Sot në orën 12.00 para selisë së EULEX-it, në Fushë Kosovë, veteranët do të protestojnë, kundër bastisjeve e ndalimeve arbitrare të veteranëve. Përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se me bastisjet dhe ndalimet e veteranëve e familjarëve të dëshmorëve nga Zyra e Prokurorisë së Gjykatës Speciale dhe Policisë së EULEX-it, ata kanë shqetësuar familjet e shumë veteranëve të UÇK-së. Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit, në Hagë dhe EULEX-i janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre. Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin. Prandaj, duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër Zyrës së Prokurorit dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë Kosovë, sot më 15 shtator 2023, në orën 12:00. Ju ftojmë që të merrni pjesë në protestë, ka shkruar Faton Klinaku.
