Sot në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë është mbajtur Akademi përkujtimore për dëshmorët e komunës së Prishtinës. Në emër te komunës, nënkryetari, Selim Pacolli tha se sot kur po bëhen 20 vite ne përkujtojmë me pietet dëshmorët e rënë për këtë ditë. Ata u sakrifikuan për idealin e madh, ata ranë për realizimin e ëndrrës së madhe. Është kjo ditë kur gërshetohet dhembja dhe krenaria. Është dita e ngadhënjimit mbi terrorin. Falë gjakut të tyre ne jemi këtu. Sot jemi më afër se kurrë me heronjtë, dëshmorët e martirëve tanë tha nënkryetari, Selim Pacolli.
Komandanti i Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit, Fatmir Sopi, fillimisht falënderoi komandantin, Adem Shehu. për prezencën dhe për kontributin që dhënë gjatë luftës në këtë zonë të Kosovës. Për 20 vite ne jemi krenar për luftën dhe rezistencën që e bëmë. Ne nëpër breza u dënuam e u maltretuam nga okupatori serb. Nën flamurin kuq e zi të prirë nga heronjtë tanë u organizua populli shqiptar për luftën e lavdishme. UÇK ishte përball një ushtrie shume më të madhe, por ushtria e jonë kishte moralin e lartë. Serbet kur pësonin humbje hakmerreshin në popullatën civile sikur beri edhe në fshatrat Makovc e Grashticë. Qëllimi i tyre nuk u arrit kurrë. Lufta jonë ishte e drejtë andaj edhe kishim intervenimin e NATO- s. Meritorë janë dëshmorët që dhanë jetën. Neve nuk na duhet kërkim falja nga kriminelët, sepse ne nuk e falim mizorinë e tyre, saktësoi luftëtari dhe eprori i UÇK- Fatmir Sopi.
Naser Pacolli nga OVL e UÇK-së, në fjalën e tij përmendi Heronjtë e zonave të luftës. Ai tha se dëshmorët janë udhërrëfyesit më sublimë të popullit tonë. Ne do të përulemi para veprave të tyre. Dëshmorët nuk u dorëzuan kurrë para armikut. Ne do ti kujtojmë gjithmonë. Akademia u përmbyll me pjesën artistike.