Sokol Paja: Federata Pan-Shqiptare e Amerikës, Vatra, promovoi veprat e publicistit e shkrimtarit, Adem Lushaj

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi veprat e Adem Lushaj: “Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit” dhe “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore (si u konfiskuan pronat private nga Manastiri i Deçanit)”.

Libri “Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit”, botim i  “Jalifat Publishing”, përmban mbi 300 dëshmi të viktimave dhe dëshmitarëve të krimeve serbe ndaj popullatës së Deçanit, Junikut dhe fshatrave të Pejës, Gjakovës dhe Klinës. Dëshmitë e mbledhura gjatë periudhës korrik-dhjetor 1999, dëshmi të mbledhura së bashku me Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG) dhe Tribunalin e Hagës, janë të përkthyera edhe në Gjuhën angleze dhe turke. Në këtë libër janë përfshirë edhe dhunimet seksuale të ndodhura në disa fshatra të Deçanit. Në librin “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore”, prezanton zhvillimet që kanë ndodhur rreth faljes së pronave të ndërmarrjeve publike APIKO dhe ILIRIA në Deçan, falje që më vonë ishte njohur edhe nga Kolegji i Specializuar e Gjykatës Supreme dhe Gjykata Kushtetuese. Në këtë libër janë bashkëngjitur edhe vendimet e këtyre gjykatave dhe dëshmi tjera të cilat prezantojnë atë se çfarë kishte ndodhur rreth pronave publike dhe pakënaqësitë ë e qytetarëve të Deçanit. Me pjesëmarrjen e aktivistëve të shquar të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë, Ramiz Tafilaj, drejtor i “Jalifat Publishing”, autori Adem Lushaj.

Kryetari i Komunës së Deçanit, z Bashkim Ramosaj, dhe drejtori i Shërbimeve Civile në Komunë e Deçanit z. Jashar Dobraj u pritën përzemërsisht prej vatranëve e patriotëve të New York-ute më gjërë. Në fjalën e mirëseardhjes nga Rrustem Gecaj “Nderi i Kombit” personalitet absolut dhe veprimtar i shquar në mërgatën e Amerikës u theksua rëndësia e suksesit dhe botimit të librave historikë dhe z.Gecaj premtoi se sponsorizon në emër të Vatrës botimin në serbisht të këtyre veprave për të denoncuar krimet e tmerrshme të serbëve në Kosovë. Në fjalën e tyre Lek Përlleshi dhe veprimtari Agim Aliçkaj diskutuan rreth krimeve serbe, planeve serbe për të zhdukur kombin shqiptar dhe nevojën për të shkruar rreth krimeve e masakrave serbe në Kosovë. Ramiz Tafilaj, drejtor i gazetës së Alpeve vlerësoi Vatrën dhe mërgatën e Amerikës në përpjekje për Shqipërinë e Kosovën dhe nevojën për përkthimin e veprave dhe fakteve historike për Kosovën dhe krimet serbe ndër shqiptarë. Z. Tafilaj vlerësoi gazetën Dielli për dokumentimin historik të historisë së shqiptarëve dhe duskutoi rreth  gazetës së Alpeve si kontribut komunitar dhe atdhetar. Bashkim Ramosaj, kryetari i Komunës së Deçanit shpjegoi ringritjen dhe rimëkëmbjen e Deçanit e Kosovës që pas luftës deri në ditët e sotme.

Ai vlerësoi autorët që kanë shkruar për Deçanin dhe historinë e Kosovës. Theksoi nevojën e botimit të librave historikë me argumente shkencore e fakte historike rreth Kosovës dhe ekspozimit të krimeve e gjenocidit serb në Kosovë.

Ai çmoi bashkëjetesën fetare me devizën “feja e shqiptarit është shqiptaria” e ardhur që nga Rilindja Kombëtare, nevojën për zhvillim ekonomik të rajonit dhe vlerësoi mërgatën për kontributin e saj patriotik. Autori Adem Lushaj ekspozoi krimet e tmerrshme serbe në Deçan dhe përmbajtjen e dëshmive të botuara në librat e tij ku faktojnë gjenocidin serb mbi shqiptarët.

Pas fjalës së gazetarit dhe aktivistit Shkumbin Tetaj, arkëtari i Vatrës Besim Malota falenderoi pjesëmarrësit në emër të kryetarit Dr. Elmi Berisha dhe solli një dëshmi të krimeve të Serbisë në Junik e Deçan. Ceremonia e promovimit u mbyll me dhurimit ndaj Vatrës prej kryetarit të Komunës së Deçanit, z.Bashkim Ramosaj të stemës zyrtare të Komunës. Një tjetër aktivitet i shkëlqyer patriotik e kulturor prej Federatës Vatra si lideri i padiskutueshëm patriotik e atdhetar në mërgatën shqiptare të Amerikës.

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …