Hasi Jehon

Sot në Has fillon Dasma Gjithëshqiptare

Edicioni i 27-ë i Festivalit folklorik “Hasi Jehon” nis sonte, në Kodrën e Pajtimit në fshatin Gjonaj, sikur është tradita me paraqitjen e Shoqërisë Kulturore Artistike  mikëpritëse “Malësori”. Festivali mbahet për tri net me radhë  me 2, 3 e 4 maj  në Kodrën e Pajtimit, në një ambient të mrekullueshëm, të përgatitur ekskluzivisht për festivalin Hasi jehon. “Si zakonisht kemi bërë përpjekje që të jemi në nivelin e duhur të përgatitjes, të pritjes dhe përcjelljes së mysafirëve” njofton Haziz Hodaj, drejtor i Festivalit “Hasi Jehon”. Në Festivalin “Hasi Jehon”  marrin pjesë shoqëri kulturore artistike që e kultivojnë folklorin burimor nga e gjithë gjeografia shqiptare. “Numri më i madh i pjesëmarrësve vjen nga Kosova, ndërsa edhe këtë vit me programet e tyre do të prezentohen edhe grupe nga Maqedonia, nga pjesa shqiptare e Malit të zi dhe nga  Shqipëria, të cilat shpresoj se me prurjet e tyre do të jenë në nivelin e duhur dhe do t’i përmbahen kritereve e festivalit “Hasi jehon” – thotë Hodaj. Organizatori ka bërë dhe po bënë vazhdimisht përpjekje që në kuadër të festivalit të zhvillohen  edhe aktivitete të tjera që e begatojnë festivalin. Sipas organizatorit sivjet përveç ekspozimit të prodhimit të bukës si zeje tradicionale e Hasit dhe ekzpozitës së veshjes hasjane, nëse  mban koha e mirë, pranë skenës së festivalit do ta organizohet edhe demonstrimi i gatimit por edhe i punimit me mjetet e duhura deri te finalizimi i veshjes hasjane. Drejtori i Festivalit Haziz Hodaj poho se edhe këtë vit, vështirësia tradicionale në organizimin e Festivalit janë mjetet financiare. “Edhe pse festivali është në agjendën e Drejtorisë së Kulturës të KK të Prizrenit dhe Ministrisë së Kulturës të Qeverisë së Kosovës, mbështjetja nuk mjafton për ta organizuar dhe realizuar gjithë projektin, kështu që përveç falenderimit për institucionet falenderoj edhe donatorët që janë dashamirë të këtij organizimi sepse të mos ishin këta vështirë do të realizohej i gjithë ky projekt” – tha Hodaj. Në fund ai njoftoi se  në edicionin e 27, përveç ShKA “Malësorit” që bënë hapjen dhe mbylljen e festivalit marrin pjesë 17 ShKA. Festivali nuk ka karakter klasik garuese megjithatë juria profesionale që e përcjell festivalin, vlerëson programet më të kompletuara. Krahas tri shoqërive që vlerësohen me çmimet tradicionale: Malësori, Malësorja, Lahuta janë edhe çmimet individuale që i marrin këngëtarët, valltarët, ritet etj. Nëse koha do të jetë me shi, programi do të realizohet në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Gjonaj. Ky festival sot quhet dasma hasjane, nëpër të cilën parakalon tradita e të gjitha viseve shqiptare, prandaj sot në Has nis dasma gjithshiptare.

Programi i edicionit të 27-të të Festivali Folklorik  “Hasi Jehon 2016”

2 maj – Dita e parë

Nga ora 18 – Ekspozita e prodhimit të bukës dhe demonstrimi i gatimit dhe e veshjes Hasjane dhe demonstrimi i punimit të tyre.

Nga ora 18 e 30 min – Hapja solemne dhe fillimi i festivalit.

  1. ShKA “Malësori” – Gjonaj
  2. Pallati i Kulturës “Pjestër Bogdani” – Krumë (Hasi i Shqipërisë)
  3. ShKA “Bajram Shabani”- Kumanovë
  4. ShKA “MUharrem e Xhevat Qena” Ramajë
  5. ShKA “Rapsha “ Drume (Tuz)
  6. Ansambli Rugova Pejë

3 maj – Dita e dytë

Nga ora 18 e 30 min

  1. AEK “Katarina Josipi” – Zym
  2. ShKA “Jonuz Ramadani” – Smirë (Viti)
  3. ShKA “ Drenica” – Skenderaj
  4. ShKA “Dëshmorët e Kombit – Obiliq
  5. ShKA “Bajram Curri” – Krushë e Madhe
  6. QK “Kamza” – Kamëz

4 maj – Dita e tretë

Nga ora 18 e 30 min.

  1. ShKA “ Shotë Galica” Drenas
  2. ShKA “Josip Rela” Podujevë
  3. ShKA “Besiana” Bresanë
  4. ShKA “Ilirida” Shkup

5.Ansambli “ Mitrovica” Mitrovicë

  1. ShKA “Malësori” – Përmbyllja

Historiku i Festivalit

ShKA “Malësori” është themeluar nga mësuesit e fshatit më 8 mars të vitit 1975. Që nga themelimi ShKA “Malësori” u mendua si një katalizator emancipimi për fshatin dhe rajonin. Sidomos në fillimet e para të aktivitetit, u përball me vështirësi, për ti kapërcyer ato, dhe për tu shndërruar sot në krenari, jo vetëm të fshatit Gjonaj, jo vetëm të Kosovës, por të pasurisë gjithëkombëtare folklorike.  Një vit pas themelimit “Malësori” organizoi festivalin e parë “Hasi Jehon”. Ky festival në fillim është quajtur Rivista e ShKA-ve dhe grupeve dramatike dhe ishte dedikuar për shfaqje artistike të grupeve të Hasit. Pas themelimit në vitin 1976, festivali u mbajt deri në vitin 1979. Në vitin 1980 festivali nuk u mbajt për shkaqe politike.  Në vitin 1983 Festivali “Hasi Jehon” rikthehet në skenë për të vazhduar çdo vit, deri në vitin 1988. Në vitet e tetëdhjeta “Malësori” ishte  shndërruar në një ShKA me potencial  të pasur kulturo –artistik, duke e prezantuar me sukses Kosovën në festivale ballkanike e ndërkombëtare. Festivali “Hasi Jehon” menjëherë pas luftës u rikthye fuqishëm me edicionet mbarëkombëtare të pjesëmarrjes së organizmave kulturor. Ky festival sot quhet “Dasma Hasjane”, e në këtë dasmë parakalon pasuria folklorike e gjithë gjeografisë shqiptare nga: Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Lugina e Preshevës. Nëpër vite festivali “Hasi Jehon” u shndërrua  në një nga ngjarjet më të organizuara dhe më të suksesshme kulturore në Kosovë. Nëpër vite zgjerohen aktivitetet që organizohen në kuadër të festivalit. Në vitin 2005  u organizua sesioni shkencor “ Tradita kulturore e Hasit”, ndërsa në vitet në vijim përveç sesioneve shkencore në çdo edicion hapej ekspozita e fotografive të veshjes hasjane dhe ekspozita e prodhimeve të bukës ndërsa këtë vit do të demonstrohen: gatimi dhe përgatitja e veshjes hasjane.

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …