Fatmir Sopi: Nëse një serb ka pasur arsye të vdes, për ta mbajtur në pushtim Kosovën, ne i kemi pasur 100 arsye të luftojmë për çlirim

Sot në Gjykatën Speciale ka vazhduar gjykimi kundër eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa

Sot  në Gjykatën Speciale po vazhdon  gjykimi kundër eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i njohur  gjatë kohës së luftës si komandant “Cali”. Gjykimi ka filluar më 15 shtator të vitit 2021.   Sot ka dëshmuar eprori i lartë i UÇK, Fatmir Sopi, në sesionin e parë të gjykimit në rastin e Salih Mustafës. Fatmir Sopi ka dëshmuar rreth Brigadës 153 dhe njësitit BIA. Duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Cezari Mihailcuk, Fatmir Sopi ka bërë të ditur se është kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Prishtinë dhe anëtar i kësaj organizate në nivel të Kosovës. “Kam një mandat qe katër vite, e pesta është tash”, tha Sopi. Ai ka thënë se gjatë luftës çlirimtare ka qenë anëtar i UÇK, që i është bashkuar në fillimet e saj të para, konkretisht në vitin 1998 dhe  ka pasur rol në themelimin e UÇK-së. “Unë kam kryer detyrën e organizatorit dhe shtirjes organizative të UÇK-së, në rajonin e Prishtinës dhe të Gollakut”, tha Sopi, i cili shtoi se që në fillim e ka luajtur këtë rol. Sopi ka konfirmuar kishte edhe njësi tjera të UÇK-së, të cilat qëndronin në regjionin e Gollakut, ndërkaq prokurori kërkoi të dinte nëse kishte ndonjë brigadë të krijuar në Gollak.

 

“Nuk di si mund ta quaj por organizimet e para të UÇK për regjionin e Karadakut kanë filluar në Gollak, si stacionim e kanë pasur Gollakun”, tha ai.

Tutje, ai deklaroi se Brigada 153 është formuar pas përfundimit të organizimit dhe përgatitjeve të duhura për plotësimin e nevojave dhe radhëve të UÇK-së, që ta përfaqësonin brigadën.

Lidhur me këtë brigadë, prokurori e ka pyetur se kur është krijuar kjo brigadë, kurse Sopi bëri të ditur se fillet organizative të saj i ka nga njësitet e formuara pothuajse në të gjitha fshatrat e Gollakut.

“Dhe me plotësimin e kushteve, radhëve me ushtarët e nevojshme dhe kur zona operative e Llapit e ka pa të arsyeshme se janë plotësuar kushtet për zyrtarizimin e kësaj brigade dhe themelimin e saj, është caktuar data nuk më kujtohet, në shkurt të vitit 1999”, ka thënë Sopi. Sopi ka thënë se në shtëpinë e tij, në shkurt të vitit 1999, në vendin ku shërbente si shtab i UÇK-së për brigadën 153 ka ardhur përfaqësuesi i zonës operative të Llapit, zëvendës komandanti i zonës Kadri Kastrati që ka bërë inaugurimin solemn të Brigadës 153.

“Kadri Kastrati ka qenë përfaqësues i zonës, sigurisht ka qenë i urdhëruar nga komandanti i zonës, Rrustem Mustafa”, ka thënë Sopi.

Gjatë kohës së inaugurimit, në shtëpinë e tij, ai bëri të ditur se nuk i kujtohen të gjithë personat prezent, por se i kujtohet ka qenë Rrahman Dini, edhe Sejdi Veseli, e ai personalisht. Për të tjerë, tha se nuk e di kush ka qenë tjetër.

“Komandanti i brigadës atë ditë nuk është emëruar”, ka thënë Sopi, e se Kadri Kastrati nuk ka deklaruar kush do të ishte komandant i brigadës, por se ka mbetur vend vakant, ndërkaq zëvendës komandant i brigadës është emëruar Sejdi Veseli.

Tutje, ai tha se meqenëse merrej me organizimin e UÇK në terren dhe ishte vazhdimisht në terren në fshatra të Gollakut, u caktua të jetë përgjegjës komandant i mbrojtjes civile. Kurse, shtoi se pozitat e tyre kanë ndryshuar, e se ka filluar si ushtar i thjeshtë, e më pas ka pasur pozitë edhe të zëvendës komandantit dhe komandantit të brigadës.

Në pozitën e zëvendëskomandantit tha se është emëruar nga komandanti Rrustem Mustafa, pas ofensivës së 18 prillit 1999. Ndërkaq, pozitën si komandant brigade e ka mbajtur kur ka përfunduar lufta dhe ka filluar demobilizimi i UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …