Bashkë me familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë nga Malësia e Vogël dhe Vrajaka, nderuam në përvjetorin e rënies dëshmorët e kombit, Skender Kastrati dhe Sabri Morina, të cilët ranë për të mos vdekur kurrë, më 26 gusht 1998.
Kontributi i Skender Kastratit si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në luftën çlirimtare ishte përqendruar, veç tjerash, edhe në ruajtjen dhe përcjelljen e luftëtarëve të lirisë që vinin e shkonin për armatime dhe municione për luftën e UÇK-së. Malësia e Vogël, Anadrini e më gjerë, janë krenarë me sakrificën, trimërinë dhe rrugën e lirisë të cilën e ka trasuar Skender Kastrati, emrin e të cilit sot e mban me krenari shkolla, e mbajnë rrugët dhe e gjithë kujtesa jonë kolektive.
Sot, kujtuam edhe një sakrificë dhe flijim për atdheun që bëri Sabri Morina nga Vrajaka, i cili në një moshë shumë të re, mori rrugën e gurbetit, si shumë bashkëkombës dhe u kthye për të dhënë gjithçka nga vrulli i tij rinor, atëherë kur atdheu kishte më së shumti nevojë.
Sabri Morina ra heroikisht duke u futur në zonën e luftës në Goden të Hasit, më 26 gusht 1998, në një pusi të ngritur nga armiqtë, së bashku me Astrit Rrushin dhe Naim Qemajn nga zona e Krumës. Ai me shokët e armëve dhe të idealit lanë pas vetes veprën e pavdekshme ndër breza.
Lavdi dëshmorëve të atdheut!
Lavdi Skender Kastratit dhe Sabri Morinës!