptarët kishin me tokën dhe varret e të parëve. Qëndresa e popullit të kësaj ane ishte dëshmi e dëshirës së madhe për të jetuar të lirë. UÇK-ja gjeti mbështetje materiale, logjistike e morale dhe kjo na jepte forcë e shpresë në fitore. Djemtë e vajzat, burrat dhe gratë e Anadrinit i bënë ballë dhunës e represionit serb duke qëndruar të paepur nëpër istikame e fushëbeteja, ndërsa rëniet në fushë të nderit u bënë krenaria jonë kombëtare. Ishim të bindur se, asnjë popull nuk e ka arritur lirinë i mbështetur në mëshirën e të tjerëve, dhe shumë pak popuj e kanë arritur atë bazuar vetëm mbi forcën ushtarake e ekonomike të brendshme. Aleancat përherë kanë qenë vendimtare në suksesin apo dështimin e një nisme kaq të madhe, siç ishte lufta për çlirim e popullit shqiptar. Ne u rreshtuam në krahun e duhur të historisë dhe fituam. Ndonëse synimi ynë nuk është përmbushur plotësisht, përpjekjet nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë deri në arritjen e aspiratave tona kombëtare. Tashmë lufta jonë është e një natyre tjetër, sepse na duhet shumë punë e angazhim, dije e përkushtim sistematik për të përforcuar themelet e shtetit tonë. Në këtë mënyrë do të vdesin përfundimisht synimet ekspansioniste serbe dhe do t’i detyrojnë armiqtë tanë që të na pranojnë si të barabartë. Çmimi i lirisë ka qenë tepër i lartë, prandaj nuk do të donim që ky çmim të rritet në të ardhmen. Mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë të punojmë me zell, përkushtim e durim, sepse këtë e kemi amanet nga të parët dhe nga ata që ranë nëpër fushëbeteja. Lumturia dhe begatia e brezave që vijnë është obligimi ynë i përhershëm, prandaj këtë e kemi edhe zotim solemn në një përvjetor si ky i çlirimit të vendit tonë. Urojmë që në të ardhmen të prezantojmë më shumë suksese e arritje, ngase rrugë tjetër nuk ka për të përmbushur amanetin e të rënëve për liri. Edhe një herë ju uroj ditën e çlirimit, me besim të patundur se e ardhmja do të jetë më e begatë dhe e mbështetur në punën e djersën tonë.

Gëzuar!

Kontrolloni gjithashtu

Grupi Parlamentar i PDK-së refuzon pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Osmani

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, refuzon edhe këtë vit pjesëmarrjen në seancën e …