Sot në Prishtinë u mbajt Akademi përkujtimore për dëshmorin e kombit, Bedri Sokoli në 30-vjetorin e rënies

Sot në Prishtinë u mbajt Akademi përkujtimore për dëshmorin e kombit, Bedri Sokoli në 30-vjetorin e rënies

Sot, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, u mbajt Akademi përkujtimore në 30-vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit, Bedri Sokoli, i cili kishte rënë në mbrëmjen e 1 nëntorit të vitit 1989, në ballë të demonstratave në qendër  të Prishtinës, kundër dhunës mbi shqiptarët, që kishte ushtruar regjimi fashist i Milosheviqit.

Ahmet Qeriqi

Në fjalën e tij para të pranishmëve, drejtori i Radios-Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi, ka  folur për jetën dhe angazhimin e Bedri Sokolit në mesin e gjeneratës së tij revolucionare, të cilët aktivitetin e tyre kombëtar e kishin filluar në mars e prill të vitit 1981, duke qenë nxënës, madje edhe të mitur për ta vazhduar deri në vitin 1989, kur ishin burrëruar para kohe dhe ishin riorganizuar me të gjitha format e veprimit kundër regjimit pushtues jugosllav. Më 1 dhe 2 nëntor të vitit 1989, në qendër të Prishtinës dhe te Kodra e Diellit  kanë rënë tre militantë të Lëvizjes sonë kombëtare: Bedri Sokoli, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Një djalosh i ri i kalitur me ato ideale çlirimtare, Bedri Ilaz Sokoli, luftën e tij kundër regjimit okupator jugosllav  e kishte filluar në vitin 1981 në mesin e gjeneratës së vet dhe e kishte kurorëzuar me gjakun e derdhur për liri, më 1 nëntor të vitit 1989, gjatë protestave dhe demonstratave të asaj kohe, në Prishtinë.

Sabri Kicmari

Një fjalë rasti para të pranishmëve e ka mbajtur edhe veprimtari i mirënjohur, prof, dr, Sabri Kiçmari i cili segmentoi disa aspekte të Lëvizjes sonë kombëtare në luftë për çlirim nga robëria serbe duke u ndalur veçmas në rolin që ka luajtur rinia revolucionare e Kosovës e asaj kohe e cila kishte vazhdimësuar kërkesat për Republikën e Kosovës,

Në pjesën tematike të Akademisë ka folur edhe Naser Pacolli kryetari i  Degës së Prishtinës  nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.  Ai ka veçuar faktin se dëshmorët e kombit, të cilës do përiudhë kohore e kanë të njëjtë ndrin dhe respektin. Kujtimi për dëshmorët na bën  të ndërgjegjshëm për rrugën që ndoqën ata, të cilët me gjakun e tyre na sollën lirinë dhe pavarësinë e vendit.

I burgosuri politik i viteve 80-të, Pajazit Jashari, ka folur për njohjen e tij me dëshmorin, ndërsa ka evokuar kujtime nga demonstrata e tre prillit në Besianë dhe letërkëmbimin e tij nga burgu. Pajazit Jashari ka qenë i burgosuri politik i cili ika arritur  të largohet ilegalisht nga Kampi famëkeq jugosllav i Goli Otokut.

Florin Sokoli

Në pjesën kulturore janë paraqitur me recitime dhe lexim  poezish: Avdi Gërvalla ka interpretuar monologun me dëshmorin, Bedri Sokoli, ndërsa kanë recituar poezi  Dijona Neziri dhe  Emira Sokoli,  Në fund të Akademisë të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi për pjesëmarrje, Florin Sokoli, vëllai i dëshmorit, Bedri Sokoli.

Kontrolloni gjithashtu

Në Ditën Forcës, dyert e kazermave të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë hapur për të gjithë qytetarët e vendit

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, në shënim të  Ditës së Forcës …