Mohimi i datave të shënuara të popullit shqiptar nga ana e Qeverisë së Kosovës janë tendencë për t’u zhvendosur Kosova nga tabani kombëtar. Nuk ka edhe një vend tjetër (ndodhë vetëm me ne në Kosovë), ku institucionet e tij të ndjehen krenarë, pikërisht në momentin kur i braktisin hapur vlerat kombëtare dhe historike të popullit të vet.
U hoqën nga kalendari: 28 nëntori- dita e flamurit kombëtar, festa më e madhe e kombit shqiptar; 5, 6, 7 marsi – Epopeja e UÇK-së; 7 marsi- Dita e shkollës së parë shqipe ose siç e quajmë, Dita e Mësuesit; 5 maji-Dita e dëshmorëve të kombit; 10 qershori -Dita e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, etj. Çka mbeti në kalendarin e festave: festa fetare, ndërkombëtare dhe asgjë nga festat kombëtare shqiptare. Veprimet e një qeverie që heq dorë nga kujtesa e vet kombëtare, nga festat e veta, që gërshetojnë gjërat më të shenjta të kombit të saj, absolutisht e shëndrrojnë atë në një qeveri antikombëtare. Andaj edhe veprimet e përmendura janë disa nga dëshmitë e largimit të Qeverisë së Kosovës nga përkatësia kombëtare. E tërë kjo në emër të zotimit për të përmbushur Paketën e Ahtisaarit, e cila Kosovën e trajton si vend multietnik, multikulturor, multifetar, multi…
Çdo përpjekje për të tjetërsuar emrin dhe qenien tonë kombëtare bëhet nën presionin e qarqeve politike antishqiptare, çoftë në mënyrë direkte apo indirekte. Këto përpjekje bëhen për të futur huti dhe çoroditje në mesin tonë. Meqë tashmë shqiptarët janë një faktor serioz në Ballkan dhe me tendenca të ecjes në rrugën e progresit të gjithanshëm, me tendenca të bashkimit në tërësinë e tij, për ta parandaluar këtë rritje të fuqisë ndikuese dhe vitalitetin e tij, ka qarqe që iu intereson që, të bëhet presion ndaj tyre, të hapen dilema absurde, sa të kontestohet identiteti shqiptar i këtyre trojeve, të krijohen ndasi brenda nesh, të kultivohet përçarja dhe të zhvillohet një lloj nacionalizmi kosovar, për të ushqyer në këtë mënyrë, kinse dallimet Kosovë-Shqipëri dhe për të fuqizuar konceptin që thellon ndarjet dhe pengon bashkimin kombëtar. Pakoja e Ahtisarit forcon këtë dilemë, nis këtë debat, thellon këtë përçarje, nxit këtë aventurë. Prandaj, është e nevojshme rezistenca e përbashkët ndaj zbatimit të saj, sepse kjo krijon mundësi për një politikë që mbështetet në interesat kombëtare dhe që është kreative. Çdo përpjekje për të ndërprerë vazhdimësinë historike dhe etnike të këtyre trevave, nuk i përgjigjet realitetit historik dhe aktual. Qeveritarët aktual, shtetin e Kosovës duket se e kanë kuptuar dhe po e përdorin si mjet për ta de-shqiptarizuar Kosovën, apo më saktë pjesën e kombit shqiptar të ndarë padrejtësisht nga Shqipëria. Sot kur në Kosovë mbi 90% të qytetarëve janë shqiptarë, e që mbijetuan pas kaq dekadash të robërisë dhe pushtimit të egër, pas kaq luftërash e mundimesh të pashembullta, pikërisht pas ndarjes së kësaj pjese nga Serbia, gjëra të tilla janë poshtërim dhe fyerje e madhe dhe absolutisht veprime të pamatura, të dëmshme, të pajustifikueshmë dhe me prirje antikombëtare.
Nuk ishte e lehtë rruga për të ardhur deri këtu ku jemi sot. Dhe sigurisht që jemi në një pozitë më të mirë se sa që ishim dje. Të gjithë duhet ta dinë, se kjo rrugë e gjatë dhe e mundimshme u përshkua duke e ruajtur të fortë tabanin kombëtar dhe qenien shqiptare të kësaj treve të martirizuar të Shqipërisë. Ndërsa, sot, dalin “përfaqësuesit” e saj “befasisht”, qetë-qetë për të legjitimuar akte e ligje që mohojnë vazhdimësinë historike të shqiptarëve në këto hapësira. Nuk iu dhemb atyre se pozitat që mbrojnë ata me të tilla veprime ua sigurojnë privilegjin e të qenit në pushtet. Ata nuk e ndiejnë peshën e dhimbjeve të popullit, peshën e kushtrimit të brezave, erën e gjakut të derdhur, lulëkuqeve të Kosovës që u bënë flamur për kombin dhe atdheun. Ata kështu nuk përfaqësojnë interesat dhe vlerat sublime të tij. Prandaj, nën presionin e të tjerëve, ose pa të, janë hedhur në sulm për ta tjetërsuar identitetin e kombit të vet.
Është e kuptueshme të presin qytetarët e Kosovës nga qeveria e tyre, nga të zgjedhurit e tyre, gjëra që mund të krenohen, sepse në sajë të këtyre premtimeve dhe zotimeve, që iu kanë dhënë gjatë tërë kohës, ata janë në krye të tyre. Por, është e tmerrshme të dëgjojnë e të shohin se si ata, nëpërkëmbin krenarinë kombëtare duke luajtur me data e festa, të cilat shqiptarët i kanë kremtuar gjithmonë e do t’i kremtojnë, sepse festat e shqiptarëve janë vet shqiptarët!
Sipas Qeverisë së Kosovës, nuk kanë asnjë peshë ngjarjet më të mëdha në historinë tonë kombëtare. Ata po veprojnë me moton: sa më shumë që të largohemi nga përkatësia shqiptare dhe vlerat kombëtare, do të jemi shtet i më i qëndrueshëm, më funksional dhe më afër vlerave evropiane – do të kemi identitet, do të kemi zhvillim, do të kemi përparim, etj. Në këmbim të këtyre qëndrimeve të dëmshme, kanë zgjedhur për ta fuqizuar konceptin e tjetërsimit nga emri dhe qenia jonë shqiptare, pra duke i shërbyer shkombëtarizimit. Qeveria me ligje të tilla po i ngrit vetes përmendoren e turpit para historisë, ajo synon ta vrasë kujtesën e popullit tonë, për t’i hapur udhë ecjes drejt identitetit të ri “kosovar”. Ndryshe, zërat për përmbysje të vlerave të cilët na ka rënë t’i dëgjojmë, nuk do të ishin artikuluar zëshëm nga përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, nuk do të bëheshin tashmë zëra institucionalë.
Shqiptarët kanë shumë arsye të reagojnë, sepse askush nuk ka të drejtë të luajë me ndjenjat e tyre. Ata që luajnë me të kaluarën e një populli, nuk janë të denjë për të udhëhequr me të.
Kontrolloni gjithashtu
Kosova dhe SHBA forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes
Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën nismën për lidhjen e një Marrëveshjeje Kornizë për …