Sot, në 40-vjetorin e rënies së dëshmorit, Nazmi Muja, në fshatin Gradicë të komunës së Drenasit, duke filluar nga ora 12:00, u bënë homazhe, në nderim dhe përkujtim të dëshmorit, i cili ishte vrarë mizorisht nga zyrtarë të shërbimit sekret të ish-Armatës Jugosllave. Në vazhdim të aktiviteteve, në orën 14:00 nën përkujdesje zyrtare, në ambientet e Shtëpisë së Kulturës të Komunës së Drenasit, të mbushur përplot me të ftuar, u shfaq filmi dokumentar i TV-Diellit për dëshmorin, Nazmi Avdullah Muja.
Pas shfaqjes së filmit, me një fjalë rasti për vrasjen e ushtarëve shqiptarë në ish Jugosllavinë dhe përpjekjet e regjimit për t’ i paraqitur të gjitha vrasjet e tyre si vetëvrasje, në kohën e regjimit të Titos e më pas në Serbinë e Millosheviqit, foli nënkryetari i komunës, Arben Shala.
Në fund, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, pas përshëndeti familjen Muja dhe të pranishmit në këtë aktivitet tematik e përkujtimor, i ndau mirënjohje familjes së dëshmorit, Nazmi Avdullah Muja.
Në fjalën përmbyllëse, konferencieri, Naim Krasniqi përshëndeti dhe falënderoi të gjithë të pranishmit, kryetarin e komunës, Ramiz Lladrovci dhe stafin e tij, si dhe TV-Diellin, realizues i këtij dhe i filmave të tjerë për dëshmorët e kombit.