Me aktivitete tematike e kulturore, sot në fshatin Berishë të komunës së Malishevës u bë përurimi i shkollës së re fillore në këtë të komunës së Malishevës. Në përurimin e shkollës kanë marrë pjesë kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, drejtori i shkollës, Lulzim Gegaj përfaqësues të familjes së atdhetarit, Rifat Berisha, banorë të fshatit Berishë dhe të ftuar të tjerë.
Me këtë rast kryetari Ragip Begaj, përshëndeti të pranishmit dhe foli për kontributin që ka dhënë komuna që ai drejton në ndërtimin e shkollave, meremetimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Ai foli edhe për kontributin e dëshmorëve e martirëve të kombit, duke veçuar me këtë rast atdhetarin, Rifat Berisha me të afërmit e tij, i cili kishte rënë për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe. Një fjalë rasti mbajti edhe drejtori i shkollës, Lulzim Gegaj, i cili çmoi rolin e komunës në ndërtimin e kësaj shkolle, Në emër të familjes Berisha të këtij fshati, foli veprimtari, Besnik Berisha, i cili përshëndeti të pranishmit dhe kontributin që ka dhënë komuna për shkollën dhe fshatin Berishë, e cila në kohën e luftës së UÇK-së ishte një bazë me rëndësi informative nga ku kanë emetuar program Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia e lajmeve Kosovapress.