Vorbullat e kohës, fatkeqësitë, luftërat dhe shkaqe të tjera objektive e subjektive, kanë pasur ndikim të madh në formësimin e historisë, kulturës, traditës dhe ardhmërisë së popujve. Krejt këto maten me angazhimin e individëve të caktuar në udhëkryqet e historisë, duke i dhënë formë e drejtim grupit të caktuar shoqëror. Popujt që i kanë mbijetuar furtunat e rrebeshet e kohëve kanë pasur njerëz e grupe njerëzish që e kanë formësuar të ardhmen. Shqiptarëve nuk u ka buzëqeshur fati përherë. Ia kanë dalë vetëm duke u përpjekur shumë dhe duke luftuar me të gjitha mjetet në dispozicion. Shkrimtari e atdhetari ynë i shquar Sulejman Krasniqi, luftën e tij për kombin e bëri me penë e me sakrifica konkrete, privime e burgime. Të nderuar familjarë të shkrimtarit e atdhetarit tonë të shquar Sulejman Krasniqi, profesorë, nxënës e dashamirës të artit letrar, veprimtarë të çështjes kombëtare, të nderuar miq e bashkëpunëtorë, të nderuar të pranishëm, ditët si kjo e sotmja janë momente reflektimi e respekti për paraardhësit tanë. Kujdesi për trashëgiminë tonë historike është obligim moral e atdhetar, ndërsa figura e Sulejman Krasniqit përbën një figurë të rëndësishme të historisë tonë kombëtare. Sot, kremtojmë ditëlindjen e tij të tetëdhjetë e gjashtë dhe themi se jemi me fat që i takojmë kësaj krahine ku lindi, u rrit e u burrërua ky vigan i kulturës e historisë tonë kombëtare. Në këtë mënyrë bëjmë një rikthim në ato kohë kur nuk ishte aspak e lehtë të ishe shqiptar. Procesi i kolonizimit, dëbimit e asimilimit nuk ishte ndërprerë as pas Luftës së Dytë Botërore. Qarqet nacionaliste serbe e shfrytëzonin vëllazërim – bashkimin për arritjen e këtyre qëllimeve, duke u dhënë të drejta e mbështetje grupeve të vogla etnike me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike në Kosovë. Ishte Sulejman Krasniqi dhe veprimtarë të tjerë të asaj kohe të errët, që e kishin kuptuar dhe e luftonin këtë qasje të rrezikshme për shqiptarët. Ky vizion i shkaktoi atij krajata të mëdha. Burgu dhe torturat nuk e topitën vullnetin e tij për të luftuar të keqen. Largimi i tij në tokën e lirë shqiptare kishte si synim vazhdimin e luftës për çlirimin e trojeve të okupuara nga sllavët dhe ai i shërbeu këtij qëllimi deri në çastet e fundit të jetës. Pena e tij e hollë përjetësoi lavdinë dhe heroizmin e Bajram Currit, Mic Sokolit, Oso Kukës, Azem e Shotë Galicës dhe të shumë luftëtarëve e burrave të shquar të atdheut. Historiografia jonë do të mbetej e mangët pa kontributin e madh të Sulejman Krasniqit. Veprat e tij historike u bënë frymëzim për shumë atdhetarë, të cilët i mbajtën si flamur betejash librat e tij historik. Kontributi i tij letrar do të jetë frymëzim për brezat që e vazhduan luftën për çlirim e bashkim. Lufta e kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës ishte ndër aktet më madhore të kombit tonë, dhe veprimtaria e Sulejman Krasniqit nuk mund të shihet e ndarë nga kjo luftë. Ai u kthye në vendlindjen e tij vetëm pas luftës së lavdishme të UÇK-së dhe e kuptoi se, gjatë gjithë kohës sa kishte munguar fizikisht, kishte qenë i pranishëm. Mungesë e pranishme, do të thoshim në këtë rast. Biri i Hoçës së Vogël, që nga dita kur lindi më 7 dhjetor 1937 dhe deri ditën kur u nda fizikisht nga ne, më 16 korrik 2011 në Tiranë, qëndroi vertikalisht dhe i pathyeshëm. Prandaj, emërtimi i Bibliotekës Komunale në Rahovec me emrin e tij dhe themelimi i çmimit letrar “Sulejman Krasniqi” janë kontribute të vogla në raport me punën e madhe që ky kolos i letrave shqipe ka bërë për të mirën e përgjithshme. Edhe përkundër kësaj, nuk mund të themi se e kemi përmbushur obligimin tonë shoqëror për Sulejman Krasniqin. Para nesh qëndron pirgu i madh i veprave të tij letrare, artistike, publicistike, eseistike me karakter kombëtar, aty janë edhe një mori shkrimesh e veprash të pabotuara, që presin dritën e botimit. Ne kemi bërë hapa të vegjël në këtë drejtim, mirëpo shkrimtari e atdhetari Krasniqi nuk i përket vetëm Rahovecit, ai është i kombit shqiptar, prandaj përfshirja më e madhe e institucioneve shtetërore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e në mërgatën tonë, ndihmon në përmbushjen e detyrimeve tona ndaj figurave të mëdha të kombit. Së fundi, kemi ndihmuar botimin e një libri me kumtesa, fjalime, dokumente e fragmente të ndryshme për Sulejman Krasniqin, që u botua nën përkujdesjen e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe Albanës, vajzës së shkrimtarit. Krejt këto angazhime janë përpjekje për risjelljen në kujtesën tonë kolektive të asaj fryme kombëtare që na duhet ende, sepse armiqtë rreth nesh presin dobësimin e kësaj fryme dhe rikthimin e hijeve të së shkuarës. Përgëzoj familjen e respektuar të bacës Sulë, bashkëshorten Atijen ose Mirën siç e njohim ne, vajzën Albanën, djemtë e respektuar Sokolin e Derandin, mbesat e nipat e tij, të cilët e ruajnë me dashuri atë frymë krenarie e nderi të njeriut të tyre të dashur. I përgëzoj edhe për durimin që kanë pasur deri më tani për të pritur nisma e projekte shoqërore për nxjerrjen në dritë të jetës dhe veprave të këtij shkrimtari atdhetar, të këtij “Balzaku të letrave shqipe”, siç do ta cilësonte poeti ynë kombëtar Dritëro Agolli. Nuk mund t’i anashkaloj përpjekjet e mëdha të zyrtarëve të caktuar komunal, të cilët me përkushtim të madh vazhdojnë të kryejnë punë e veprime që i shërbejnë këtij qëllimi të përbashkët. Po ashtu, dëshiroj të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në konkursin kombëtar për çmimin letrar “Sulejman Krasniqi”, jurinë profesionale të këtij edicioni: Leonora Bruçaj, kandidate për doktorante në letërsi; poetin, romancierin e kritikun letrar Vilson Culaj dhe profesorin e letërsisë Sokol Gashi, të cilët me përkushtim profesional i kanë vlerësuar krijimet letrare të këtij konkursi. Përkundër këtyre angazhimeve, vendlindja, Kosova dhe shqiptarët i kanë borxh Sulejman Krasniqit. Ia kanë borxh ribotimin e opusit të tij krijues në terësi dhe shpërndarjen nëpër biblioteka e librari, ia kanë borxh nderimin e respektin e merituar, ruajtjen e trashëgimisë së tij materiale e shpirtërore, si dhe mësimin e veprimtarisë së tij atdhetare. Këto nuk ia kemi borxh vetëm këtij kolosi të kombit, por ia kemi borxh historisë, sepse me veprën e tij jetësore ai u bë shëmbëlltyrë e frymëzim për brezat. U kujtoftë e u nderoftë brez pas brezi jeta dhe vepra e shkrimtarit atdhetar Sulejman Krasniqi!
Faleminderit për vëmendjen tuaj!
Rahovec, 7 dhjetor 2023