RKL: Fillimisht si kryetar i komunës në fund të mandatit të dytë, në ç’shkallë keni arritur ti realizoni premtimet e bëra gjatë fushatave?
Bashota: Thënë të drejtën, ne gjithmonë jemi munduar të jemi racional në kuptimin e asaj që gjatë fushatave të premtojmë. Premtimet kanë qenë të përllogaritura shumë mirë, duke qenë në përputhje edhe me mundësitë buxhetore që ka komuna e Klinës, e të cilat janë fare të vogla. Por ne kemi shfrytëzuar edhe përpjekjet tona për të eksploruar mekanizma të cilit do të ndihmonin punën tonë. Unë mendoj se karshi premtimeve të dhëna, ne vetëm i kemi tejkaluar duke i përmbushur.
RKL: Ka ndonjë premtim i cili nuk është përmbushur gjatë kësaj kohe…
Bashota: Po brenga kryesore e qytetarëve mbetet shkalla e lartë e papunësisë. Në këtë segment, jemi munduar që me punën tonë të krijojmë hapësira lehtësuese edhe për ta. Në këtë segment, konsideroj se jo vetëm Klina por edhe komunat e tjera, kanë mbetur më prapa.
RKL: Pos ndërtimit të rrjetit infrastrukturor të rrugëve dhe shkollave, një prioritet që i keni vënë theks të posaçëm ka qenë edhe uji i pijes. Sa keni arritur tí realizoni projektet në këtë drejtim në bashkëpunim me Qeverinë dhe donatorët e huaj?
Bashota: Deri më tani në komunën e Klinës me këto të hyra janë realizuar diku mbi 75 km rrugë të asfaltuara, kryesisht në fshatra dhe qytet. Tani janë në përfundim e sipër një pjesë e tyre, meqë këtë vit synojmë t’i asfaltojmë 45 km rrugë, kryesisht në pjesët rurale që nuk janë të lidhura ende me pjesën urbane të komunës, por nuk do të lëmë anash as disa rrugica që janë brenda qytetit të Klinës. Infrastruktura shkollore në komunën e Klinës ka qenë mjaft e shkatërruar dhe për tetë vite radhazi është bërë fare pak në sanimin dhe rregullimin e tyre. Një pjesë të shkollave e kemi rregulluar më herët, kurse këtë vit do të fillojnë punën tri shkolla të reja. Pos ndërtimit të një shkolle në qytet, i kemi ndërtuar edhe dy shkolla të reja, njërën në Drenoc dhe Siqevë. Në proces të renovimit janë edhe dy shkolla të tjera, është fjala për ato në Sferkë dhe Zllakuqan, e në të cilat do të instalohet sistemi i ngrohjes. Ndërkaq sa i përket ujit të pijshëm, kjo ka qenë sfidë jo vetëm e imja por e gjithë kryetarëve të tjerë. Ka pasur përpjekje por pa rezultat në këtë drejtim, anipse është përfolur shpeshherë ndërtimi i një impianti. Në rreth 13 fshatra të pjesës verilindore të Klinës, ka ardhur një impiant dhe kemi siguruar që nga pusi i Jarinjes të fitojmë rreth 27 litra ujë të pijshëm në sekond. Problemeve rreth furnizimit me ujë të pijshëm brenda qytetit, i ka ardhur tashmë fundi. Ne kemi përfunduar ndërtimin e fabrikës së ujit të pijshëm, e cila është financuar kryesisht nga buxheti i komunës së Klinës, por edhe nga ndihmat prej Qeverisë së Kosovës. Presim që brenda ditëve në vijim të bëhet përurimi i kësaj fabrike. Qytetarët duhet t’i gëzohen këtij projekti pasi që në rubinetat e tyre do të kenë ujë të pijshëm.
RKL: Ndonjë projekt tjetër që prisni ta realizoni gjer në fund të vitit?
Bashota: Mbetet për t’u bërë ende sa i përket rregullimit të infrastrukturës rrugore, me ç’rast një pjesë janë duke iu nënshtruar procedurave të tenderimit. Realizimi i këtyre projekteve do t’u krijojë qytetarëve kushte më të lehta për lëvizje.
RKL: Në krahasim me këto projekte, buxheti për shpenzime kapitale nuk ka qenë shumë i lartë në komunën e Klinës. A ka ndryshuar buxheti për vitin 2013?
Bashota: Buxheti mbetet ende i njëjti, por është me rëndësi fakti sa komuna arrin të krijojë të hyra vetanake. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, këto të hyra i kemi shtuar 11 përqind. Kështu që nëse ne i realizojmë këto të hyra, ne vetëm sa krijojmë lehtësime për investimet që jemi duke i bërë. Trendi i të hyrave deri më tani është i mirë, pjesërisht edhe nga grantet qeveritare.
RKL: Klina ka një pozitë shumë të përshtatshme dhe 95 % e tokës është bujqësore dhe në këtë hapësirë gravitojnë shumë lumenj që krijojnë mjaft lehtësira për fermerët e ndryshëm, në shtim të veprimtarisë së tyre. Sa shfrytëzohet kjo përparësi në aspektin e bujqësisë?
Bashota: Të them të drejtën, pasi kam marrë detyrën e kryetarit të Komunës jam njoftuar për së afërmi për mundësitë dhe resurset që i ka komuna e Klinës. Jam habitur gjithmonë pse për tetë vite nuk i është dhënë prioritet bujqësisë. Pasi kam kompletuar stafin tim, një prej prioriteteve kryesore ka qenë ndihmesa në sektorin e bujqësisë, gjë që nuk është bërë më herët dhe ne gati çdo vit kemi ndarë sera për fermerë të ndryshëm. Po ashtu edhe bagëti dhe fidanë. Mbi 30 hektarë fidanë i kemi dhënë falas fermerëve, ndërsa serat kanë qenë me participim minimal, diku rreth 20 për qind nga fermerët, me të vetmin qëllim t’i stimulojmë ata, të cilët kanë krijuar të hyrat suksesshëm jo vetëm për familjet e tyre por edhe më gjerë. Kemi rregulluar disa penda dhe kanale për ujitje në komunën e Klinës dhe konsiderojmë se diku rreth 1800 hektarë janë në sistemin e ujitjes.
RKL: A jeni të kënaqur në rendimentet, pasi tani është fushata e korrje-shirjeve?
Bashota: Jemi në përfundim të fushatës. Kënaqësia gjithmonë duhet të shkojë në raport me mundësitë të produkteve. Realisht kur i shohim mundësitë e fermerëve tanë, mënyrën se si ata e punojnë tokën dhe njohuritë që kanë rreth punimit të tokës, besoj se jemi ndarë mjaft të kënaqur. Mesatarja për hektarë e grurit sillet diku rreth 4500 kg.
RKL: Cili ka qenë bashkëpunimi juaj me Ministrinë e Bujqësisë në këtë aspekt?
Bashota: Ministria në mënyrë të suksesshme ka mbështetë fermerët në bazë të zotimeve që i ka bërë vet ajo. Të gjithë ata të cilët kanë punuar tokën i kanë marrë subvencionet nga Qeveria sipas vendimit që ka marrë ajo. Stafit që punon në komunën e Klinës i ka dalë punë më shumë për shkak të identifikimit të pronave, për arsye se tash Ministria e ka nxjerr një program ku më nuk mund të manipulohet nëse e kanë mbjell apo jo tokën. Prandaj disa mund të jenë të frustruar pikërisht për këtë shkak që s’do të mund t’i marrin ato subvencione nëse nuk do ta punojnë tokën. Dua ta përgëzoj Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Klinës të cilët kanë punuar deri në orët e mbrëmjes, pa asnjë kompensim, vetëm që ta përmbyllin sa më shpejt. Bashkëpunimin me Ministrinë e kemi të mirë. Kanë ndihmuar edhe më herët në ndërtimin e pendave dhe kanaleve, me të vetmin qëllim të krijimit të kushteve më të lehta për fermerët.
RKL: Gjatë këtyre tri viteve keni qenë në koalicion me LDK-në, mirëpo muajin e kaluar ka ardhur deri te shkëputja e këtij koalicioni. A paraqet kjo rrezik për funksionimin e Komunës, gjegjësisht të Asamblesë Komunale?
Bashota: Nuk paraqet rrezik. I kemi mbuluar të gjitha ato vakuume institucionale. Tanimë është shumica e thjeshtë në Asamble, e cila është e nevojshme për vendime të ndryshme. Është ofruar një partner tjetër që mbështet projektet dhe ambiciet e komunës, kështu që vakuum institucional nuk ka, por gjithmonë brengosëse janë veprimet e ish-partnerit me të cilin edhe pse dy herë është mposhtur në zgjedhje, pikërisht prej vullnetit të mirë që kemi pasur unë si Kryetar i komunës, Kryetari i PDK-së dhe PDK-ja në përgjithësi, i kemi pranuar në koalicion me të vetmin qëllim që mos të krijohen vakuume institucionale në Klinë, për arsye se qytetari i Klinës nuk e meriton që për hir të tekeve apo ambicieve të subjekteve politike me qenë pre e atyre shantazheve dhe veprimeve te papërgjegjshme. Tani pasi jemi në fund të mandatit, të qenurit në partneritet në pushtet nuk u ka dhënë mundësi të kenë komoditetin që të shajnë lirshëm, dhe tani e kanë gjetë të fillojnë me akuza të ndryshme karshi udhëheqjes dhe ekzekutivit, por në të njëjtën kohë t’i shfrytëzojnë edhe benificionet. Është shumë e vërtetë që unë e kam shkëputur, pra PDK e ka shkëputur këtë koalicion, për arsye se nuk ka gjetur partner serioz për të vazhduar më tutje, edhe përkundër faktit se nuk e kemi ditur nëse do të ketë partnerë tjerë që do të na mbështesin por gjithmonë, të gjitha vendimet që janë nxjerr deri më tani dhe do të nxirren janë dhe do të jenë në shërbim të qytetarëve, me transparencë dhe të konsultuara mirë me mundësitë ligjore. Besojmë se me partnerin e ri do të ecim suksesshëm deri në zgjedhjet e ardhshme lokale pastaj do ti gjejmë referencat e bashkëpunimit me ta.
RKL: Partneri i ri a është subjekt politik?
Bashota: Partneri i ri tani është një Iniciativë Qytetare, e cila është konsoliduar si strukturë politike dhe besoj se do ecim suksesshëm me bashkëpunim deri në zgjedhjet e 3 nëntorit, pastaj referencat do të jenë me ata të cilët mbështesin projektet zhvillimore të Komunës së Klinës.
RKL: Kryetar a mund të tërhiqni një paralele mes qytetit të Klinës apo në përgjithësi të komunës në mes dy mandateve jo të plota , pra nga 2008 deri më sot, pra në Klinën e pas luftës deri kur ju e keni marrë mandatin?
Bashota: Të them të drejtën, katër vite mandat nuk janë si dy vite, ngase mundësitë e investimit kanë qenë shumë më të mëdha për katër vite të ndryshimit në komunën tonë. Ne por edhe shumë qytetarë të komunës tonë nuk i vërejmë shumë ndryshimet por kur vijnë mërgimtarët tanë janë ata të cilët i shohin ato ndryshime, ngase janë të prekshme këto ndryshime. Është punuar me përkushtim sheshi i qytetit etj. Klina nga qytetarët është quajtur një fshat i madh por tash Klina i ngjason një qyteti të ri që është në perspektivë dhe besojmë që me mandatin e ardhshëm do të përmbyllen punët që deri tani kanë ngecur.
RKL: Mendoni në mandatin e ardhshëm, jeni i sigurt në fitore?
Bashota: Jam shumë i sigurt në fitoren e PDK-së, në komunën e Klinës.
RKL: A është vendosur se kush do të kandidohet nga përfaqësuesi i PDK-së?
Bashota: Po mendoj se punën dhe angazhimin që e kemi bërë deri tani, cilindo kandidat që do ta vendos partia dega në Klinë nuk do ta ketë vështirë për t’i fituar zgjedhjet dhe për ta bindur qytetarin për të votuar për PDK-në, ngase gati në të gjitha sferat e jetës është punuar si në qytet ashtu edhe në fshatra, ku mirëqenia e tyre është në ngritje.
RKL: Nga kush u vjen konkurrenca me e denjë nga subjektet politike?
Bashota: Nuk është konkurrence e denjë për arsye se subjektet rivale po shkojnë me të njëjtin avaz, të njëjtit individ që kanë humbur zgjedhjet kështu që ata tanimë janë testuar tash e sa kohë në opinion dhe në elektoratin e tyre. Të dy bashkë i kanë humbur zgjedhjet jo ndaras, kështu që ata nuk i garantojnë perspektivë subjektit të tyre, dhe aq më keq kur ata njerëz kanë për lidership ata që janë shumë të papërgjegjshëm karshi shumë zhvillimeve politike në komunë.
RKL: Klina dallohet për aktivitete kulturore-sportive, njihet edhe për Festivalin “Muj Krasniqi” , por a ka ndonjë aktivitet tjetër dhe sa u ndihmon komuna ?
Bashota: Po ne kemi festivalin që i kushtohet komandantit Muj Krasniqi, të titulluar “I këndojmë lirisë”, një festival që i përfshinë të gjitha trevat shqiptare. Ai zgjatë tri net radhazi, ku deklamohen vlerat e mirëfillta të folklorit burimor shqiptar. Mbi 700 artistë janë të pranishëm, që për një Klinë të vogël është vështirë të pranohen por është vullneti i donatorëve e dashamirësve që t’ia dalim mbanë. Klina dallohet edhe për krijuesit e rinj të cilët bëjnë pjesë në klubin letrar “Vorea Ujko” që ka mbi 200 tituj të botuar. Kemi promovime të ndryshme, e madje organizohet edhe ora letrare që i kushtohet poetit dhe reporterit të luftës, Tahir Desku. Ne sport dallohet klubi i futbollit Dukagjini që është në ligën e parë dhe mbështetet nga komuna. Kemi filluar edhe me klubin e volejbollit për femra dhe basketbollit për meshkuj, por duhet ditur një gjë se mundësitë e komunës për t”i mbështetur janë shumë të vogla.
RKL: Cila do të ishte porosia e juaj për qytetarët e komunës?
Bashota: Ftoj të gjithë qytetarët të bashkëpunojmë me ne dhe të ecim bashkë në projektet zhvillimore të komunës së Klinës .
Intervistoi:
Jeton SYLA
25 korrik 2013