Sot në sallën e Institutit Albanologjik, në Prishtinë, u përurua libri: Fatos Krasniqi-Kur binin trimat”, i autorit, Fitim Çaushi. Përurimi i librit u bë me rastin e 25 vjetorit të përjetësimit në altarin e Lirisë të dëshmorëve të kombit, Fatos Sherif Krasniqi, Haki Krasniqi, Skënder Shala dhe Ilaz Javori.
Gjatë përurimit, fillimisht u lexua shkrimi i recensentit, Afrim Hima. Pastaj fjalën e tij e paraqiti recensenti i dytë, profesor Hamdi Thaçi. Për librin kanë folur edhe Gjeneral i mirënjohur i luftës së UÇK-së, ish-Komandanti i Divizionit të Kukësit, Kudusi Lame. Një fjalë para të pranishmëve në përurim e mbajti edhe akademiku, Pëllumb Xhufi, pastaj doktor Laver Stroka, kompozitori, Emir Dizdari, Komandanti i njësitit “Pëllumbi” gjatë luftës, Ferat Shala, autori i Librit, Fitim Çaushi dhe djali i dëshmorit Albin Krasniqi. Në fund u recitua edhe recitua një poezi nga, Mujë Gjeka.
Po sot për të respektuar e përkujtuar Dëshmorin-Hero, Fatos Sherif Krasniqi, bëhen homazhe në kompleksin e varrezave te dëshmoreve te kombit, “Pëllumbat e Lirisë” në fshatin Fatos (ish-Negroc), si dhe te lapidari i dëshmorit.
Në orën 17:30 bëhet zbulimi i pllakave shtëpi-bazë të UÇK-së, te shtëpia e Qerim Krasniqit, dhe shtëpia e Halim Krasniqit, në Negroc. Në orën 19:00 në oborrin e shtëpisë së Halim Krasniqit shtrohet darkë për bashkëluftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (RKL)