Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku u diskutua për dialogun në mes të Kosovës e Serbisë, ka drejtuar akuza kundër kryeministrit Albin Kurti. Ai ka thënë se gjatë javëve të fundit, LDK-ja ka provuar të kuptojë më shumë rreth procesit të dialogut. Kaq pak transparencë e kaq shumë shpërfillje ndaj përfaqësuesve të popullit nuk ka mundur të tregojë askush asnjëherë. Sot në fjalimin e kryeministrit e kuptuam këtë dëmtim të rëndë të procesit dialogues. Na duhet t’i kujtojmë dy dokumente të rëndësishme. Është programi qeverisës i pari. Dhe i dyti është i gushtit 2022, ka thënë Abdixhiku, duke shtuar se kryeministri Kurti është duke folur për arritjen e një marrëveshje, e cila nuk është finale. Në dokumentin e parë, kryeministri flet për angazhimin e Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje finale, jo bazike. Pjesë e kësaj marrëveshjeje finale do të ishte njohja reciproke, de jure, me Serbinë. Njohja e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së, dhe anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Përmbajtjen e dokumentit të dytë jua rikujtova në seancën e kaluar ka thënë Lumir Abdixhiku.