Në përkujtim të jetës dhe veprës së doktor, profesor Muhamet Pirrakut, sot në orën 11.00, në sallën e Institutit Albanologjik të Prishtinës, mbahet Akademi përkujtimore. Në orën 13.00 në vendlindjen e tij në Flamuras, (ish Sankoc) të Drenicës zbulohet edhe përmendorja. Muhamet Pirraku ka qenë studiues i zellshëm dhe i përkushtuar i historisë kombëtare, i burgosur politik në vitin 1981, veprimtar i Lëvizjes për pajtimin e Gjaqeve në vitin 1990 dhe përkrahës e pjesëmarrës i proceseve politike për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Ka shkruar dhe ka botuar rreth 40 vepra me karakter historik, monografi dhe studime me rëndësi shkencore.
Programi i Akademisë Përkujtimore:
Prof Dr. Hysen Matoshi, Veprimtaria kërkimore dhe shkencore e Prof. Dr. Muhamet Pirraku
Film Dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së Prof Dr. Muhamet Pirraku
Fjale përshëndetëse: Lulezim Pirraku
Fjala e mbylljes: Prof. Dr Lulzim Lajçi.
Ahmet Qeriqi: Dr. Muhamet Pirraku i ka dhënë shumë shkencës së historisë, Kombit e Atdheut
Ai ishte në mesin e historianëve e veprimtarëve të vendit, i cili në asnjë segment të punës së tij shkencore nuk bëhej zap, nuk ndalonte rrugëtimin, por gjithnjë bënte një hap tutje, gjithnjë shkonte më tej, në kërkim të dijes dhe në gjurmim të së vërtetës, të asaj të vërtete, që qëndron në ballë të universit dhe për zbardhjen e së cilës është dashur dhe gjithnjë duhet të derdhet shumë mund dhe shumë përballje me forcat e errësirës, të cilat nuk kanë pushuar as po pushojnë dot për ta mjegulluar atë, për ta deformuar dhe për ta tjetërsuar.
I lindur dhe i rritur në Drenicën e heroizmit dhe kryengritjeve shqiptare nga shekulli në shekull, dr. Muhamet Pirraku, interesimin e tij për ta ndriçuar historinë shqiptare e kishte edhe frymëzim familjar, duke qenë pjesëtar i një familjeje të përndjekur nga regjimet okupatore.
Në hulumtimet dhe studimet e tij, ka arritur të lërë gjurmë të thella në ndriçimin e shumë segmenteve studimore nga e kaluara e sidomos nga periudha e Rilindjes Kombëtare dhe nga historia e vazhdueshme e Rezistencës kombëtare, deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës e më pastaj, gjithnjë në përpjekje të vazhdueshme për t’ i ruajtur vlerat e mirëfillta kombëtare. Ishte thellë i vetëdijshëm se politikat ne caktuara kanë deformuar dhe deformojnë historinë, andaj me tërë qenien iu përkushtua ndriçimit të së vërtetës dhe ruajtjes me çdo kusht të identitetit kombëtar të shqiptarëve, i cili jo vetëm njëherë ishte rrezikuar si nga Roma e Bizanti, ashtu edhe nga Perandoria Osmane dhe nga sllavët.
Në mesin e një duzine të librave të botuara, një përkushtim të madh historiani, Muhamet Pirraku i ka kushtuar veprimtarit të mirënjohur të çështjes kombëtare, Hasan Prishtina, jetën dhe veprën e të cilit e ka analizuar në të gjitha segmentet, me fakte relevante historike dhe me studime interdisiplinare. Duke qenë i lidhur ngushtë me këtë personalitet të historisë sonë, duke qenë njohësi më i mirë dhe më i thellë i biografisë së tij, ai edhe pse i rënduar nga shëndeti, në dy vitet e fundit të jetës u detyrua sërish ta “zhvesh shpatën”, asht usi dikur “Gjergj Elez Alia” i kujtesës popullore shqiptare, për ta mbrojtur Hasan Prishtinën nga pseudoshkenca dhe nga manipuluesit e sotëm, të cilët pretendojnë që me para të blejnë madje edhe origjinat e personaliteteve të mëdha të kulturës dhe historisë sonë kombëtare.
Ishte mllefosur dhe ishte zemëruar tej mase me rastin e botimit të një “monografie” të shkruar me porosi nga një “historian”, ku pa asnjë bazë të mirëfilltë shkencore, pretendohej të deformohej madje edhe origjina e Hasan Prishtinës, për të nxjerrë pasardhës të klonuar, me qëllim për ta përforcuar Lëvizjen pacifiste, duke harruar se Jeta dhe Vepra e Hasan Prishtinës kishte qenë dhe kishte mbetur Alfa dhe Omega e historisë së rezistencës aktive, kishte mbetur shembulli nga ku ishte frymëzuar dhe kishte vazhduar historia e rezistencës, deri në përmbyllje të një kapitulli të rëndësishëm të saj, me tri luftërat tona çlirimtare.
Pavarësisht mundit të tij jetësor për ta ndriçuar çdo segment të jetës së Hasan Prishtinës, me rastin e zbulimit të Shtatores së tij, më 28 nëntor 2011 para Fakultetit Filozofik, në Prishtinë, ai u anashkalua, me qëllim të caktuar, tendencioz dhe të papërgjegjshëm. Ishte kjo një goditje tjetër, në kohën kur shëndeti po i rrënohej, po ai nuk po jepej. Me aq forcë që i kishte mbetur në muajt e fundit të jetës kishte arritur ta nxirrte në dritë monografinë e plotë shkencore për Hasan Prishtinën, duke i ndërtuar bazamentin e vërtetë dhe të përjetshëm.
Dr. Muhamet Pirraku i ka dhënë shumë shkencës së historisë, i ka dhënë shumë Kombit e Atdheut dhe nuk ka marrë asgjë për vete, nuk ka përvetësuar asgjë, përveç diturisë, mençurisë dhe të mirave që i ka gëzuar falë punës së vet, djersës e mundit.
Ai do të mbetet shembulli i historianit këmbëngulës, i historianit atdhetar, i cili eci hapave të rilindësve, hapave të Lëvizjes Kombëtare shqiptare, hapave të luftës për liri, duke qenë një kronist realist dhe gjithnjë besnik i së kaluarës, interpretues e hartues i teksteve të historisë, autor i rreth 50 veprave, qindra studimeve e mijëra shkrimeve të ndryshme autoriale.
Shembulli i jetës dhe punës së tij të palodhshme, korrektësia shkencore, dija historike dhe përgjithësisht dija shkencore, dr. Muhamet Pirrakun e radhisin në “Gardën e nderit” të historianëve shqiptarë.