Sot nën përkujdesjen e Komunës së Fushë Kosovës dhe Organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, dega në Fushë Kosovë, u zbulua shtatorja e Heroit të Kosovës, Hysen Zogiani. Zbulimi i shtatores u bë në orën 12.00 në vendin te Stacioni i Trenit, në Fushë Kosovë. Ky projekt u financua nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës. Në fillim të aktiviteteve, zbulimin e Shtatores së Hysen Zogianit e bënë, Azem Syla ish komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së, Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë për Mbrojtjen e Komplekseve Memoriale, Fadil Krasniqi nën Kryetar i Komunës së Fushë Kosovës dhe familja e Heroit, Hysen Zogiani.
Më pas një fjalë rasti, para të pranishmëve e mbajti, gjenerali, Kudusi Lama, komandant i Divizionit të Kukësit gjatë luftës së UÇK-së. Në përkujtim të jetës dhe veprës së Hysen Zogianit foli ish i burgosuri politik, i mbijetuari i Masakrës së Dubravës, Nait Hasani, bashkëveprimtar i Heroit. Një fjalë rasti më këtë rast e mbajti edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari. Në emër të familjes Zogiani, të pranishmit i përshëndeti Adem Zogiani, vëllai i heroit. Në pjesën kulturore u paraqiten me nga një këngë: Arbnore Hysen Zogiani dhe Ilir Shaqiri. (RKL)