“Ju flet Kosova e Lirë”
Sot humbëm një ndër intelektualët dhe patriotët më të shquar, një zë të fuqishëm të së vërtetës dhe një mbrojtës të palodhur të kauzës kombëtare.
Bashkluftëtari im, profesor Ahmet Qeriqi ndërroi jetë sot më 7 mars 2025, duke lënë pas një trashëgimi të madhe kombëtare, letrare, publicistike dhe krijuese.
Në kohën kur shtypi shqiptar ishte i heshtur dhe Serbia po bënte terror të pashembullt, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së mori vendim në nëntor të vitit 1998 që të hapë radiostacionin “Kosova e Lirë” dhe agjencinë e lajmeve “Kosovapres”. Ahmeti iu përgjigj këtij vendimi dhe ngriti një zë të pathyeshëm, duke bërë që e vërteta e Kosovës të jehonte kudo. Ky zë dhe kjo jehonë vazhdoi edhe pas luftës me përkushtim deri në ditën e vdekjes së Ahmetit.
Ahmeti kishte një shpirt luftarak të pathyeshëm. Ishte i vendosur dhe i palëkundur në idealet e tij.
Lavdi jetës dhe veprës së Ahmet Qeriqit!
I qofte i lehtë dheu i Kosovës!