Sot, në një vizitë të veçantë në Radion Kosova e Lirë,” ishin të pranishme ish-ministrja e Arsimit të Republikës së Shqipërisë, e nderuara znj. Tefta Cami, si dhe znj. Izmina Haxhiaj, një nga drejtueset e larta në Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë. Ato u shoqëruan nga dy zonja të respektuara, Dhurata Fida Bardoniqi dhe Zirako Sela. Vizita e tyre shprehu vlerësimin dhe përkrahjen për punën e rëndësishme që zhvillohet në këtë institucion mediatik shqiptar. Gjatë vizitës, znj. Tefta Cami shprehu interes të veçantë për një takim me drejtorin e Radios “Kosova e Lirë,” z. Ahmet Qeriqi. Për fat të keq, z. Qeriqi nuk ishte i pranishëm për arsye shëndetësore, gjë që la një boshllëk në mikpritjen e zakonshme të institucionit. Megjithatë, bashkëbisedimi që zhvilluan mysafirët ishte i frytshëm dhe i përqendruar në çështje të përbashkëta të rëndësishme, duke theksuar idealin e përbashkët për zhvillimin dhe përparimin e atdheut. Në shenjë respekti dhe nderimi, të ftuarave iu dha nga një kopje e librit “Betimi i Motrës,” botim i profesor Ahmet Qeriqit, i cili përbën një nga vlerat e rëndësishme të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Takimi përfundoi me urimet më të përzemërta për shërim të shpejtë dhe të plotë të z. Qeriqi, i cili njihet si një intelektual poliedrik dhe një figurë unike në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare përmes punës së tij të pandalur në fushën e medias dhe kulturës.
Kontrolloni gjithashtu
Kaja Kallas: Dialogu Kosovë-Serbi, një rrugë për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor
Kandidatja për Përfaqësuese të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja …