Sot në Kuvendin e Kosovës deputetët debatojnë për dialogun që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në kërkesën e nënshkruar nga nëntë deputetë të PDK-së për debat parlamentar për dialogun me Serbisë thuhet se dialogu në dy vitet e fundit ka hyrë në një rrugë që nuk po shkon drejt një marrëveshje finale. Rrjedhimisht, mbetet shqetësuese edhe qasja e Qeverise së Kosovës në raport me disa çështje qe lidhen me këtë proces, duke përfshirë dhe mos u kufizuar edhe në raport me transparencën dhe llogaridhënien qe duhet ta karakterizojë të njëjtin”, thuhet në mocionin e PDK-së. Dialogu Kosovë-Serbi ka nisur më 2011 për çështje teknike e më pas ka kaluar në nivele politike. Më 2013 ishte arritur marrëveshja dhe ishin vendosur nënshkrimet e liderëve të dy vendeve. Aty, në pikën e parë, të dytë, të tretë, katërt, pesë dhe gjashtë flitet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Më 2015, ishte arritur marrëveshja për Asociacionin e cila më pas ishte shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila kishte konstatuar se disa pika të statutit të Asociacionit nuk ishin në përputhje me Kushtetutën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ka kanë kërkuar nga Kosova të themelojë menjëherë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për të vazhduar më pas me “Plani franko-gjerman”. Kryeministri Albin Kurti ka pranuar të themelojë një Asociacion por jo para se Kosova dhe Serbia të arrijnë njohje reciproke.
