Në kuadër të nderimeve dhe tubimeve përkujtimore për shënimin e 26-vjetorit të masakrave të vitit 1999, të bëra nga forcat serbe në fshatrat, Fortesë, Celinë, Krushë e Madhe, Nagac, Hoçë e Vogël, Brestoc, Retijë, Opterushë dhe Pastasel, sot kryetari i komunës z. Smajl Latifi ka marrë pjesë në nderimet në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Brestoc, ku u përkujtuan 49 martirët e vrarë nga pushtuesi serb, ku 6 persona ende janë të pagjetur si dhe 5 dëshmorët e UÇK-së.
Latifi në postimin e tij në facebook ka shkruar:
Së bashku me kryetarin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj dhe me bashkëpunëtorë nderuam 49 martirët e fshatit Brestoc, të vrarë në vitin 1999 nga pushtuesi serb, 5 dëshmorët, ku edhe 6 ende janë të pagjetur.
Lufta jonë për liri nuk ka pushuar asnjëherë, sepse pushtuesit e kanë zëvendësuar njëri-tjetrin dhe secili ka qenë më i egër se tjetri.
Këtë egërsi e pagoi shtrenjtë edhe Brestoci, fshat që ka numër të madh të të martirizuarve, por nga ky fshat kanë dalë edhe shumë luftëtarë e veprimtarë, të cilët e kanë nderuar emrin e tyre dhe të vendlindjes. Po ashtu, në fushë të nderit kanë rënë 5 dëshmorë, lavdia e të cilëve qëndron si fllad pranveror mbi këtë vend.
Lavdi 5 dëshmorëve, 49 martirëve të Brestocit, në mesin e të cilëve edhe 6 personave të pagjetur!