Smajl Latifi: Ukshin Hoti bëri që me shembullin personal të motivojë e nxisë veprimtarët e kohës për revoltë e luftë të armatosur

NJERIU QË I DHA KOMBIT GJITHÇKA QË PATI
***
(Thekse nga fjala ime)
——
Të respektuar familjarë të veprimtarit të çështjes kombëtare, profesorit Ukshin Hoti, familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, veprimtarë të çështjes kombëtare, struktura të pushteti lokal e qendror, të nderuar miq e mbështetës të profesorit Ukshin Hoti, ditëlindja e njerëzve që lënë gjurmë të dukshme gjatë rrugëtimit jetësor, bëhen shëmbëlltyrë dhe si të tillë bëhen jehonë ndër breza.
Ukshin Hoti qe ndër ata që me vetëdije u përball me realitetin e ashpër shoqëror e politik, duke u bërë sinonim i luftës së pakompromis për të vërtetën e për drejtësinë. Ai ishte filozof e shkencëtar i politikës dhe nuk pranoi të diskutojë për mite e përralla. Në arsyetimet e tij të bazuara në të dhëna shkencore, Ukshini e kërkonte të vërtetën, duke arsyetuar me fakte historike e shkencore, ndërsa për ta njohur këtë të vërtetë dhe për ta bërë të tijën, nuk pushoi së kërkuari materiale e literaturë për t’i paraqitur para opinionit pikëpamjet e tij shkencore. Janë këto arsyet që e dallojnë Ukshin Hotin nga politikanët e intelektualët shqiptarë të kohës.
I pajisur me kaq shumë njohuri dhe duke pasur një karakter prej stoiku, Ukshin Hoti u bë luftëtar i vendosur për të drejtat e popullit të tij.
Duke u vënë krah kërkesave për liri e shtet, si dhe kërkesës themelore për bashkim të shqiptarëve, Ukshin Hoti u bë frymëzues dhe ideator i grupeve politike e veprimtarëve të lëvizjes kombëtare. Prandaj, aty mblidheshin njerëz të mendimit e të veprimit, ndërsa në shtëpinë e tij të vogël në Krushë të Madhe, hynin e dilnin intelektualët, diplomatët, politikanë të të gjitha rangjeve, veprimtarë të çështjes shqiptare dhe veprimtarë të lëvizjes ilegale të kohës. Në atë shtëpi të vogël rrinte një mendje e ndritur që kishte përgjigje për shumë çështje me interes kombëtar. Në këtë mënyrë ai mbante lidhjet me njerëzit e tij dhe popullin, duke transmetuar porosi me fjalë, me penë, e me veprime konkrete. Ishte për një vetëdije më të avancuar politike dhe punonte në këtë drejtim. Pavarësisht se u pengua, u izolua dhe u etiketua në mënyrat më banale të mundshme, megjithatë mendja dhe pikëpamjet e tij politike triumfuan. Duke qenë i tillë, Ukshin Hoti imponoi autoritet e vendosmëri dhe ishte kundër mistifikimit, idhujtarisë e ngritjes së individit në kult.
Prandaj, sot, jemi në hapësirat ku jetoi e punoi ai dhe ku i kaloi ditë te fundit të jetës në liri. Njerëzit vijnë këtu dhe i bëjnë nderim një figure që pa dyshim është ndër më emblematiket dhe vizionar i dëshmuar.
Ai ishte ndër intelektualët e rrallë të kohës që zgjodhi mohimin e mirëqenies e të karrierës së pashmangshme politike, dhe si pasojë e këtij refuzimi do të përjetojë privime, tortura e burgime, por kursin e tij politik e kombëtar, nuk do ta ndryshojë asnjëherë. Pas burgimit të parë do të izolohet e linçohet nga rrethi shoqëror, mirëpo do të vazhdojë të shkruajë e punojë në kushte të izolimit e të veçimit, jo vetëm nga autoritet shtetërore, mirëpo edhe nga e ashtuquajtura elita politike e intelektuale shqiptare.
Edhe në këto rrethana do të shkruajë e shtjellojë me kompetencë dhe do të sqarojë çështjet më komplekse politike, duke u renditur ndër politikanët më të kualifikuar të kohës. Pra, do të mundohet ta emancipojë edhe klasën politike të kohës, duke dëshmuar me fakte shkencore se “politika nuk është vetëm art i së mundshmes”. Dhe do të shkruajë; “Interesi për emancipim është me rëndësi për shkencën politike, e cila duhet t’i vë në dukje kundërthëniet midis nevojave të individit dhe rendit shtetëror ekzistues. Politika si aktivitet për rregullimin e pozitës së njeriut në shoqëri, si aksion i vetëdijshëm i subjekteve politike, si intelekt llogaritës, për rregullimin e konflikteve në shoqëri konsiderohet art, mjeshtëri. Puna është se arti inspirohet me të bukurën dhe të mirën. Në politikë gjërat qëndrojnë njësoj si edhe në art, por konsekuencat e njërës dhe të tjetrës janë të pakrahasueshme”.
Duke qenë i këtyre përmasave Ukshin Hoti u bë edhe tribun i popullit, duke punuar me durim të madh për të sqaruar njerëzit dhe për t’i vënë ata në shërbim të të përgjithshmes. Ai do të potencojë; “E përgjithshmja është në shërbim të individit, ashtu si individi duhet ngritur në nivelin e së përgjithshmes”, dhe këtë pohim ai e dëshmoi katërçipërisht me shembullin personal.
Përkundër faktit se për elitat politike nuk ushqente ndonjë simpati të veçantë, por e kundërta ishte për masat popullore dhe për të rinjtë e të rejat që e sfidonin realitetin e imponuar politik. Do të shkruajë: “lindjes së demokracisë i kontribuuan edhe punëtorët, edhe fshatarët, bile në radhë të parë ata”. Ai nuk qëndroi vetëm mbi pohime e deklarime shterpe, por me guxim intelektual e njerëzor e sfidoi aparatin serb të dhunës e të represionit, ndërsa gjykatoren serbe e shndërroi në tribunë ku shpalosi idetë e tij politike e kombëtare.
Në shtjellimet e tij teorike politike, ai do të thellohet edhe më në çështjen shqiptare dhe sfidat ndërkombëtare rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje komplekse. Ai do të shkruajë;
“Fuqitë e Mëdha nuk merren me zgjidhjen e çështjes së Shqipërisë, pa patur interesa të veta dhe sidomos jo pa u bërë inicimi i zgjidhjes së një çështjeje të këtillë nga vetë faktori politik shqiptar”.
Nisur nga këto qëndrime, Ukshin Hoti bëri që me shembullin personal të motivojë e nxisë veprimtarët e kohës për revoltë e luftë të armatosur. Na është e njohur thirrja publike për formimin e forcave të armatosura të Republikës së Kosovës, në varrimin e ushtarit të vrarë në APJ në vitin ‘91. Thirrje të tilla ishin nxitje edhe për formimin e organizatave ilegale politiko-ushtarake që do të punonin për përgatitjen e luftës së armatosur çlirimtare, e që do të shpërthejë fuqishëm me daljen në skenë të UÇK-së. Janë këto dhe arsye të tjera që na tubojnë në çdo përvjetor të lindjes së këtij kolosi të mendimit politik dhe ky vend do të jetë pikëtakimi i brezave, të cilët do të kujtojnë sa shumë e deshi ai këtë vend dhe sa e si shkroi e punoi për të mirën e përgjithshme.
Ukshin Hoti përbën shembullin më të mirë të njeriut që ishte i gatshëm të flijohet për mendimet e tij, për idealet e tij kombëtare e intelektuale. Ai përfaqëson intelektualin stoik. Foli edhe atëherë kur shumë të tjerë zgjodhën konformizmin.
Bazuar në analiza të kujdesshme shkencore dhe mbi referenca të studiuesve të njohur të fushës së politikës, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sociologë të shquar botëror, Ukshin Hoti formësoi qëndrimin e tij politik e social, duke ndërtuar kështu një platformë apo doktrinë të mendimit politik shkencor për shqiptarët. Po ashtu, në rrethanat në të cilat jetoi e veproi Ukshin Hoti, ishte e pamundur të formësoje një ide të kristalizuar për zgjidhjen e çështjeve nacionale në një truall të mbushur urrejtje, konflikte, vrasje masive e mospajtime të mëdha.
Fakti se politika është dialektikë e ndikuar nga këta faktorë, edhe Ukshin Hoti iu përshtat këtyre zhvillimeve, por gjithnjë duke mbetur unik në qasjen e tij ndaj çështjes shqiptare – bashkimit. Qëndrimet e tij për zgjidhjen e çështjes shqiptare, si “çështje që e krijuan Fuqitë e Mëdha”, por që janë vetë shqiptarët ata që duhet t’i lëviznin gjërat nëse duan të konsolidohen si shtet-komb, mendon Ukshin Hoti. Kjo, pohon ai, imponon nevojën e krijimit të një “Politike gjithëshqiptare” në Evropën Juglindore, gjithnjë duke kërkuar angazhimin e potencialit akademik në zgjidhjen e kontesteve me fqinjët.
Profesor Hoti ishte i vetëdijshëm për raportin e forcave, por asnjëherë nuk e nënvlerësoi faktorin e brendshëm, duke besuar se ishte pikërisht ky faktor që do të bënte ndryshimin e balancave në këtë rajon të trazuar. Pikërisht kjo qasje shkencore dhe e bazuar në fakte të qëndrueshme, e që mund të përbënin bazë për një platformë apo doktrinë për një politikë gjithëshqiptare, përbënin rrezik për interesat serbe. Në këtë mënyrë eliminimi i tij fizik u bë mënyra e vetme për qarqet shoviniste dhe për politikën zyrtare serbe, gjithnjë të mbështetur edhe nga akademikët e Serbisë, që do të duhej t’i shërbenin humanes. Ballafaqimi i argumenteve shkencore i shkonte për shtati idesë së Ukshin Hotit dhe ndryshimet që po ndodhnin pas rënies së komunizmit mund ta ç’vishnin politikën gjenocidale të serbëve, prandaj edhe duhej hequr pengesa UKSHIN HOTI.
Si zakonisht, u përdorën metodat e njohura, izolimi dhe ndëshkimi i atyre që përbënin rrezik për zbatimin e politikës serbomadhe dhe shtrirjen e hegjemonisë serbe në Ballkan. Ukshin Hoti nuk bëri kompromis me historinë, të vërtetën dhe të drejtën e popullit shqiptar për të vendosur për të ardhmen e vet. Qëndrime të këtilla përbëjnë rrezik për tiranët dhe tiraninë, prandaj edhe u zbatuan metodat makiaveliste për realizimin e synimeve të sundimtarëve të pacipë. Burgosja dhe zhdukja e Ukshin Hotit tregonin për frikën e tyre që kishin ndaj proceseve që po vinin pashmangshëm.
Organizimi i tribunave, tryezave shkencore, tubimeve dhe ngjarjeve historike që ndërlidhen me Ukshin Hotin përfshijnë konsistencën e mendimeve të tij politike, janë vazhdimësi e asaj fryme që synon faktorizimin e shqiptarëve dhe krijimin e shtetit-komb. Qenë të gjitha këto arsyetime që na shtynë ta themelojmë Dekoratën “Ukshin Hoti”, dekoratë që u jepet figurave të shquara intelektuale, veprimtarëve të çështjes kombëtare dhe atyre që kanë kontribute kombëtare.
Kjo dekoratë, që jepet në ditëlindjen e këtij kolosi të kombit, është dëshmi e përkushtimit institucional, gjithnjë në funksion të kujtesës tonë historike dhe në vlerësim të atij që me punën e përkushtimin e tij u bë simbol i dijes, i qëndresës dhe i vetëmohimit për të mirën e përgjithshme.
Dekorata në 81-vjetorin e lindjes, i jepet veprimtarit të shquar atdhetar, Bislim Elshanit, i burgosur politik për pikëpamjet dhe angazhimin e vendosur e tij të pandalshëm për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare, njeri i nderuar dhe bashkëpunëtor i afërt i profesor |Ukshin Hotit, i angazhuar plotësisht në Lubjanë, në revistat: Alternativa, Republika dhe Demokracia Autentike, si dhe i përkushtuar në përgatitjen dhe botimin e veprave të Ukshin Hotit, si: “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”, “Bisedë përmes hekurash” (letërkëmbim me Ismail Kadarenë). Bislim Elshani ka qenë edhe redaktor i “Zërit të Kosovës”, është intelektual dhe penë e hollë dhe i palodhur me punën që vazhdon ta bëjë edhe sot.
***
Mirënjohës për jetë e mot këtij njeriu që i dha gjithçka pati, diti e mundi kombit shqiptar!
Krushë e Madhe, 17 qershor 2024.

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …