Udhëheqësit e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë pritur sot në Tiranë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në ambientet e kryeministrisë, për të vazhduar më pas punimet në Samitin e Procesit të Berlinit. Pas ceremonisë së pritjes, liderët i janë drejtuar Piramidës, aty ku do të zhvillohen punimet e Samitet. Dy janë elementët kryesorë për t’u analizuar në Samitin e Procesit të Berlinit. Së pari elementi politik. Një prej shtyllave të Procesit të Berlinit themeluar në vitin 2014 është fqinjësia e mirë në rajon. E në këtë kontekst situata e tensionuar pas 24 Shtatorit në Veri të Kosovës është një temë për t’u diskutuar aq më tepër që në Tiranë nesër do të jenë dy arkitektët e planit franko-gjerman. Aspekti i dytë dhe më i rëndësishmi, ai me karakter ekonomik. Në 31 maj 2023 nga forumi, GLOBSEC në Bratislavë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se BE-ja është duke punuar në Planin e rritjes për vendet e rajonit. Një burim diplomatik në Komisionin Evropian, ka thënë për “Top Channel” se “me gjasë nga Samiti Procesit të Berlinit, presidentja Ursula von der Leyen do të flasë me terma konkret për të ashtuquajturin “Plan i Rritjes”. Bëhet fjalë për një paketë prej 28 miliardë euro. Sot ka përfunduar sesioni i parë i samitit të Procesit të Berlinit, në Tiranë.