Sot në Gjykatën Speciale në Hagë është mbajtur konferenca mbi ecurinë e çështjes kundër eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Pjetër Shala. Palët kanë diskutuar për procesin e hetimit, përkthimet dhe nxjerrjen e materialeve. Mbrojtja e Shalës, avokati, Zhan Lui Zhilisen ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit që të publikohet versioni i redaktuar i aktakuzës dhe një gjë e tillë të diskutohet në konferencën e ardhshme. Ai ka thënë se aktakuza e korrigjuar të cilën Zyra e ka nxjerrë më 1 nëntor 2021, nuk është ende publike dhe sipas tij, një dokument i tillë i kësaj rëndësie duhet të bëhet publik sa më parë. “Më vjen keq që ky dokument kaq i rëndësishëm që është dokument themelor për këtë procedurë nuk është publik edhe pse kanë kaluar 15 ditë nga nxjerrja e tij dhe janë shumë të rëndësishme për Pjetër Shalën dhe për procedurën por në veçanti për ata që e ndjekin këtë procedurë, ka saktësuar avokati.
