Njëra prej familjeve të malësisë së Gollakut, të cilat angazhimin për lirinë e atdheut e kishin bërë traditë, është edhe ajo e dëshmorit Sokol Sopi. Të parët e kësaj familjeje ishin dëbuar përdhunshëm nga fshati Statofc, në kohën e dyndjeve të mëdha shqiptare nga trojet e tyre në Serbinë e sotme, në shekullin e 19-të. Pas kësaj shpërnguljeje ata ishin ngulitur në fshatin Butofc, në verilindje të qytetit të Prishtinës. Edhe pas asaj që u kishte ndodhur dikur në vatrat e tyre stërgjyshore, brezat e familjes Sopi nuk i kishin përfunduar hesapet me pushtuesin serb, edhe pas vendosjes në vendbanimin e ri. Në Luftën e Parë Botërore, në betejët kundër
serbëve kishin rënë burrat’e derës së familjes Sopi: Azemi, Ramushi, islami dhe Musliu. Kjo traditë e luftës dhe e qëndresës kundër pushtuesit bëri që edhe gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, shtëpia e familjes Sopi nga Butofci u bë strehë e sigurt për shumë trima, si Adem Gllavica, Shemsi Mramori, Azem Jashanica, Shyt Mareci, kapedan Gjoni e të tjerë. Ndërsa gjyshi i Sokolit, Ismaili, e kishte përjetuar dhe mbijetuar masakrën serbe të Tivarit, në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Sokol Sopi lindi më 8 tetor të vitit 1977, në Prishtinë, ku disa vjet më parë ishte vendosur familja e tij. Shkollimin fillor e kryen në shkollën e afërme “Iliria”. Arsimin e mesëm e kryen në vitin 1996, në shkollën e mesme teknike “28 Nëntori”, në Prishtinë. Sokoli ëndërronte ta regjistronte akademinë ushtarake në Tiranë, mirëpo për shkak të rrethanave të caktuara nuk arrin ta realizojë këtë dëshirë.
Ndonëse ishte djalë dëshiri i prindërve, Mustafës dhe Xhemiles, si dhe vëllai i vetëm i motrave: Vlorës, Valbonës, Qëndresës, Shqipërisë e Kosovares, Sokoli nuk duronte pozitën e të përkëdhelurit e të të privilegjuarit. I afërt, i dashur dhe emocionalisht i lidhur, ai ishte jo vetëm me familjen, por edhe me shokët e me miqtë. Kishte një rreth të gjerë bashkëveprimtarësh, shumë prejtë cilëve i pati përkrah edhe në frontin e luftës çlirimtare. Emri dhe angazhimi i tij ishin të lidhur me emrin dhe veprimtarinë e dëshmorëve, me të cilët zhvilloi betejën përfundimtare, lsa Kastrati e Afrim Vitia, si dhe me emrin e shokëve, si Hazir Borovci, ibrahim Mehmeti, Sali Mustafa, Fatmir Sopi e të tjerë. Një lidhje të veçantë emocionale kishte me axhën e tij, Gani Sopi.
Rrethanat shpërthyese të paraluftës, të cilat ishin sinjal i qartë i stuhisë së ashpër që do ta përshkonte së shpejti Kosovën, nuk e kishin lënë jashtë vorbullës së vet as të riun shpatullgjerë e temperamentzjarr, Sokol Sopi. Në vitin 1997, ai u anëtarësua në njësitin gueril që vepronte në Prishtinë. Së bashku me shokë të ilegales shpërndante trakte dhe kryente aksione të tjera, të cilat trasuan terrenin për fillimin e luftës së armatosur kundër okupatorit. Shpërthimi i luftës frontale, e përvetësoi tërësisht shpirtin liridashës të Sokolit. Ai me shokët e ilegales dhe me bashkëveprimtarë të tjerë, duke pasur edhe përkrahjen e pakursyeshme të prindit, Mustafës, u vu në shërbim të luftës, në detyra të caktuara të prapavijës.
Në shkurt të vitit 1999, Sokoli, nga aktiviteti gueril në qytet dhe nga prapavija, kaloi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u futur drejtpërdrejt në vijën e frontit. Pozicioni i parë ushtarak i tij ishte në pikën e leashit, ku po vepronte Brigada 153 e UÇK-së, e cila komandohej nga eprori i shquar, trim e atdhetar, Adem Shehu. Sokoli kishte kryer stërvitjet e nevojshme ushtarake, në të cilat kishte dëshmuar shkathtësi dhe prirje të hollë për artin ushtarak. Në radhën e dytë të këtyre stërvitjeve, Sokoli i qëndroi pranë edhe si ndihmës, komandantit Adem Shehu, me figurën ‘e të cilit mbeti i lidhur ngushtë, deri në fund të jetës së tij. Për në radhët e UÇK-së nuk ishte inkuadruar vetëm Sokoli. Pushkë lufte ishin bërë edhe i ati, Mustafa, tri motrat, Vlora, ValbOna e Qëndresa, si dhe axha, Nazmiu, me të birin, Albanin.
Ofensiva e përgjithshme e armikut kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ndërmarrë në të gjitha zonat e luftës, më 18 prill të vitit 1999, përfshiu edhe malësinë e Gollakut, e njohur edhe si malësia e Marecit. Sokoli me bashkëluftëtarë, i cili në atë kohë ndodhej i pozicionuar në fshatin Marec, bëri rezistencë heroike për të penguar depërtimin e armikut në pozicionet e synuara, duke i shkaktuar atij humbje të theksuara. Në pasditen e 20 prillit, në betejë e sipër, në vijën e frontit, në lagjen Halipaj të fshatit Marec, Sokoli mori plagë të rënda në këmbë e në kokë. Përkrah tij u plagos edhe çlirimtari tjetër, Afrim Vitia. Personeli mjekësori Brigadës 153 bëri të gjitha përpjekjet për t’i mjekuar të plagosurit. Një angazhim të veçantë për t’ua shpëtuar jetën atyre bëri mjeku ushtarak, Qerim Kida. Mirëpo, meqenëse plagët ishin të rënda dhe mundësitë mjekësore, të kufizuara, të nesërmen, më 21 prill, ishte vendosur që ushtarët e plagosur të transferoheshin në një spital ushtarak, në zonën e Llapit.
Këtë detyrë ushtarake e kishte marrë përsipër, pjesëtari i UÇK-së, lsa Kastrati. Në rrugë e sipër për në Koliq, në lagjen Bullaj të Marecit, automjeti me të cilin po bëhej transferimi, bie në pritë të forcave serbe. Aty fillon një betejë e ashpër midis çlirimtarëve dhe forcave pushtuese, të pozicionuara në një shtëpi të lagjes. Çlirimtarët, të cilët ishin të armatosur me automatikë e me bomba dore, ndonëse të sulmuar në befasi, zjarrit, nga automjeti, i përgjigjen me zjarr, duke
shkaktuar vrasjen e disa militarëve serbë në pozicionin e pritës. Në vendin e betejës, më pas janë gjetur 5 helmeta të militarëve serbë, si dhe gjurmë të tjera të humbjes së tyre. Ndërkohë, militarët e tjerë serbë e lëshojnë pritën dhe të tre ushtarët çlirimtarë të UÇK-së, tashmë me municion të harxhuar, arrijnë të dalin nga automjeti, për t’iu shmangur zjarrit të forcave të tjera pushtuese, të pozicionuara në një kodër mali, përballë vendit të betejës. Mirëpo, ata nuk arrijnë të tërhiqen më tej luginës, në afërsi të shkollës fillore në Bullaj, kur sulmohen nga pozicioni tjetër i forcave serbe. Në këtë vend, të tre trimat, bien pranë njëri-tjetrit, në fushën e nderit. Sikur nga pengu për ta çuar deri në fund përkushtimin ndaj dy bashkëluftëtarëve të plagosur, dëshmori lsa Kastrati, edhe në frymën e fundit kishte marrë pozicionin të kthyer drejt Sokolit dhe Afrimit.
Në shenjë mllefi për humbjen e pësuar në këtë betejë të pabarabartë me luftëtarët çlirimtarë, militarët serbë e djegin automjetin e UÇK-së, si dhe shtëpinë ku ishte organizuar prita prej tyre.
Dy ditë më vonë, më 23 prill, trupat e dëshmorëve i varros Ramë Haxholli nga Mareci dhe bashkëfshatarët e tij, në vendin e rënies, në afërsi të shkollës së fshatit. Më 2 dhjetor të vitit 1999, ata u rivarrosën në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, me ceremoni ushtarake. Me heroizmin e tij, duke luftuar si një sokol i vërtetë kundër kuçedrës serbe, dëshmori Sokol Sopi ia rriti lavdinë luftës sonë çlirimtare, rinisë trime, tërë popullit shqiptar dhe ushtrisë së tij, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jetën e tij, në moshë të re ai ia la peng lirisë së synuar të Kosovës.
Qëndresa dhe heroizmi i dëshmorit Sokol Sopi janë përjetësuar në shkrime të shumta, e në veçanti do të përjetësphen në ndërgjegjen e brezit çlirimtar të kohës sonë e të brezave që do të vijnë. Ato do të bëhen pjesë e kujtesës sonë historike.
Për gjakun e derdhur të birit të tyre, familjes së dëshmorit, Sokol Sopi, nga Ministria e Mbrojtjes s Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, i është akorduar mirënjohja “Nderim” (N.M)