Në ditën e dytë të aktiviteteve në Pejë, që mbahen në kuadër të 5 Majit Ditës së Dëshmorëve të Kombit, janë zhvilluar shumë aktivitete tematike e përkujtimore.
Në orën 12:00 u bënë homazhe te lapidaret e shtatoret në qendër të qytetit, për të vazhduar me Akademinë Përkujtimore në Kinoteatrinm Jusuf Gërvalla, ku morën pjesë ish Zv. Komandanti i ZO të Dukagjinit gjeneral Nazmi Brahimaj, ambasadori i Republikës së Shqipërisë Qemal Minxhozi, anëtarë të qeverisë së Kosovës, deputetë e komandantë të UÇK-së, familjarë të Dëshmorëve e shumë personalitete nga jeta shoqërore e Pejës. Të pranishmëve iu drejtua Ali Berisha zv.ministër, ambasadori Qemal Minxhozi, u lexua kumtesa tematike e Shoqatave të dala nga Lufta, si dhe një video mesazh nga Kryeministri Ramush Haradinaj. Pjesa foljore u përmbyll nga Safete Shala, në emër të familjeve të Dëshmorëve.
Me rastin e 5 Majit, OVL UÇK Pejë, dekoroi me Medale për Merita të Veçanta, prindërit Osman e Naxhie Dervishaj (post mortum) që dhanë 3 djem dëshmorë: Mentorin, Menhendin dhe Menderesin; prindërit Cenë e Hylë Rexhaj që dhanë 3 djem dëshmorë: Mehmetin, Ajetoin dhe Hetemin; Kolonel Abdyl Mushkolaj dhe Gjeneral Lahi Brahimaj. Në akademi u shfaq një kolazh i shkurtër me aktivitetet e OVL UÇK Pejë brenda një viti, si dhe një program artistik nga aktori Basri Lushtaku dhe Kori i Fakultetit të Arteve. Në pjesën tjetër të ditës, u zhvilluan garat tradicionale sportive, në Streetball, ku vendin e parë e fitoi ekipi “Valdet Zeka” nga Peja, në Shenjëtari, ku tri vendet e para i fituan Korab Begolli, Kushtrim Sinani dhe Fitim Alija, ndërsa në Shah vendet e para u fituan nga Salih Sutaj, Besim Berisha dhe Xhevdet Kurbogaj. Sot me 6 maj, në kuadër të këtij Manifestimi, do mbahen garat në Futboll dhe Pingpong.
Aktivitetet e 5 Majit, përmbyllen në Prishtinë, në orën 17:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, ku do mbahet Akademi përkujtimore për heroin e kombit, Luan Haradinaj.