Sot në moshën 97-vjeçare ka ndërruar jetë, heroi grek i rezistencës, Manolis Glezas, mik i shqiptarëve

Sot në moshën 97-vjeçare ka ndërruar jetë, heroi grek i rezistencës, Manolis Glezas, mik i shqiptarëve

Heroi legjendar i Rezistencës Antifashiste, Manolis Glezos, ka ndërruar  jetë në moshën 97-vjeçare,  si pasojë e një ataku kardiak.

Manolis Glezos është Hero Kombëtar i Greqisë. Ai është një nga figurat emblematike të luftës së popullit grek kundër nazifashizmit. Por edhe më pas, një luftëtar trim dhe kryengritës kundër juntës ushtarake, që e drejtoi vendin për 7-8 vjet. Në Greqi gëzonte një respekt dhe simpati të jashtëzakonshme, nga të vjetër dhe të rinj. Por edhe në Europë ka një emër të njohur. Është heroi i famshëm i Akropolit, kur më 30 maj 1941, në moshën 19-vjeçare, me guxim të pashoq, u ngjit në kolonat më të larta të Akropolit antik dhe hijerëndë, simbol i historisë së lashtë dhe e kulturës së antikitetit, hoqi flamurin gjerman të pushtimit…

Manolis Glezos ishte edhe një mik i madh i shqiptarëve, dashamirës i historisë dhe kulturës sonë. Dy vjet më parë duke kundërshtuar insinuatat e ministrit të Arsimit gjatë një debati ku u përmend Shqipëria, shpërtheu në mes të parlamentit: “Grekët dhe shqiptarët janë dy popuj fqinj të cilët duhet të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin” Pastaj iu drejtua ministrit K. Arvanitopoulos duke i thënë. “Ti vetë ke mbiemrin Arvanitis! Pra Shqiptar”… Para dy muajve ai tha një shprehje proverbiale ekskluzive për gazetën DITA mbi luftën tonë antifashiste dhe sulmet që po i bëjnë asaj neofashistët e sotëm: “E dhimbshme, por mos u çudisni. Neofashizmi po godet edhe në Greqi e në vende të tjera. Ju duhet të krenoheni me atë luftë. Mos i hidhni verës ujë. Fashizmi nuk ka vdekur”.

Manolis Glezos ka qenë i pranishëm për vizita miqësore i ftuar nga organizata të veteranëve të luftës antifashiste nacionalçlirimtare disa herë në Shqipëri.

Por i paharruar do të mbetet takimi që unë bashkë me shkrimtarin tonë të madh Dritëro Agolli kemi patur në Athinë në vitin 1995, kur edhe kemi vendosur një komunikim të rregullt së bashku. Krejtësisht i thinjur ai më ngjante si një statujë antike, me një fytyrë si të gdhendur mjeshtërisht, me një pamje fisnike dhe me një zë tejet të ngrohtë. Na priti përzemërsisht si të njiheshim prej kohësh dhe kemi biseduar vëllazërisht për shumë çështje të përbashkëta të Shqipërisë dhe Greqisë, për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe pa dyshim për Luftën Antifashiste. Më ka lënë përshtypje të thellë insistimi i tij për të mbrojtur vlerat e antifashizmit, përballë një neofashizmi në ngjitje si në Greqi dhe në Shqipëri. Fillimisht mendova se e tepronte me shqetësimin që tregonte, mirëpo koha na ka bindur se ai ka patur dhe ka plotësisht të drejtë, sikurse do ta lexoni në radhët e këtij bashkëbisedimi me të.

Për këtë bashkëbisedim të jashtëzakonshëm, ekskluziv për gazetën DITA, dua të shpreh mirënjohjen time për shqiptarin atdhetar, emigrantin Niko Ndreu në Athinë, që mundësoi kontaktin me Heroin e Greqisë, nëpërmjet sekretares së tij dhe siguroi këto përgjigje nga Manolis Glezos. Nikoja na përcjell edhe një porosi të Heroit Glezos: Kur të botohet kjo bisedë në gazetë, duhet t’i dërgojmë disa kopje të gazetës DITA në Athinë. Ia premtoj me kënaqësi këtë kërkesë modeste, pavarësisht se do të kryenim edhe pa na e kërkuar. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …