Thuajse gjithmonë, në të kaluarën e saj, Shqipëria është parë kryesisht si një pozicion gjeostrategjik, por asnjëherë ajo vetë si faktor. Në të njëjtën përmasë që Bashkimi Europian, në tendencën e globalizimit në ditët tona, nuk mundet të neglizhojë vendet ballkanike, është e nënkuptueshme që në të njëjtin raport simetrik, nuk mundet të neglizhohet rëndësia e mendësisë europiano-perëndimore në ndërtimin e shoqërive të sotme ballkanike.
Kjo, sot, është thuajse e kuptueshme nga të gjithë, me përjashtim të klasës politike të një pjese të vendeve ballkanike e po ashtu asaj të botës shqiptare. Që nga momenti i rrëzimit të komunizmit dhe deri në pavarësinë e Kosovës, popullatat me origjinë shqiptare e kanë jetuar këtë periudhë si atë të padrejtësive të rikorrigjuara, të cilat po e shoqërojnë gradualisht në të ardhmen e saj.
Brenda këtij kuadri të përgjithshëm dhe plot shpresë, rinia shqiptare aspiron integrimin e vendit të saj në komunitetin evropian.Në marshimin e saj drejt BE, vështirësi të shumta ngrihen përpara shoqërisë shqiptare të shekullit të 21-të. Në bazë të kërkesave të BE, rolin kryesor për momentin, e zë reforma në drejtësi. Por ndërtimi i saj, duket sa i vështirë, po aq dhe i domosdoshëm për shoqërinë e ditëve tona.
Nga e kaluara e saj komuniste e deri në ditët e sotme, shoqëria shqiptare ka ngelur në atë që e quajmë «periudha e tranzicionit», që përkon me 27 vitet, nga fillimi i viteve ‘90-të deri në ditët tona. Deri në vitet 90, Shqipëria ishte një kopje konforme e Bashkimit Sovjetik të periudhës staliniane të viteve 50-të. Bazuar në ndërtimin shoqëror dhe kryesisht shtetëror të saj, ku të gjitha organizmat sociale ishin të ndërvarura nga roli drejtues i Partisë së Punës së Shqipërisë
Kjo omniprezencë e partisë, shtrirë në të gjithë sektorët e shoqërisë të asaj periudhe, midis të tjerash, kishte ndikuar edhe në fushën e drejtësisë. Por vlen për t’u theksuar që, pavarësisht se duket paradoksal, niveli arsimor i kësaj kohe do të dilte realisht më i lartë se gjithë tjetri, i ndërtuar në periudhën e tranzicionit.
Një analogji historike
«Ka vetëm dy mënyra për të qeverisur italianët, me forcën e bajonetave apo me anë të korruspionit» Viktor Emanueli II.
Duket që edhe Shqipëria në të shkuarën e saj të afërt, ka kaluar nëpërmjet këtyre dy stadeve; të diktaturës komuniste dhe në atë të korrupsionit të periudhës së tranzicionit.
Në fillimet e viteve ‘90-të, në vrullin e pakuptimtë për të shkatërruar gjithçka të ndërtuar deri atëherë, pushteti i ri, i drejtuar nga z. Berisha, (të thuash që demokracinë në Shqipëri e solli «heroi» ish-komunist Sali Berisha, është njësoj po aq absurde, si të thuash që rrjetin e internetit në Shqipëri e solli dashuria e madhe e Edi Ramës për teknologjitë e avancuara, por le të dalim jashtë kuadrit partizan dhe naiv), shkatërroi deri në themel dhe ndërtimin e sistemit të arsimit duke hedhur në këtë mënyrë, me lëngjet e lindjes, edhe vetë fëmijën. Një shembull historik po ashtu si në Italinë e shek XIX të viteve të para të bashkimit të saj, në luftën e bërë kundër establishmentit të kohës dhe kryesisht atij austriak, shumë ish të burgosur u bënë gjyqtarë, drejtorë policie, prokurorë, prefektë etj., gjë që krijoi atë shtrat të përshtatshëm për forcimin e mafias në shoqërinë italiane, e cila po e paguan këtë plagë edhe në ditët tona. Po ashtu, në Shqipërinë e viteve 90-ë, moskuptimi i ndërtimit të shtetit nga ana e klasës së re politike shqiptare, solli në formën e saj si drejtues paaftësinë e theksuar të individëve që morën drejtimin e saj në duar.
Fenomen ky që preku rëndë si metastazë kanceri sistemin tonë të drejtësisë. Në disa fusha te zhvillimit të shoqërisë të sotme kërkohet një akumulim i madh i njohurive dhe i kulturës profesionale.
Të bësh gjykatësin, prokurorin apo të tjerë ndërmjetës në fushën e drejtësisë, përmes kurseve 6 mujore, është njësoj si të emërosh mjek, dikë (një) të pakualifikuar dhe t’i thuash që do të bëhesh mjek, pasi të kesh aksidentuar e vrarë një shumësi pacientësh. Në këtë situatë absurdi e vuri fushën e drejtësisë në fillimet e tij Revolucioni Salist, Shqipërinë.
Por e keqja nuk mbaron me kaq. Në mesin e viteve 2000, sistemi i arsimit shqiptar ka qenë i prekur nga një tjetër sëmundje e rëndë; e ashtuquajtura «informaliteti i shkollave private» i cili shpërndau thuajse tërësinë e diplomave të tij, si rezultat i pagesave në para dhe jo të eliminimit në bazë të kritereve të përgatitjes profesionale dhe intelektuale, të domosdoshme për të arritur këtë shkallë ngritjeje, që dhënia e diplomës akrediton. Mjafton të përmendim faktin që, thuajse një në pesë diploma të nivelit universitar, janë të fushës të drejtësisë, për të kuptuar non-sensin e shpërndarjes së këtyre diplomave. Dhe kështu, si rezultat, kemi gjyqtarë thuajse analfabetë, prokurorë pa shkollë të mesme (thuhet që në shkollën e mesme ku ka mbaruar ish-prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla paskan mbaruar edhe të tjerë dhe për çudi, kjo shkollë na qenka djegur me gjithë regjistrat e saj).
Në këtë mënyrë gjithë shtresa e sistemit të drejtësisë shqiptare u përshkua nga një mungesë e theksuar aftësie, profesionalizmi dhe minimal të treguesve të drejtësisë bashkëkohore.
Por sëmundja e sistemit të drejtësisë shqiptare nuk kufizohet vetëm nga mos aftësia profesionale. Vetë ekonomia shqiptare e kësaj periudhe është e lidhur ngushtë me të ardhura të cilat vijnë në një pjesë të madhe nga trafiqet e të gjitha llojeve, proksenteizmi, pastrimi i parave etj, të cilat në ndërtimin e tyre të nëndheshëm gjetën fijet lidhëse me sistemin e drejtësisë.
Ky handikap i drejtësisë ka shërbyer në mënyrë të drejtpërdrejtë klasën e re politike shqiptare post-komuniste. Një drejtësi me dy shpejtësi është vendosur tashmë në realitetin e përditshëm. Përgjatë thuajse 20 vjetësh, por edhe më shumë, klasa politike shqiptare ka qenë e akomoduar më së miri me këtë sistem drejtësie (nga ku ajo legjitimoi gjithë abuzimet e bëra), i cili nuk arriti as edhe në një rast të vetëm ta shqetësojë sferën e lartë, me gjithë skandalet e shumta të cilat janë kthyer thuajse (në) të përditshme.
E megjithatë, dëshira për të menduar ndryshe, ka filluar të ndjehet gjithmonë e më shumë. Ky fakt shtyhet nga një pjesë e madhe e diasporës shqiptare, e cila tashmë është integruar dhe është e aftë të kuptojë që edhe në Shqipëri duhet menduar si në Francë, Gjermani, Holandë, Itali, Amerikë, Kanada, Australi apo gjetkë, vende këto, modelin e të cilave po tentojmë të imitojmë apo drejt të cilave ëndërrojmë si shoqëri (me përjashtim të klasës politike, oligarkisë dhe hallkave që e ndjekin atë). Dhe në këto shoqëri, vendin kryesor e zë drejtësia.
Emanuel Kant shkruan në Kritiken e Arsyes së Pastër : «Në qoftë se drejtësia do të zhdukej, së bashku me të, do të zhdukej dhe vetë kuptimi i ekzistencës së racës njerëzore në tokë!» (Dita)