Smajl Latifi: MAJA E SHKODRANIT – KURORË NDERI E LAVDIE PËRJETËSISHT ***

” …Ato maja rripa-rripa se ç’gjëmojnë,
Krisi pushka për liri e u derdh gjak,
Janë trimat shqipëtarë që luftojnë,
Janë bijtë e Shqipërisë që marrin hak”…
•••
Përshëndetje familjarëve të dëshmorëve, veteranëve, invalidëve, bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve, z. Ahmet Isufi dhe Gjeneral Lahi Brahimajt si dhe të pranishmëve që erdhën në këtë 25 vjetor, në vendin ku qëndrojmë gatitu para Kompleksit Përkujtimor, i cili iu kushtohet dëshmorëve të kombit. Janë Arian Brahimi-‘SHKODRANI’, luftëtar i shquar nga Shkodra, Mizahir Isma, veprimtar dhe luftëtar i madh atdhetar nga Rahoveci, Bekim Isma, luftëtar i guximshëm nga Rahoveci dhe Esherefedin Kastratit, luftëtar i orëve të para nga Drenoci.
Rikujtojmë, se jemi në këtë vend të bukur me vlera të mëdha përkujtimore ku shpaloset një faqe e ndritur historie e trashëgimisë sonë të begatshme të guximit luftarak që bënë bijtë liridashës. Shkëmbi mbi Rahovec, që nga data 17 deri më dt. 21 korrik 1998 u kthye në një kala me bedena që mbrohej me forcën dhe zemrën e luftëtarëve trima të UÇK-së.
Më 21 korrik 1998, pas një rezistence të gjatë dhe heroike të bijve që luftonin me zemër luani, bien burrërisht Shkodrani, Mizahiri, Esherefedini dhe Bekimi. Në këtë ‘Majë Shkëmbi’, ata nuk lëvizën nga ‘pika’, derisa u dogjēn trupat e bashkëluftëtarëve nga diversantët serb, të cilët nuk arritën ndryshe veçse me djallëzi i sulmuan nga afër me bomba këto pozicione.
Nga ky shkëmb me trimëri mbrohej Rahoveci , mbroheshin luftëtarët që ishin në qytet e rreth tij. Është vepra e luanëve të UÇK-së, ajo që bëri këtë natyrë pitoreske dhe turistike, të identifikohet përjetësisht në mendjet dhe zemrat tona si një histori nderi, trimërie, shkëmb amaneti dhe monument e qendër përkujtimi për brezat e sotëm dhe për brezat që vijnë.
Vepra e këtyre bijve trima, madhështinë dhe forcën e këtij “KËRSHI’ e kthyen në simbol të krenarisë, ku bashkëjetojnë: KALAJA MADHËSHTORE me gurë, amfiteatri i bukur me gurë, platoja me rrasa guri, pllakat prej mermeri me fotografitë e dëshmorëve, shtylla e fortë metalike- ‘SHTIZA’, ku valon i lirë flamuri ynë kuq e z, simboli i UÇK-së.
Janë edhe shtigjet e ecjes, rruga e asfaltuar, terreni sportiv, lojrat për fëmijë si dhe të mira të tjera që e bëjnë sa të bukur, po aq edhe madhëshor këtë kompleks përkujtimor historik.
Të nderuar pjesëmarrës
Kësaj natyre mahnitëse, nga 21 korriku 1998, sot dhe përgjithmonë, kësaj bukurie iu shtua vlera e madhe historike – një faqe e ndritur e historisë më të re e pagëzuar :”Maja e Shkodranit”. Pikërisht kjo hstori heronjësh e bën edhe më tërheqëse për vizitorët si dhe për aktivitete të ndryshme përkujtimore, kulturore, artistike, sportive, etj.
Prandaj,
– Ejani te ” MAJA e SHKODRANIT” dhe jo vetëm atëherë kur ka përvjetorë!
– Ta mirëmbajmë dhe ta ruajmë së bashku këtë vend të bekuar, të ujitur me gjak lirie!
Sigurisht, komuna dhe gjithë ne kemi detyrim të kemi më shumë kujdes ndaj këtij kompleksi përkujtimor si dhe ndaj të gjitha vlerave tona kombëtare e historike, gjithandej në komunën tonë.
Nderim dhe lavdi për dëshmorët që ranë në këtë shkëmb në mbrojtje të Rahovecit e po nga ky shkëmb u bënë vet gurët e kalasë së lirisë!
Nderimi dhe lavdia ju takon atyre që e shkruan me gjak Epopenë e qëndresës së pathyeshme në ‘Majën e Shkodranit’!
Nderim dhe lavdi e përhershme për heronjtë dhe dëshmorët, që shkruan me gjakun dhe jetën e tyre Epopenë e UÇK-së në Rahovec e rrethinë, nē ato ditë të nxehta të korrikut ‘98!
Ta mbajmë kokën lartë për trimat e pavdekësuar nē “Majën e Shkodranit”!
LAVDI!

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …