Sot në Malishevë u mbajt mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së luftëtarit dhe ish eprorit të UÇK-së, Shefqet Buçaj

Sot në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë, për përkujdesjen e OVL të UÇK-së dhe e mbështetur nga Komuna e Malishevës, është mbajtur një mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së ish veteranit të arsimit, luftëtarit dhe ish eprorit të UÇK-së, Shefqet Buçaj, i cili ndërroi jetë dje.

Në këtë mbledhje komemorative, ku morën pjesë zyrtarët të shumtë në nivel qendrorë e lokal, eprorë të lartë të FSK-së e Policisë, bashkëluftëtarë të Buçajt, mësimdhënës, ish nxënës të tij dhe qytetarë të shumtë, folësit evokuan kujtime dhe folën për jetën dhe veprën e kolonel Shefqet Buçaj, për kontributin e tij në arsim dhe në luftë, e deri në ditët e sotme.

“Ishte një njeri i kompletuar, një njeri me të gjitha tiparet e mira të një burri, të një mësuesi, një luftëtari, një njeri i kompletuar në të gjitha fushat, që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm në luftë, por në ndërtimin e shtetit. Ishte personifikimi më i mirë i emërtimit çlirimtar, ishte i gatshëm të sakrifikohet për lirinë e vendit, një mësues i cili përfundon në çlirimtar, sepse tërë jetën ja ka kushtuar lirisë. Ky ishte Shefqet Buçaj”, ka thënë mes tjerash, Fatmir Limaj, në fjalën e tij, me rastin e vdekjes së kolonel Buçajt, në këtë mbledhje komemorative.

Për kontributin e tij në luftë, ka folur Metush Kryeziu, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Malishevë. “Ai ishte një njeri i sfidave, një mësues i jashtëzakonshëm dhe atdhetar i madh”, tha mes tjerash Kryeziu, i cili ka vlerësuar lartë kontributin e kolonel Shefqet Buçaj, para luftës, gjatë luftës dhe në ndërtimin e Ushtrisë së Kosovës, përkatësisht në TMK, ku edhe ishte pensionuar.

Në emër të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili gjendet jashtë vendit, ka folur drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi, e cila i ka shprehur ngushëllime familje, në emër të qeverisë komunale. Ajo gjithashtu ka folur edhe për kontributin e Shefqetit në arsim, ku nga 1974 e deri më 1998, ka dhënë kontribut të madh, jo vetëm në arsim por edhe në fushën e kulturës, si dhe në edukimin e brezave në fushën e atdhedashurisë.

Për jetën dhe veprën e kolonel Shefqet Buçaj, në emër të fshatit ka folur veterani i arsimit, Ramadan Bibaj, ndërsa në emër të familjes, ka folur Albana Buçaj, e cila edhe i ka falënderuar të gjithë për nderimin dhe vlerësimin që i është bërë xhaxhait të saj.

Veterani i arsimit dhe luftës, kolonel Shefqet Buçaj është varrosur sot, pranë varrezave të dëshmorëve të Birgadës 121, në Kleçkë.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …