Më 26 dhjetor të vitit të kaluar ishte mbajtur seanca konstituive e legjislaturës aktuale, ndërsa një vit më pas të njëjtit deputetë mblidhen ndoshta për herë të fundit për të votuar buxhetin e vitit të ardhshëm (2021) dhe disa marrëveshje ndërkombëtare. Kuvendi i Kosovës zyrtarisht ka njoftuar se sot më 28 dhjetor, në orën 11:00, do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2021. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka bërë të ditur javën e kaluar se seanca plenare është thirrur me kërkesë të më shumë se 40 deputetëve. Ndërkohë, PDK ka bërë të ditur se do të votojë pro miratimit të buxhetit.
