Sot në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë u përurua libri, “Gjashtë ditë sa një jetë” i autorit, Apostol Duka. Ky libër i kushtohet jetës dhe veprës së dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Labinot Krasniqi, i cili ka rënë heroikisht më 6 qershor të vitit 2001, në Mateq të ish-RJ të Maqedonisë.
Me rastin e përurimit, ku ishin të pranishëm edhe veprimtarë e autoritete nga Shqipëria, disa vargje nga libri, i lexoi koloneli dhe oficeri i UÇK-së, Dilaver Goxhaj. Fjalën vlerësuese për librin e mbajti, veprimtari, Avni Dehari i cili lavdëroi punën e përkushtuar të autorit të librit, Apostol Duka. Një fjalë rasti në përurimin e librit e deklamoi edhe ish-ministrja e Kulturës së kohës së Enver Hoxhës, zonja Tefta Cami, e cila në kontest të përmbajtjes së librit tha se nacionalizmi shqiptar, në të gjitha periudhat e së kaluarës e ka ruajtur dhe e ka unifikuar kombin, pavarësisht ideologjive të caktuara. Për librin foli edhe veprimtari, Emin Kabashi, i cili segmentoi disa vlera letrare, tematike e dokumentare të këtij libri kushtuar dëshmorit të kombit, Labinot Gani Krasniqi. Në fjalën e tij para të pranishmëve, autori i librit: Gjashtë ditë sa një jetë, Apostol Duka u shpreh tejet entuziast me pritjen, nderimin dhe organizimin e përurimit të librit të tij. Ai falënderoi familjen Krasniqi dhe familjet e të gjithë dëshmorëve të kombit për gjakun që i falën çlirimit të Kosovës nga okupimi serb. Në emër të familjes së dëshmorit, të pranishmit i përshëndeti, emnaku, Labinot Krasniqi, 15-vjeçar i cili mbanë emrin e xhaxhait të tij dëshmor.