Sot në fshatin Gurbardh të Komunës së Malishevës, është bërë rivarrimi i Rifat Berishës, i cili ishte zhdukur 27 vite më parë në Bosnje, gjatë luftës në atë vend. Pas kërkimeve të vazhdueshme të familjes, për 27 vite më radhë, janë gjetur eshtrat e tij dhe janë kthyer dje në vendlindje, ndërsa sot, është bërë rivarrimi i tij. Në ceremoninë e rivarrimit, krahas familjarëve, miqve dhe afërmve të tjerë, morën pjesë edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, pastaj Prenk Gjetaj, nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, si dhe përfaqësues të subjekteve politike në Malishevë. Në fjalën e rastit, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se “shqiptarët, me shekuj i ka përcjellë ky fat, që të zhduken në luftëra të ndryshme, ku shumë prej tyre, nuk janë gjetur asnjëherë, por Rifatin e ka thirr toka e vet dhe falë këmbëngulësisë së familjes, është gjetur dhe u kthye që eshtrat e tij të prehen në tokën ku ka lindur”. Ndërsa Prenk Gjetaj, në fjalën e tij, tha se “adresa e këtyre krimeve është Beogradi zyrtar, që nuk i tregon se ku është munduar ti fsheh gjurmët e krimeve të tyre, prandaj ftoj ndërkombëtarët që të ushtrojnë presionin e tyre, për zbardhjen e të gjitha rasteve të krimeve dhe ti tregojnë se ku i kanë varrosur të vrarët, duke u munduar që t’i fshehin gjurmët e krimit”. Në Komunën e Malishevës, nga lufta e fundit, vazhdojnë të jenë edhe 38 persona të zhdukur.
Kontrolloni gjithashtu
Pabarazia, injorimi i shqipes, mos përdorimi i simboleve kombëtare, kanë nxitur luftë të armatosur në Maqedoni, në vitin 2001
Pabarazia, injorimi i gjuhës shqipe, mos përdorimi i simboleve kombëtare, mungesa e përfaqësimi në Parlament dhe në …