Skenderbeu

Sot kudo në trojet shqiptare shënohet 550-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut

Sot, me aktivitete të ndryshme kulturore, tematike, shkencore,  kudo në trojet shqiptare dhe në mërgatë do të shënohet 550-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Në shënim të kësaj date me rëndësi kombëtare, Qeveria e Shqipërisë vitin 2018 e ka shpallur  Vitin e Skënderbeut. Manifestimet dhe aktivitetet në përkutjim të Motit të Madh do të mbahen  gjatë tërë vitit. Jeta dhe vepra e Skënderbeut janë vënë në bazament të identitetit kombëtar të shqiptarëve, sidomos nga koha e Rilindjes sonë Kombëtare e cila u manifestua me programin politik dhe ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për krijimin e një Shqipërie unike të katër vilajeveve shqiptare të kohës.

Sot, 550 vjet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, kemi dy shtete shqiptare në Ballkan. Shqipërinë e cila ka shpallur pavarësinë më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe Kosovën e cila pavarësinë e saj e ka shpallur më 17 shkurt të vitit 208. Shqiptarët në Maqedoninë ilirike kanë përparuar në drejtim të realizimit të të drejtave të tyre kombëtare, ndërsa shqiptarët e tri komunave të Kosovës Lindore kanë mbetur nën Serbi, ashtu sikur edhe trojet shqiptare nën Mal të Zi. Arvanitasit në Greqi kanë humbur identitetin e tyre kombëtar e gjuhësor, por kanë ruajtur dhe ruajnë me fanatizëm identitetin kulturor. Më e dhembshmja në tërë këtë histori është Çamëria e zbrazur tërësisht nga çamët, të cilët janë dëbuar dhunshëm nga trojet e tyre, ndërsa Greqia pretendon se kjo çështje nuk ka ekzistuar as ekziston.

Sot me pietet përkujtojmë  arbëreshët e Italisë, të cilët për 550 vjet të mërgimit të tyre kanë ruajtur gjuhën, kulturën, traditat, të lidhura ngusht me Motin e Madh, me kujtimin për kryetrimin e Shqipërisë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Fenomeni  arbresh në ruajtjen e identitetit kombëtar meriton një përkujdes të veçantë, jo vetëm me përmasa kombëtare, por edhe botërore, sepse është i vetmi entitet në Evropë, i cili  për 550 vjet  ka ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat kombëtare në një shtet të huaj, gjithsesi mirëpritës, sikur ka qenë dhe është për ta Italia, Atdheu i tyre i dytë, ku ata asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk u persekutuan, nuk u ndoqën dhe nuk u bë ndonjë presion në asimilimin e tyre, sikur ka ndodhur me shqiptarët në Greqi e në vendet e tjera të Ballkanit.  Ideja që identiteti arbresh të njihet si vlerë e veçantë e trashëgimisë kulturore në UNESCO, duhet të mbështetet fuqishëm, në mënyrë institucionale nga Shqipëria dhe Kosova, pse jo edhe nga Italia mike.

Shqiptarët kudo ku janë, kudo ku jetojnë në trojet e tyre etnike apo të shpërndarë në katër anët e rruzullit tokësor, ata që kanë në mendje dhe zemër kombin e Atdheun me të drejtë ndihen Skëndebegas, pavarësisht, përcaktimit të tyre fetar,  politik apo ideologjik. (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …