Në kujtim dhe në nderim të sakrificës sublime për lirinë e atdheut, sot, me familjarë, bashkëpunëtorë e miq, përkujtuam dëshmorët që ranë në Betejën e Mileskës. Në fundin e majit të viteve 1998-1999, ranë për të mos vdekur kurrë luftëtarë të zotë, themeluesit e celulave të para të UÇK-së, bashkëluftëtarët që mobilizuan, zhvilluan, fuqizuan dhe bënë shumë për suksesin dhe i dhanë shtysën vendimtare fitores së luftës sonë çlirimtare. Më 28 maj 1999, ranë: komandant Mensur Zyberaj – 500-shi, njëri ndër themeluesit e UÇK-së, luftëtarët shembullorë që nderuan armët e tyre për liri dhe tokën shqiptare që kërkonte liri, si Habib Gashi nga Nagaci, i cili, duke e lartësuar emrin dhe veprën e Nesimi Elshanit, vulosi me pushkë në dorë dhe me gjakun e tij idealet e lirisë; ra Ismail Gashi nga Krusha e Madhe, biri i familjes bujare dhe atdhetare Gashi; Bedri Berisha nga Volljaka e Klinës, që erdhi e luftoi nën flamurin e Brigadës 124, e çoi porosinë, se liria fitohet duke luftuar në çdo cep të atdheut, e jo duke mbetur brenda pragut të kasolles, Nazmi Hasani e Kurtish Hasani nga Qëndresa (Randobrava) e Prizrenit, që me rënien e tyre, dëshmuan se vetëm qëndrestarët bëjnë histori dhe janë vetë historia. Në këtë pllakë mermeri janë edhe emrat e luftëtarëve, të dëshmorëve të lirisë, Agron Bytyçit, Manush Berishës, Rifat Dinës nga Celina dhe Hajrush Berishës nga Brestoci. Krusha e Madhe, Nagaci, Celina, Drenoci, Rahoveci, çdo vendbanim i kësaj zone dhe e tërë Anadrinia, janë shenjat e identitetit tonë që përmbysën përfundimisht epokën e territ të robërisë. Ata ranë ndër breza për idealin e lirisë dhe të bashkimit të trojeve shqiptare. Lavdi dëshmorëve të majit 1998 dhe atyre që ranë në maj 1999! Lavdi dëshmorëve që ranë në Betejën e Mileskës!