Sot ka ndërruar jetë Prof.Dr. Nuri Bashota i cili tërë jetën e tij dha kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit

Sot ka ndërruar jetë Prof.Dr. Nuri Bashota i cili tërë jetën e tij dha kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit

Njoftojme se sot ka ndërruar jetë Prof.Dr. Nuri Bashota i cili tërë jetën e tij dha kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit. Varrimi i të ndjerit bëhet me datë 30.12.2020 e mërkurë në ora 13:00 në varrezat e qytetit në Gjakovë.

Prof. Dr. Nuri H. Bashota lindi më 8 dhjetor 1933 në Gjakovë, ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin e ulët, ndërsa Gjimnazin Real Shqiptar në Prishtinë. Në vitin 1960 u diplomua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Beogradit. Njëherësh, gjatë viteve 1963-1964 përfundoi studimet postdiplomike (Troisieme Cycle) në Universitetin e Parisit – Sorbonë, si bursist i OECD-së. Në vitin 1974 doktoroi nga shkencat ekonomike në Universitetin e Zagrebit.

Prof. dr. Nuri H. Bashota ishte një ndër themeluesit e Fakultetit Ekonomik të Prishtinës, në të cilin punoi 40 vite, nga u pensionua si Profesor Emeritus. Së fundi ishte Kryetar i Bordit të Universitetit “ILIRIA” në Prishtinë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar për Shkencë pranë MASHT-it të Republikës së Kosovës.

Gjatë punës së tij shumëvjeçare, kreu shumë detyra me rëndësi mësimore-shkencore: Dekan i Fakultetit Ekonomik, Drejtor i Entit për Kërkime Shoqërore-Ekonomike të Fakultetit Juridik-Ekonomik, Kryetar i Lidhjes së Ekonomistëve të Kosovës, Nënkryetar i Unionit të Ekonomistëve Shqipëtar në Tiranë, Nënkryetar i Seksionit Shkencor të Lidhjes së Ekonomistëve të ishJugosllavisë, Kryetar i Këshillit Botues të revistës “Përparimi”, Kryeredaktor i revistës shkencore “Economia”, të revistës shkencore ndërkombëtare “ILIRIA”, të revistës shkencor “Universum Jurnal” etj.

Prof. Dr. Nuri H. Bashota është autor i më se 150 punimeve shkencore e profesionale të publikuara në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja, si dhe i 18 projekteve të aplikuara shkencore dhe 8 teksteve universitare nga lëmi i shkencave ekonomike. Njëherësh, si politekonomist e dha një kontribut të veçantë në hartimin e këtyre dokumenteve të rëndësishme: Koncepcioni dhe strategjia e zhvillimit shoqëroro-ekonomik afatgjatë të Kosovës 1975-1985 dhe 1985-2000 si dhe të Politikës ekonomike të Kosovës, në të cilat dokumente është mbështetur zhvillimi ekonomik i Kosovës në të kaluarën.

Me punën e tij të frytshme shumëvjeçare shkencore dhe pedagogjike la gjurmë të pashlyeshme, si në krijimin e kuadrit të ri profesional-shkencor ashtu edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës gjatë periudhës së kaluar. Për këtë dëshmojnë mirënjohjet me të cilat është nderuar nga institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare.

Kujtojmë që vitin e kaluar, Prof. Dr. Nuri Bashota nga Kryetari i Komunës, Ardian Gjini është shpallur “Nderi i Gjakovës”.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …