Solidaritet i madh i Malishevës me zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri

Komuna e Malishevës në dy ditët e fundit ka treguar solidaritet të jashtëzakonshëm me qytetarët e Shqipërisë, përkatësisht të zonave të prekura nga tërmeti. Edhe mbrëmë, një konvoj prej afro 30 automjeteve (kamion, kombibus dhe vetura të përshtatshme për bartje), me ndihma të grumbulluara, ka mbërritur në zonën e Bashkisë së Krujës, përkatësisht në Thumanë, në përkrahje të vëllezërve në këtë pjesë, e cila është edhe më goditura nga tërmeti. Konvoji me ndihma, të cilat në mënyrë të organizuar janë grumbulluar gjatë ditës, është përcjellë nga Shtabi komunal për grumbullimin, menaxhimin dhe transportin e ndihmave, i përbërë nga Ragip Begaj, Kryetar i Komunës, Rrahim Morina, kryesues i Kuvendit të Komunës, Halit Mazreku, koordinator i shtabit, Alban Mazreku, anëtar, Alban Krasniqi, anëtar dhe përfaqësuesi nga komuniteti i bizneseve në Malishevë, Qëndrim Kryeziu, si dhe qytetarë të shumtë, aktivistë të cilët kanë grumbulluar ndihma dhe vullnetarë të tjerë të organizatave rinore. Pas mbërritjes dhe dorëzimit të ndihmave të grumbulluara, delegacioni nga Malisheva, e ka vizituar Komunën e Thumanës, ku e ka parë nga afër gjendjen, ndërsa nga autoritetet lokale është njoftuar me situatën dhe nevojat që kanë popullata e cila vazhdon të qëndroj në ambient të hapur. Begaj, Morina dhe anëtarët e tjerë të shtabit komunal të Malishevës, janë takuar edhe me kryebashkiakun e Krujës, Artur Bushi, të cilit i kanë shprehur ngushëllimet më të thella për jetët e humbura dhe keqardhjen për dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Po ashtu, krahas ndihmave, ai është njoftuar edhe me gatishmërinë e qytetarëve të Malishevës, për të strehuar banorët të cilët kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Kryebashkiaku Bushi, e ka njoftuar delegacionin e Malishevës, me gjendjen aktuale, si dhe i ka falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme, nga dita e parë e tërmetit. Sipas autoriteteve lokale në zonës së Krujës, përkatësisht të Komunës së Thumanës, banorët kanë nevojë për ushqime të konservuara të cilat mund të ruhen dhe për gjëra higjienike, të përshtatshme për të jetuar në ambient të hapur. Gjithashtu gjatë ditës së djeshme, ndihma në Shqipëri janë dërguar edhe nga qytetarë dhe vullnetarë të tjerë, në mënyrë të vazhdueshme.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …