Sot në Tiranë do të takohen ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve të tjera pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit. Takimi do të mbahet në pallatin e Brigadave në kryeqytetin e Shqipërisë, ku qysh në mëngjes do të priten delegacionet e vendeve përkatëse. Përveç ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i zi dhe Bosnje-Hercegovina, pjesë e takimit do të jenë edhe ministrat e shteteve anëtare të përfshira në Proces si Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar. Takimi do të kulmojë me një konferencë të përbashkët për shtyp në mes të ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili do të drejtojë edhe punimet e këtij takimi, ministres së jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock dhe komisionarit të BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Ajo që pritet me interes nga ky takim do të jenë diskutimet për çështjen e Kosovës dhe Serbisë për sa kohë të pranishëm do të jenë ministrat e Jashtëm të dy vendeve Donika Gërvalla dhe Ivica Daçiq.