Sot në aksin e vijës malore, Berishë-Maja e Pallanikut ka filluar faza e parë e ndërtimit të rrugës, për te Bunkeri i Luftës i Radios-Kosova e Lirë. Pas afër 24 vjet të ekzistimit të Radios-Kosova e Lirë, pas shumë e shumë përpjekjeve, më në fund filloi faza e parë e ndërtimit të rrugës, për te Bunkeri i Luftës.
Radio Kosova e Lirë, në vitin 2003 kishte arritur që me punë vullnetare, nga luftëtarët e UÇK-TMK-së dhe ndihmës së disa donatorëve, të rregullonte Shtëpinë Muze, po në fshatin Berishë, ku ndodhet i arkivuar tërë materiali shkrimor dhe radiofonik i kohës së luftës, pastaj mjete dhe pajisjet e shumta, nga ku edhe bëhet transmetimi i programit.
Pronari i firmës “Ardi”, Mentor Hoti, luftëtar i lirisë, anëtar i stafit të Radios gjatë luftës, ka marrë përsipër t’ i kryejë punimet në këtë territor shumë të përthyer malor me shtresa të shumta gurore.
Mbështetjen financiare për këtë fazë të realizimit të ndërtimit të rrugës e ka dhënë prof. dr. Xhavit Lipaj, një veprimtar i mirënjohur dhe kontribues i jashtëzakonshëm i mbrojtjes së vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të përkujtojmë me këtë rast, se drejtoria e Radios-Kosova e Lirë ka bërë përpjekje të pareshtura që institucionet e Shtetit ta marrin në mbrojtje Shtëpinë Muze, në fshatin Berishë dhe ta rregullojnë rrugën deti te Bunkeri i Radios, tashmë i rrënuar në Majën e Pallanikut, por nuk ka gjetur mirëkuptim as përkrahje.